Bota

Mesazhi mizor i sulmit në Berlin

Ajo qendër e qytetit, është qendra e Evropës dhe e vlerave perëndimore. Akti i xhihadistëve nuk mund të qe më mizor dhe i njohur në stil, me kamionin e lëshuar kundër tregut të festave të fundvitit, saktësisht sikurse kamioni i Nisës u turr në 14 korrik kundër turmës të pambrojtur në Promenade

Shpjegimi ishte dhe është i thjeshtë:Shteti Islamik ka humbur 40 përqind të territorit, që kishte pushtuar në Siri dhe Irak, Mosuli gjendet nën rrethim, dhe ndonëse ngadalë por me siguri forcat irakiane të mbështetura nga koalicioni ndërkombëtar i udhëhequr nga SHBA po përparojnë, Raka është gati për t’u vënë nën shenjestrën e sulmit, në Libi ra fortifikata kryesore e xhihadistëve në Sirte, financimet e errëta të së shkuarës nuk po vijnë më, dhe bombarduesit rusë, tanimë që është gati marrëveshja me Erdoganin dhe Tramp për t’i dhënë më shumë kohë Asadit, janë duke përdorur të gjithë fuqinë e tyre shkatërruese kundër “Shtetit islamik”.

Gjërat po shkojnë shumë keq për xhihadistët. Dhe kur gjërat shkojnë keq në terren, rritet për efekt kompensimi edhe numri i sulmeve terroriste, në format e saj të ndryshme. Masakra e Berlinit i bindet kësaj logjike të hakmarrjes:sa më shumë të na godisni, aq më tepër do t’iu godasim. Ne duhet të jemi të vetëdijshëm për këtë shkëmbim të neveritshëm, duhet të pranojmë se vendosmëria e dëshmuar kohët e fundit kundër prerësve të kokave të El-Bagdadit, sjell këtë aspekt të tmerrshëm të anës tjetër të medaljes.

Por në qoftë se nuk reagohet për të mposhtur ISIS-in, nëse e lëmë veten të mashtrohemi nga kompromiset e pamundura apo lëshimet e turpshme, çmimi do të jetë shumë më i lartë, do të qe dorëzimi ynë civil dhe ndoshta fizik. Për këtë, është e qartë për të gjithë se terrorizmi nuk duhet të na gjunjëzojë, por duhet gjunjëzuar, përtej retorikave publike mendjelehta.

E megjithatë në momentin e ndalimit, është gjithashtu e nevojshme madje dhe thelbësore të pranojmë gabimet, fajet tona. Perëndimi del me kocka të thyera nga martirizimi i Alepos, i menaxhuar në mënyra të ndryshme nga ana e Asadit, Putinit, Erdoganit dhe ata që janë aktualisht në pushtet në Iran. Amerika e Obamës, është e përjashtuar nga negociatat që po mbahen në Moskë, dhe e pavendosur në lidhje me atë që duhet bërë, ajo e Trampit ende në dritare, por e interesuar vetëm për të mbyllur lojën, Evropa nuk ndihet fare në këtë çështje.

E megjithatë, duhet të pranohet që masakrat e civilëve lënë gjurmë, hyjnë në histori, tregojnë gishtin kundër atyre që bërtitën por nuk lëvizën. Ja pse ka logjikën e vet të tmerrshme vrasja e ambasadorit rus në Ankara nga një polic turk. Kjo është arsyeja pse kujtimi i Alepos mund të ketë pasur një vend, edhe në mendjen e atentatorit në Berlin. Dhe kjo është arsyeja pse Alepo do të kontribuojë në nxitjen e terrorizmit, dhe do të rekrutojë vrasës të rinj masivë.

Në hekatombin sirian dhe tentatulat e tij çdo gjë është e ndërlidhur. Me ISIS-in në cep të ringut, janë rrikthyer në Evropë qindra luftëtarëve të huaj, të cilët shkuan të luftonin nën flamujt e zinj. Sa prej tyre janë terroristë të gatshëm për të goditur? Pak, por fatkeqësisht mjaftojnë. Ndërkohë, në mungesë të Perëndimit, Erdogan dhe Putin përsosin paktin e tyre, turku ka dorë të lirë kundër kurdëve sirianë, në një kohë që rusi merr më shumë kohë për qëndrimin e Asadit në pushtet.

Tani vjen puna për të marrë në bord Iranin, dhe nuk do të jetë e lehtë, por e pashmangshme. Dhe ISIS-i, në qerthullin e vet përherë e më të ngushtë, do ta shesë shtrenjtë lëkurën, do të zhduket për t’u rishfaqur gjetiu tjetër (mendoni për Palmirën që dukej e sigurtë), do të vazhdojë të joshë sunitët e zemëruar, vazhdojë të mësojë apo inkurajojë nëpërmjet internetit terroristët që tanimë janë infiltruar në shoqëritë tona. Lufta vazhdon, dhe s’do të jetë e lehtë për ta fituar vërtet atë, edhe pas rënies së Mosulit dhe Rakës. S’do të jetë e lehtë, por është diçka e detyrueshme.

Corriere della Sera – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button