Kuriozitete

Misteri i motrave Papin, dy “vrasëseve të pamundura”

Screen Shot 2015-08-17 at 16.56.10Dy motra në shërbim në një familje të respektuar në Le Mans (Francë) vrasin “zonjën” e tyre dhe bijën e saj. Një klasë e tërë intelektualësh (me në krye filozofin Jean-Paul Sartre) ulërasin ndaj vrasjes që bëhet simbol i dorës së shërbëtorit kundër padronit. Eshtë kjo sinteza e çështjes së Christine dhe Lea Papin, që në 2 shkurt 1933 vranë në shtëpinë e saj, në adresën “Rue Labruyere, Nr 6”, Madame Lancelin dhe bijën e saj Genevieve.

Skena që policët gjetën para syve ishte e tmerrshme: gratë ishin masakruar me goditje thikash, çekiçi e madje edhe me një mbajtëse vazosh prej bronxi. Me një makabritet të veçantë: sytë e viktimave ishin në krah të trupave, të nxjerrë nga zgavrat vetëm me forcën e gishtave. Dy vrasëset e reja në moshë (Lea ishte 21 vjeç dhe Christine 28) e që ngjanin me njëra-tjetrën si dy pika uji, u gjetën të përqafuara dhe gjysmë lakuriq në dhomën e tyre. Dhe rrëfyen menjëherë.

Në burg u ndanë menjëherë, gjë që dëmtoi rëndë gjendjen e tyre mendore, edhe ashtu të trazuar: atë të Leas, ngahera në gjurmët e të motrës, por edhe gjendjen e Christine, e cila një ditë u ndalua tamam në kohë teksa përpiqej të nxirrte sytë e saj. Në proces – i cili nuk sqaroi asnjëherë nëse vrasja e dyfishtë kish qenë e paramenduar dhe pasojë e ngacmimeve të pësuare nga dy motrat – ato u gjykuan fajtore.

Christine, e dënuar me vdekje (më pas zbritur në dënim me burg të përjetshëm) vdiq në burg në vitin 1937, ndërkohë që Lea, e dënuar me 10 vite burgim, doli pas tetë vitesh. Gjurmët e saj u humbën, edhe pse në vitin 2000 regjisori francez Claude Ventura u betua se e kish gjetur në një azil dhe xhiroi një dokumentar. Çështja e dy motrave Papin ka bërë që të derdhen lumenj me bojë në përpjekjet për ta përshkruar: atyre u janë dedikuar libra, traktate psikologjie, filma dhe pjesë teatrore./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button