Nga Anton Troianovski
Të dielën, Rusia sulmoi Ukrainën me breshërinë më të madhe të raketave dhe dronëve që nga fillimi i luftës. Më pas tensionet me Perëndimin u rritën, pasi shumë dronë rusë fluturuan mbi Poloni, në një shkelje të dukshme të hapësirës ajrore të një vendi të NATO-s.
Sulmet treguan një nivel të ri agresiviteti nga Rusia, më shumë se tre vjet pas nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës. Por, për këdo që dëgjoi Presidentin Vladimir Putin javën e kaluar, ato gjithashtu përputheshin me një fushatë më të gjerë mesazhesh.
Pasi qëndroi kryesisht i heshtur në lidhje me Ukrainën në javët pas samitit të 15 gushtit me Presidentin Trump, lideri rus iu rikthye temës teksa kaloi orë të tëra para kamerave gjatë vizitës së tij këtë muaj në Kinë dhe në Lindjen e Largët. Komentet e tij atje, së bashku me intensifikimin e sulmeve ajrore të Rusisë, dukeshin si një përpjekje për të treguar se Rusia është e vendosur të diktojë kushtet për çdo lloj fundi që mund të ketë lufta.
Për Ukrainën, mesazhi i Putinit është se ai është i bindur se ka epërsi ushtarake. Për aleatët e Kievit në Evropë, paralajmërimi i Putinit është se ata përballen me rrezik, nëse ndjekin planin për të vendosur trupa në Ukrainë. Për Trumpin, Putini po dërgon sinjal, se nuk do të bëjë kompromis mbi kërkesat e tij thelbësore, edhe pse pretendon se Rusia është ende e gatshme për një marrëveshje.
“Unë mendoj se ka njëfarë drite në fund të tunelit,” tha Putini javën e kaluar në një konferencë për shtyp gati njëorëshe në Pekin. “Nëse jo, atëherë do të na duhet t’i zgjidhim të gjitha detyrat që kemi përpara me mjete ushtarake.”
Ja një përmbledhje e komenteve të fundit të Putinit dhe si duhen lexuar ato në dritën e përshkallëzimit ndaj Ukrainës dhe veprimeve kërcënuese ndaj Perëndimit.
Ukraina: Do të bëhet më keq
Si publikisht, ashtu edhe privatisht, Putini po sinjalizon besimin se përparësia e Rusisë në fushën e betejës kundër Ukrainës po rritet. Qëllimi i tij, sipas analistëve dhe njerëzve pranë Kremlinit, është të bindë Ukrainën se rezistenca ndaj makinës së luftës ruse është e kotë.
I pyetur për gjendjen e luftës në Pekin, Putini tha se rezervat e ushtarëve ukrainas po shteronin dhe pretendoi se njësitë luftarake të gatshme të Ukrainës “aktualisht janë të kompletuara jo më shumë se 47-48 për qind.” “Kjo do të thotë se situata është tani në pikën e saj më kritike,” tha Putini.
Komentet pasqyronin bindjen private të Putinit se ushtria ukrainase po mbetet pa personel dhe se mbrojtja e vendit mund të shembet. Kjo perspektivë u përshkrua këtë verë nga dy persona pranë Kremlinit, të cilët folën në mënyrë anonime për shkak të ndjeshmërisë së diplomacisë.
Mesazhi përfundimtar i Putinit për Ukrainën, sipas këtyre burimeve, është se Kievi duhet të pranojë kushtet e paqes që po ofrohen tani, sepse çdo marrëveshje e ardhshme do të jetë më e keqe. Mbështetësit e Ukrainës kundërshtojnë idenë se Putini po përpiqet ta frikësojë Kievin që të dorëzohet, duke injoruar humbjet e mëdha ushtarake dhe përparimet e kufizuara në fushën e betejës, si dhe vështirësitë ekonomike të Rusisë.
Evropa: Duke luajtur me zjarrin
Putini po tregon frustrim në rritje ndaj vendeve evropiane që po përpiqen të formojnë një “koalicion të vullnetarëve” për të mbrojtur Ukrainën nga një sulm i ardhshëm rus, pasi të përfundojë pushtimi aktual.
Në konferencën e tij për shtyp në Pekin, të mërkurën e kaluar, Putini i quajti mbështetësit e Ukrainës në Evropë një “parti lufte” që dëshiron të luftojë Rusinë “deri te ukrainasi i fundit.”
Në një paraqitje treorëshe në qytetin port të Paqësorit rus Vladivostok, dy ditë më vonë, Putini tha se nëse ndonjë trupë perëndimore shfaqej në Ukrainë “veçanërisht tani, gjatë luftimeve, ne do të supozojmë se këto do të jenë objektiva legjitime për t’u shkatërruar.”
Ai shtoi se mundësia e stacionimit të trupave të NATO-s në Ukrainë ishte një “shkak rrënjësor” i ngjarjeve që, sipas narrativës së Putinit, çuan në pushtimin e Rusisë. Në rastin e një marrëveshjeje paqeje, tha ai, prania e tyre në Ukrainë “nuk do të kishte kuptim.”
Në këtë kontekst, hyrja e dronëve rusë në hapësirën ajrore polake të mërkurën duket si një kujtesë nga Kremlini se është i gatshëm të përshkallëzojë një përballje me NATO-n.
Trump: Ende gati për marrëveshje
Putini nuk ka reshtur së lavdëruari Trumpin, të cilin e sheh si kyç për arritjen e një marrëveshjeje paqeje sipas kushteve të Rusisë. Por veprimet e tij ushtarake po testojnë durimin e Trumpit.
Putini tha në Pekin se administrata Trump po “përpiqej të gjente një zgjidhje” për luftën “me mjete paqësore,” dhe se liderët botërorë të mbledhur për një paradë ushtarake kineze shprehën shpresën se Trumpi do të ndihmonte për t’i dhënë fund luftës.
Në Vladivostok, Putini sugjeroi se Rusia tani po priste që Shtetet e Bashkuara dhe Ukraina të bënin lëvizjen e radhës. Ai përsëriti se Rusia dëshiron “garanci sigurie” për veten, një kërkesë që ka gjasa të nënkuptojë kufizime drastike mbi sovranitetin e Ukrainës.
“Ne do të respektojmë ato garanci sigurie që, natyrisht, duhet të zhvillohen si për Rusinë, ashtu edhe për Ukrainën,” tha Putini. “Askush nuk e ka diskutuar këtë me ne në një nivel serioz.” / NYT – Bota.al