Bota

Mes varfërisë, fesë dhe joshjes prej Kalifit

Screen Shot 2015-04-11 at 7.56.41 PMNga Ermal Gjinaj

“30 mijë Euro janë një pagë e mirë për t’iu bashkuar një grupi terrorist”. “Ndjenja e përkatësisë në një grup, i cili me bëmat famëkeqe po zë gjithnjë e më shumë faqet e para të gazetave dhe revistave të mbarë botës, është një tundim i fortë”. “Mungesa e shpresës, varfëria, ndjenja e pasigurisë për të ardhmen, i detyron që të ngarkojnë plaçkat dhe t’i kërkojnë tjetërkund të gjithë këto gjëra të munguara…”

Screen Shot 2015-04-14 at 10.16.29

Janë këto disa prej përgjigjeve që merr, sa herë pyet, si është e mundur që sot, në dekadën e dytë të viteve 2000, në një kohë kur shumëkush nuk ka dyshime për vokacionin perëndimor të shqiptarëve, në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, renditemi relativisht lartë në listën e vendeve të origjinës së rekrutëve që i bashkohen Shtetit Islamik të Irakut dhe Levantit. “Afërsia gjeografike, historia, feja”, shtojnë disa të tjerë. “Aty gjejini arsyet”.

Raportet e shërbimeve të fshehtë perëndimorë, por edhe institucioneve seriozë, si Qendra Ndërkombëtare për Studimin e Radikalizmit dhe Sigurisë, në Mynih, flasin për rreth 4000 luftëtarë të ardhur nga Europa, ndër të cilët rreth 250 janë shqiptarë, të Shqipërisë dhe Kosovës. Janë shifra zyrtare, por mund të jenë më shumë, po të kemi parasysh brishtësinë e kufijve të shteteve që ndodhen në “rrugën që të con tek lufta”.

Në gusht të vitit që kaloi, autoritetet në Shqipëri dhe në Kosovë kryen arrestime në masë, të personave të akuzuar si rekrutues dhe pjesëmarrës në organizatën terroriste. Ndonëse në qarqet mediatikë dhe intelektualë kishte kohë që flitej, ishte një këmbanë zgjimi për opinionin, deri atëherë relativisht refuzues për të pranuar një rrezik që, sa më shumë kalonte koha, aq më evident bëhej. Në Kosovë, një prej akuzave për 40 të arrestuarit ishte planifikim për kryerjen e një akti terrorist gjatë një aktiviteti kulturor. Terroristë par excellence

Në Shqipëri, 9 persona janë duke u gjykuar nën akuzën e veprave për qëllime terroriste, si dhe nxitje të urrejtjes dhe grindjeve. Dy imamët e vetëshpallur, që nuk janë zyrtarisht pjesë e Komunitetit Mysliman në Shqipëri, akuzohen nga Prokuroria e Krimeve të rëndë për dërgimin në Siri dhe Irak të 70 personave, mes tyre dhe një nënë me dy fëmijë.

Përmasa, për një vend me më pak se 3 milionë banorë është vërtetë shqetësuese. Fenomeni është mbi të gjitha social, duke qenë se nga pikëpamja demografike, ata që kanë rënë në rrjetën e rekrutimit kanë qenë banorë të zonave rurale. Njerëz që, “morsa” e varfërisë dhe mungesa e shpresës, i ka shtyrë që t’i përgjigjen pozitivisht thirrjes për të luftuar në ushtrinë e Kalifit. Herë të bindur kur rekrutuesit u paguajnë borxhet që po i mbysin, e herë trushpëlarë prej predikimeve fetarë të të vetëshpallurve imamë dhe ndjekësve të tyre.

TERHEQJA

Jetojmë në një epokë kur pushteti i medias ka fituar përmasa të paprecedenta. Jemi të rrethuar nga gazeta, televizione, radio, faqe  interneti, që, duam apo jo, na bombardojnë me lajme, ngjarje, legjenda për sulme dhe viktima, heronj dhe kamikazë, beteja që fitohen dhe qytete që bien. Përballë këtij vërshimi të informacionit, nuk e kemi të gjithë të njëjtë “aftësinë tretëse”. E kështu ka ndodhur që shumë shqiptarë, sidomos të rinj, janë bërë viktima të propagandës.

