Analiza

Mes megaprojekteve si Kanali i dytë i Suezit, terrorizmi sfidon Egjiptin e Al-Sisit, nga Libia në Sinai

Që nga koha e piramidave, sundimtarët e Egjiptit ëndërrojnë të mbeten në histori si ndërtuesit e veprave të pavdekshme. Naseri u përpoq me ndërtimin e digës së Asvanit, dhe me sistemimin e  ujërave të Nilit. Faraoni i ri i Kajros, synon edhe më shumë: ndërtimin e kanalit të dytë të Suezit. Megaprojekti, i shpallur me pompozitet gushtin e vitit të shkuar, tanimë ndodhet në fazën e fundit, para fillimit të punimeve në terren dhe parashikon gërmimin e një kanali 72 kilometra të gjatë, paralel me të parin

Sërish, si në rastin e Sirisë, Vladimir Putini rezultoi më i kthjellët dhe më i shpejtë në ndërhyrjet e tij. Ndërsa Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, bashkëpërgjegjëse për katastrofën libiane, mbyllnin ambasadat e tyre në Tripoli, duke i bërë thirrje OKB-së të evakuonte bashkatdhetarët e tyre, në datën 9 shkurt, në kulmin e krizës në Ukrainë, presidenti rus gjeti kohën për një vizitë të shpejtë në Nil, duke arritur një marrëveshje me Kajron, për një furnizim armësh me vlerë 3 miliardë dollarë dhe ndërtimin e një centrali bërthamor

Nga Giovanni Porzio

AL Sisi 1

Khalas! Mbaroi. Pasi tentoi manovrën e disatë, për të dalë nga vorbulla e trafikut, Mustafai duhet të dorëzohet: taksia e tij ka ngecur në mënyrë të pandreqshme, në një rrugicë midis hotelit “Katër Stinët” dhe sheshit Tahrir. Nuk më mbetet gjë tjetër, veçse të paguaj shoferin dhe të vazhdoj rrugën në këmbë, duke hapur një shteg përmes turmës së mbledhur në hyrje të një godine ngjyrë gri, të rrethuar nga një kordon zyrtarësh me uniforma.

Një protestë? Tubim politik? Aspak. Nga mëngjesi deri në mbrëmje, turma rrethon çdo ditë zyrat e kompanisë shtetërorë të naftës. Janë përhapur thashetheme se do të ketë rekrutime të reja në punë, dhe një masë e e madhe të interesuarish, janë derdhur në rrugë: bërtasin, shtyjnë njëri-tjetrin, valëvisin dokumentet e tyre personale dhe aplikimet për punë, ndërsa policët refuzojnë duart që ofrojnë bakshish. Këto janë skena tensioni të zakonshme në kryeqytetin e një vendi, ku papunësia e të rinjve është pothuajse 25 përqind, dhe 45 përqind në mesin e të diplomuarve.

Katër vjet pas “pranverës”, që në janarin e vitit 2011 shembi regjimin 30-vjeçar të Hosni Mubarakut, Egjipti po kalon nëpër një fazë vendimtare. Ngjarjet kanë rrjedhur shpejt dhe me  nervozizëm: fitorja elektorale e Vëllazërisë Myslimane, presidenca katastrofike e kandidatit të tyre Muhamed Morsi, grushti i përgjakshëm i shtetit, i mbështetur nga Arabia Saudite dhe monarkitë e Gjirit, të cilat katapultuan në krye të shtetit, gjeneralin Abdel Fatah Al-Sisi.

Restaurimi i imponuar nga ushtria, e cila që prej epokës së Naserit, është arbitër i jetës kombëtare, nuk kaloi pa dhimbje: janë me qindra viktimat e represionit, gazetarët që kanë përfunduar në burg, apo edhe disidentët e dënuar me vdekje. Por sot, forcat e armatosura duken si institucioni i vetëm, që është në gjendje të garantojë rendin dhe kohezionin social të vendit, që ka një rëndësi kyçe për stabilitetin e një rajoni të kërcënuar nga terrorizmi Salafist, dhe zgjerimi i Kalifatit Islam.

Gjenerali Al-Sisi duhet të përballet me kurthe të shumëfishta: në lindje, lufta xhihadiste në gadishullin e Sinait; kaosin në perëndim të Libisë, i shkaktuar nga milicisë e armatosura islamike, si dhe ndërhyrja e pamatur kundër Gedafit, e kërkuar me ngulm nga Parisi. Në frontin e brendshëm është mina me sahat e rritjes se popullisë (egjiptianët aktualisht janë thuajse 85 milionë) dhe një ekonomi në krizë, e rënduar tej mase nga subvencionet shtetërore, burokracia joefikase dhe industria e vjetëruar, si pasojë e rënies së peshës së turizmit dhe çmimeve të naftës.

