Placebo është një trajtim mjekësor që nuk përmban asnjë lloj ilaçi. Por në shumë raste, placebot mund të kenë një efekt terapeutik dhe ndonjëherë edhe dramatik. Dikur mjekët u jepnin placebo pacientëve që nuk kishin mjaftueshëm para, apo që në fakt nuk kishin asnjëproblem shëndetësor.
Ata mund t’i jepnin pacientit ujë me sheqer ose një pilulë të mbushur me asgjë, duke shpresuar se besimi i pacientit tek ilaçi apo besimi te mjeku, do të ndihmonte në lehtësimin e simptomave të tij. Pra placebot nuk janë asgjë ndonjë shpikje e re.
Në një letër drejtuar Kaspar Uistarit, një nga etërit themelues të SHBA-së Tomas Xheferson shkruan:“Një nga mjekët më të suksesshëm që kam njohur ndonjëherë, më ka thënë se ka përdorur më shumë pilula prej buke, dhe me pika uji me ngjyrë, sesa të gjitha ilaçet e tjera të marra së bashku”.
Placebot në testet klinike
Kur ekspertët filluan ta shihnin mjekësinë më shumë si një shkencë, dhe më pak si një art, ata vunë re fuqinë e vërtetë të placebos. Madje e matën efektin e saj. Në vitin 1955, Henri Besher ishte i pari që e përcaktoi këtë efekt. Ai ishte anesteziolog në Shkollës e Mjekësisë nëUniversitetin e Harvardit, dhe botoi një studim mbi këtë çështje në Gazetën e Shoqatës Mjekësore Amerikane.
Edhe pse ekspertët e tjerë vunë në dyshim provat dhe përfundimet e Besher, ata nuk e vënë në dyshim faktin se placebot janë shumë të nevojshme për testimin e ilaçeve. Për të përcaktuar nëse një ilaç i ri është më efektiv sesa mungesa e një terapie, studiuesit duhet ta kontrollojnëatë përmes Efektit Placebo.
Vetëm marrja e ilaçeve ka të ngjarë të ndikojë tek disa pacientë. Kjo është arsyeja pse “standardi i artë” aktual i testimit të barnave është Testimi i Kontrolluar Rastësisht (RCT). Në një RCT, disa nga pacientët marrin ilaçin aktual; të tjerët marrin një placebo. As studiuesit dhe as pacientët nuk e dinë se kush e merr ilaçin dhe kush placebon. Sot ekspertët nuk do të miratojnë përdorimin e një ilaçi, nëse ai nuk është më efektiv se sa një placebo.
Mënyra si funksionon mbetet ende mister
Efekti Placebo nuk është universal, edhe pse Besher pretendoi se deri në 35 për qind e njerëzve mund të jenë të ndjeshëm ndaj këtij efekti. Studiuesit kanë vënë re se placebotprodhojnë ndryshime në presionin e gjakut dhe rrahjet e zemrës, si dhe lehtësojnë dhimbjen, depresionin, ankthin dhe sindromën e zorrës së irrituar.
Injeksionet e rreme duket se funksionojnë më mirë sesa pilulat e rreme. Pilulat e mëdha funksionojnë më mirë se të voglat, dhe dy pilula janë më efektive sesa një e vetme. Po ashtu studimet kanë zbuluar se diferencën mund ta bëjë edhe ngjyra e pilulës. Mbetet ende një mister se si funksionon Efekti Placebo.
Disa thonë se është çështje pritshmërish. Disa mendojnë se gjithçka shpjegohet me kushtëzimin klasik. Ne jemi të kushtëzuar të ndihemi më mirë pas marrjes së ilaçeve, dhe në fakt kështu na ndodh. Efekti Placebo mbi dhimbjen fizike, mund të shpjegohet me aktivizimin e disa opioideve natyrale në tru, si një kundërpërgjigje ndaj marrëdhënies midis mjekut dhe pacientit.
Jo domosdoshmërisht një mashtrim
Por një gjë nuk është mister. Me gjithë të mirat që mund të bëjë një placebo, nuk është etike të gënjesh pacientët. Në testet klinike, pjesëmarrësit e dinë se mund të jenë edhe në grupin që do të marrë një placebo. Xheferson e quajti shpërndarjen e qëllimshme të “pilulave të bukës” si një “mashtrim qëllim-mirë”.
Por ekspertët mund të përfitojnë nga Efekti Placebo edhe pa e mashtruar pacientin. Një nga aspektet më intriguese për placebot, është se ato mund të funksionojnë edhe kur pacientët e dinë se po marrin një placebo. Megjithëse placebot, po përdoren prej shekujsh, dhe kanë qenë një pjesë e domosdoshme e testeve klinike për dekada me radhë, reputacioni i tyre ka pësuar ulje dhe ngritje.
Por gjatë dekadave të fundit, studiuesit kanë filluar të shqyrtojnë me kujdes atë që fshihet pas këtij efekti, dhe si mund ta përdorin atë në të mirë të pacientëve, dhe jo vetëm për të testuar barnat e reja. Një ditë, ju mund të zgjidhni një ilaç, duke e ditur mirë se çfarë nuk ka në të. / Discover Magazine – Bota.al