Lajmet që vijnë prej ISIS dhe zonave të luftës janë për definicion bombastikë. Pamjet e krimeve të nxisin ta ndalësh zapping-un, e të ndjekësh gjithë sy e veshë kronikën e radhës. Ti ngre me nxitim xhamin e makinës për të penguar zhurmat, sapo spikeri nis e rrëfen se ç’metodë ka shpikur këtë herë “korporata e terrorit” për të ekzekutuar “të pafetë”. Ti klikon aty, në çast, kudo ku ndodhesh, titullin e shfaqur në dritaren e Facebookut, për të mësuar se sa viktima ka dërguar drejt asaj bote Shteti Islamik.

Nga Amerika në Europë, nga Lindja e Mesme në Ballkan, propaganda   dhe jehona e akteve famëkëqinj terroristë, kanë nxitur mobilizimin më të madh të luftëtarëve islamikë, të paktën që nga viti 1945. Duke i vënë në dispozicion organizatës së Kalifit një armë shumë të fuqishme: tërësinë e atyre viktimave që kanë rënë pre e manipulimit masiv fetar.

SHQIPTARET

Përse shqiptarët, në Shqipëri dhe Kosovë, u larguan në numra të konsiderueshëm, për t’u bërë pjesë e luftës në Siri? A ishte bërë mjaftueshëm nga ana e autoriteteve për të parandaluar që në fazat e hershme ekstremizmin fetar? Dhe a ka ndikuar fakti që Shqipëria dhe Kosova janë dy shtete me shumicë myslimane, për shtimin e numrit të të rekrutuarve?

Eshtë e vërtetë që shqiptarët i përkasin në shumicë fesë myslimane. Por është po aq e vërtetë se janë pjesë e një kombi dhe dy shteteve europianë, me orientim perëndimor. Nuk ka dyshim që shumica shqiptarëve shohin nga Perëndimi, atje ku, prej shekujsh tashmë, mbi gjithcka është Individi. Gjithmonë i vetëm, në kërkim të lumturisë personale, me sfond një botë gjithmonë e më të globalizuar, ku përkatësia në një grup fetar, etnik a territorial nuk është domosdoshmëri. Mesazhi që dërgon ISIS është i kundërti. Ai fton kryesisht të rinjtë – të cilët ashtu si kudo, edhe në perëndim, janë natyrshëm në kërkim të një identiteti, të cilin e gjejnë shpesh tek përkatësia brenda një grupi. “Agjentët” e Kalifit u ofrojnë pikërisht këtë alternativë, përmes një mesazhi universal.

Sipas një argumenti, Shqipëria dhe Kosova janë terren pjellor rekrutimi, për shkak se shumica e shqiptarëve janë myslimanë. Prandaj kemi lënë pas edhe afganët apo palestinezët, në listën e kombësive të reshtuara nën flamurin e zi të Kalifit.

Eshtë një argument të cilin e rrëzojnë kollaj raportet e kohëve të fundit, të think-tankeve apo shërbimeve të fshehtë të perëndimit, të cilët vijnë e dakordësohen në një pikë: shtete si Anglia, Franca dhe Gjermania kanë numrin më të madh të xhihadistëve që luftojnë nën flamurin e ISIS-it.

Ideologjia e Kalifit ka arritur të depërtojë jo pse këta vende kanë shumicë myslimane. Farat e saj janë mbjell me sukses, për shkak të “pjellorisë” që kanë krijuar atje problemet sociale dhe ekonomike. Që nga mungesa e integrimit, kushtet e vështira të jetës dhe bashkëjetesa thuajse e pamundur, nevoja për gjetjen e një qëllimi në jetë dhe të një sensi përkatësie. Bashkë me Islamofobinë që po gjen shprehje gjithnjë e më të hapur në shumë vende të Europës, të gjithë këta faktorë e bëjnë më të rrokshëm mesazhin dhe joshës premtimin e Kalifit.