Për të zbutur pakënaqësitë dhe çimentuar lidershipin e tij, Al-Sisi ka nxjerrë nga mënga një kartë, që në Egjipt ka funksionuar përherë: veprat e mëdha patriotike, që ndryshojnë fatet e kombit, duke krijuar zhvillim dhe vende të reja pune.

Që nga koha e piramidave, sundimtarët e Egjiptit ëndërrojnë të mbeten në histori si ndërtuesit e veprave të pavdekshme. Naseri u përpoq me ndërtimin e digës së Asvanit, dhe me sistemimin e  ujërave të Nilit. Faraoni i ri i Kajros, synon edhe më shumë: ndërtimin e kanalit të dytë të Suezit. Megaprojekti, i shpallur me pompozitet gushtin e vitit të shkuar, tanimë ndodhet në fazën e fundit, para fillimit të punimeve në terren dhe parashikon gërmimin e një kanali 72 kilometra të gjatë, paralel me të parin.

Kanali i ri do të lejojë lundrimin e dyanshëm mes Mesdheut dhe Detit të Kuq, duke ulur në mënyrë drastike kohën e udhëtimit e të pritjes, si dhe duke rritur ndjeshëm të ardhurat për shtetin: nga 5.3 miliardë dollarë, që është aktualisht në 13.2 miliardë në vitin 2023, përmes një rritjeje nga 49 në 97 të numrin të përditshëm të anijeve që do të kalojnë aty.

Dhe nëse kanali i vjetër u përfundua në vitin 1869, pas 10 vitesh përpjekje që kushtuan mijëra jetë, vepra e e re – siguron Al-Sisi – do të përfundojë brenda një viti, nën mbikëqyrjen e rreptë të ushtrisë. Ndonëse koha e dorëzimit të projektit dhe buxhetit nuk do të respektohen plotësisht, udhëheqësi ka ndërmarrë ndërkohë një goditje të frikshme në favor të tij.

Kanali, i shtetëzuar në vitin 1956 nga Naseri, dhe teatër i luftës me Izraelin në vitin 1967 dhe 1973, është simboli më i fortë i bashkimit dhe vetëdijes kombëtare të popullit egjiptian, dhe në shtator, kur qeveria shpalli abonimet publike për financimin e gërmimeve, depozituesit të nxitur nga një normë interesi prej 12 përqind mbi çdo aksion, të garantuara nga Banka Qendrore, nxituan të blenë çertifikatat e investimeve, për një total prej 8.5 miliardë dollarësh.

Në Ismailia, zona ku do kryhen punimet, buldozerët po punojnë 24 orë në 24. Është një zonë e “sigurisë maksimale” dhe kantierët ruhen nga të gjitha anët nga forcat e ushtrisë të amratosura si për luftë, me tanke, mitralozë, makina të blinduara dhe bunkerë të formuar me thasët e rërës.

Më në veri, në El-Kantara, ura futuristike e As-Salamit, që duke anashkaluar Kanalin, lidh Egjiptin afrikan me Sinain aziatik, është e mbyllur për trafikun për një kohë të pacaktuar: rikthimi i sulmeve xhihadiste, e ka shndërruar prej kohësh gadishullin e Sinait në një fushëbetejë të vërtetë.

Megjithatë në Port Said, në kalimin mesdhetar të Kanalit, kontrollet e sigurisë janë disi më të qeta:  tragetet vijnë e shkojnë mes dy anëve, duke transportuar makina, mallra dhe udhëtarë. Anijet presin të ankoruara për të udhëtuar përmes kanalit të Suezit, dhe në portet ka një nxitim të vinçave, rimorkiatorëve, kontenierëve dhe arkave.

Këtu, sipas planeve të qeverisë, duhet të ngrihen shërbimet logjistike dhe të infrastrukturës të një cilësie të lartë, për të qenë të afta të përballojnë rritjen e pritshme të trafikut. Nga Kanali, rruga më e shkurtër mes Evropës dhe Azisë, aktualisht kalon 7 përqind të tregtisë botërore përmes detit. Admirali Mohab Mamish, kreu i Autoritetit të Kanalit të Suezit, premton se kanali i ri, “do të shënojë rilindjen e Egjiptit”. “Do të jetë trashëgimia jonë për brezat e ardhshëm dhe për tërë botën” – shton ai.

Tani për tani, Port Saidi duket i lënë pas dore, me pamjen e një porti të zakonshëm, që mund të gjendet në çdo cep të Lindjes së Mesme, me ndërtesat e vjetra me ballkone druri, magazinat dhe zyrat e kompanive të transportit detar, të mbytura nga përparimi i paepur i armaturës së çimentos. Statuja e Ferdinand de Leseps, i cili së bashku me italian Luixhi Negreli, projektoi “prerjen e Suezit”, u hoq në vitet ‘50 me urdhër të Naserit dhe nga epoka e gërmimit të parë të madh, mbetet vetëm godina e stilit viktorian e Autoritetit të Kanalit.

