Bota

Mesazhi prekës i Anthony Hopkins pas zjarreve që i shkatërruan shtëpinë

Aktori i famshëm dhe fitues i dy çmimeve Oscar, Sir Anthony Hopkins, ka ndarë një mesazh prekës për të gjithë ata që janë goditur nga zjarret shkatërruese në Los Angeles. Në moshën 87-vjeçare, aktori humbi shtëpinë e tij në Pacific Palisades, një nga zonat më të goditura nga zjarret, të cilat kanë shkatërruar mijëra ndërtesa.

Duke postuar në Instagram për 5.4 milionë ndjekësit e tij, Anthony shkroi:

“Ndërsa përpiqemi të ringrihemi nga shkatërrimi i këtyre zjarreve, është e rëndësishme të kujtojmë se e vetmja gjë që marrim me vete është dashuria që japim.”

Zjarret në Kaliforni kanë vrarë dhjetëra njerëz, kanë shkatërruar komunitete dhe kanë detyruar mijëra të braktisin shtëpitë e tyre, duke përfshirë edhe disa nga personalitetet më të njohura të Hollywood-it.

Shtëpia e Hopkins në Pacific Palisades, e blerë në vitin 2021 për 6 milionë dollarë, u dogj plotësisht nga flakët. Fotot tregojnë mbetjet e djegura të rezidencës koloniale, ku një gardh i shkrumbuar është e vetmja gjurmë që ka mbetur nga prona e bukur.

Kjo nuk është hera e parë që Hopkins përballet me fatkeqësi të tilla. Në vitin 2018, shtëpia e tij i shpëtoi për pak zjarrit Woolsey, i cili shkatërroi pronën e fqinjit. Më herët, në vitin 2000, ai humbi shtëpinë e tij në Londër nga një zjarr, por fatmirësisht ndodhej në Los Angeles në atë kohë.

Përveç humbjes së shtëpisë, Hopkins ndau edhe një moment reflektimi për jetën e tij, duke shënuar afro pesë dekada pa pirë alkool. Në një postim në Instagram, ai kujtoi momentin kur vendosi të ndalojë pirjen e alkoolit në vitin 1975, duke shkruar: “Para 49 vitesh, ndalova. Ishte vendimi që më ndryshoi jetën.” / bota.al

Back to top button