PASOJAT

SHBA dhe Europa ka kohë që u kanë rënë këmbanave të alarmit: Ku shkojnë të gjithë këta elementë terroristë pas “stazhit” të terrorit (gjithmonë nëse nuk shndërrohen në “martirë” të një kauze që vetëm e tillë nuk është). A ka rrezik që, ashtu si druhen shtetet e Europës dhe vetë SHBA, këta elementë të kthehen në vendlindje, e njëkohësisht të mos heqin dorë prej ideologjisë së terrorit?

Ka një debat të madh sot në SHBA i cili, natyrshëm gjen vend edhe në Shqipëri dhe në Kosovë. Eshtë një përshtatje e debatit klasik të “shkopit dhe karrotës”. A i duhet mëshuar më shumë institucioneve ligjzbatues dhe atyre të sigurisë, apo përpjekja e madhe e kthimit të të radikalizuarve në rrugën e duhur, i duhet besuar më së shumti teologjisë? A duhen forcuar masat ndëshkuese, të cilat në përvojën europiane shpesh herë kanë shkaktuar një radikalizim të mëtejshëm, apo i duhet mëshuar më shumë integrimit në shoqëri, zbutjes së varfërisë, diskriminimit, që i shtyn shqiptarët në krahët e ideologjisë së terrorit.

Një prej njohësve më të mirë të fesë islame dhe botës arabe, Ermir Gjinishi, thoshte në një intervistë për të përjavshmen “Java”, se modeli i ISIS po pëson një transformim, nga kauzë në doktrinë. “Dhe përderisa kemi të bëjmë me një doktrinë, atëherë do të ishte i domosdoshëm trajtimi teologjik i fenomenit, qartësimi i besimtarëve. Ka nevojë për një angazhim serioz të mendimit fetar ndaj këtij shtrembërimi kriminal…”. Parandalimi do të kërkonte sigurisht një angazhim të të gjithë shoqërisë, por në mënyrë të vecantë të komuniteteve fetarë dhe të udhëheqësve shpirtërorë.

Sigurisht, nevojitet një punë e madhe për të eleminuar forcën e madhe tërheqëse të propagandës xhihadiste. Por ndoshta duhet filluar duke i vetëdijësuar rekrutët potencialë se, pavarësisht premtimeve për pasurim, lavdi dhe parajsë me virgjëresha, në fakt atje ku duan të shkojnë do të gjejnë mjerimin, skllavërimin dhe turpin. Se pavarësisht që Kalifi përpiqet t’i bindë të luftojnë për “mbretërinë” e Zotit mbi tokë, ajo që u kërkon të bëjnë, përmes prerjes së kokave dhe vrasjeve me gurë, bie ndesh me vetë parimet e librit të tyre të shenjtë, Kur’anit.

Dhe më mirë se kushdo, këtë e bëjnë përfaqësuesit dhe udhëheqësit e Komunitetit Mysliman. Por të vetëm jo, është e pamundur pa institucionet shtetërorë, ligjzbatues ose jo, ashtu si dhe të gjithë shoqërinë.

Sepse, kur të na drejtojnë gishtin, mirë është të vazhdojnë ta bëjnë duke na “lëvduar” – për traditën disa shekullore të tolerancës fetare, të mospërzierjes të politikës me fenë. Nuk ka ndodhur kurrë më parë në këtë vend, që feja të ketë shkelur në terrenin e politikës. Të vetmen herë që u përpoq një parti myslimane, nuk kaloi dot as 0.1 % e votave. Për këto vlera do të donim të na referoheshin, dhe jo si një prej copëzave të gjëzës së madhe, që kush do të shajë, e quan “Ballkanistan”…

Screen Shot 2015-04-14 at 10.23.19

Leave a Reply

Back to top button