Që Egjipti ka një nevojë të dëshpëruar për të zhvilluar ekonominë e tij dhe shëruar plagët sociale të varfërisë dhe papunësisë, kjo është jashtë diskutimit. Sistemi shëndetësor është në gjendje të keqe, ashtu edhe arsimi e kërkimi shkencor. Shteti është zhytur në borxhe, dhe mbi një e treta e prodhimit industrial, kontrollohet nga ushtria.

Në zonat rurale përgjatë deltës së Nilit, miliona egjiptianë jetojnë në shtëpi prej balte, pa shërbime higjenike dhe ujë të rrjedhshëm, ndërsa në periferitë e pafund të Kajros, miliona të tjerë jetojnë

në ambjente të mbipopulluara dhe aspak të shëndetshme, pa energji dhe ngrohje. Mbetet të shihet nëse rruga e zhvillimit të vendit do të kalojë pikërisht nga ndërtimi i Kanalit të dytë të Suezit.

Disa analistë ngrenë dyshime mbi përfitimet afagjata të kësaj vepre, dhe që do të varen në çdo rast nga rritja ekonomike, si dhe vëllimi i tregtisë detare gjatë viteve të ardhshme. Të tjerët shtrojnë pyetjen, nëse do të ishte më mirë, që ato para të investoheshin tek sektorët të cilat aktualisht janë degraduar si industria, transporti dhe strehimi social.

Për më tepër, mega-projekti nuk është i imunizuar nga dëmet e pashmangshme anësore, në mjedisin njerëzor dhe ekosistem. Sipas avokatit Sherin El-Hadad, buldozerët kanë detyruar tashmë dy mijë fermerë të braktisin tokat e tyre, ndërsa 50 mijë të tjerë rrezikojnë të kenë të njëjtin fat në një duzinë fshatrash, përgjatë rrugës së kantiereve.

Pastaj, biologët detarë i druhen një pushtimi të dëmshëm të specieve që jetojnë në Detin e Kuq, me pasoja të rënda për faunën e Mesdheut, tashmë e komprometuar nga mbi 350 specie tropikale, që depërtuan përmes Kanalit, pasi ky u hap në fund të shekullit të XIX-të. Ndër këto, Ropilema nomade, një kandil deti që formon koloni dhjetra kilometra të gjata dhe që siç shpjegon Stefano Piraino nga Universiteti i Salentos, “krijon dëme të mëdha në turizëm, bujqësi dhe peshkimin për qëllime tregtie”. Por edhe më të rëndësishme janë rreziqet e natyrshme në kontekstin e paqëndrueshëm gjeopolitik të rajonit.

Mundësia e sulmeve terroriste në zonën Kanalit, megjithëse e ruajtur fort nga ushtria, sigurisht nuk mund të përjashtohet, pas valës së atentateve që muajt e fundit kanë përgjakur Sinain, dhe ku nga tetori i vitit të shkuar, është shpallur gjendja e emergjencës. Në gadishullin shkretinor, prej një kohe të gjatë jashtë kontrollit, me normën më të lartë të papunësisë në vend, grupi Ansar Beit al-Makdis, që është betuar për besnikëri ndaj Kalifatit të Ebu Bekr El-Bagdadit, është në luftë të hapur me forcat e armatosura të Kajros.

Numri i të vdekurve është alarmant: ushtarakë, policë dhe civilë të masakruar nga dhjetëra autobomba, kamikazët, plumbat dhe mortajat si dhe lëshimi i raketave, në një kohë që qindra militantë salafitë kalojnë Kanalin për t’iu bashkuar milicive ushtarake, që në Libi kanë pushtuar, njëra pas tjetrës, qytetin e Dernas, Bengazit dhe Sirtes. Dhe duke thirrur emrin e Allahut, prenë përmes një ceremonie barbare, kokat e 21 punëtorëve të zakonshëm egjiptianë, të shpallur fajtorë pse i përkisnin fesë Kopte.

Sërish, si në rastin e Sirisë, Vladimir Putini rezultoi më i kthjellët dhe më i shpejtë në ndërhyrjet e tij. Ndërsa Evropa dhe Shtetet e Bashkuara, bashkëpërgjegjëse për katastrofën libiane, mbyllnin ambasadat e tyre në Tripoli, duke i bërë thirrje OKB-së të evakuonte bashkatdhetarët e tyre, në datën 9 shkurt, në kulmin e krizës në Ukrainë, presidenti rus gjeti kohën për një vizitë të shpejtë në Nil, duke arritur një marrëveshje me Kajron, për një furnizim armësh me vlerë 3 miliardë dollarë dhe ndërtimin e një centrali bërthamor.

Nëse tani, sikurse në të shkuarën, fatet e Egjiptit varen nga Kanali i Suezit, fati i pasigurt i brigjeve jugore të Mesdheut, është kryesisht i kufizuar tek kapaciteti i Egjiptit për të përballuar, edhe ushtarakisht, sfidën brutale të terrorizmit xhihadist./Venerdi/

a.g./www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button