Guaska ishte thyer, por brenda ishte bosh.
Në tre sitet bërthamore iraniane të Fordow, Natanz dhe Isfahan – të bombarduara nga Izraeli, më pas nga Shtetet e Bashkuara dhe dje sërish nga Izraeli – nuk kishte 408.6 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 60 për qind, që në muajin maj kishte trembur Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike të OKB-së. Me atë material, Republika Islamike ka mundësinë të ndërtojë bombën, siç pretendojnë Netanyahu dhe Trump, prandaj kërcënimi është ende i pranishëm.
Avionët izraelitë, bombat amerikane me peshë 13 tonë, raketat Tomahawk, kanë shkatërruar impiantet, në sipërfaqe dhe nën tokë, me një nivel dëmi që mund të vlerësohet vetëm me kalimin e kohës, por ndërkohë iranianët kanë zhvendosur uraniumin në vende sekrete.
Për Izraelin, kjo është arsye e mjaftueshme për të shpallur një tjetër fazë të gjuetisë ndaj thesarit radioaktiv të Iranit.
Kjo u kuptua menjëherë pas sulmit amerikan. Ndërsa Trump fliste për një “shkatërrim total” të objektivave dhe për “dëme monumentale”, duke theksuar misionin spektakolar në distancë të gjatë të bombarduesve B-2 Spirit, shërbimet e fshehta amerikane mbeteshin të kujdesshme në deklarata.
Në New York Times, një burim i kualifikuar tha se qeveria amerikane nuk e di se ku është depozituar uraniumi i pasuruar nga Irani.
Edhe zvpresidenti amerikan J.D. Vance, në një intervistë televizive, pranoi: “Nëse materiali i rrezikshëm është zhvendosur para sulmeve, duhet të flasim me iranianët.”
Një tjetër konfirmim vjen nga drejtori i Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike: “Më 13 qershor, Teherani i dërgoi një letër IAEA-s për të sinjalizuar se do të miratonte masa të veçanta për mbrojtjen e pajisjeve dhe të materialit bërthamor,” shpjegoi Rafael Grossi, duke shtuar se tani duhet të kërkojë nga Republika Islamike lejen që inspektorët të shkojnë dhe të verifikojnë vendin ku është depozituar uraniumi.
Po ku ndodhet ai?
Dhe si mund ta neutralizojë Izraeli këtë rezervë uraniumi, ndërkohë që, sipas ekspertëve të armatimeve bërthamore, regjimi iranian në laboratorët e Fordow mund të kishte arritur të pasuronte uraniumin në nivelin 90 për qind (pra në kufirin për prodhimin e një bombe) brenda vetëm tre javësh.
“Kemi një pistë interesante se ku mund të ndodhen ato 400 kilogramë,” deklaron Netanyahu, duke iu referuar informacioneve të inteligjencës që Mossad-i nuk do të ngurrojë t’i përdorë për të gjurmuar rezervat, për t’i kontrolluar dhe, nëse është e nevojshme, për të ndërhyrë.
Sipas imazheve satelitore, janë parë 16 kamionë në hyrje të objektit në Fordow, dy ditë para sulmit amerikan, ndaj mund të supozohet se ato janë përdorur për të zhvendosur uraniumin.
A janë ndjekur ato mjete deri në destinacion? Nuk është e qartë nëse kamionët janë përdorur për transportimin e uraniumit, pasi për këtë nevojiten mjete më të vogla, duke qenë se materiali ndodhet në formë pluhuri dhe ruhet në cilindra metalikë.
Ashtu siç mbetet ende mister “sajti nëntokësor bërthamor” prej 10 mijë metrash katrorë, i ndërtuar brenda një mali afër Natanz-it,” për të cilin flasin iranianët.
“Pothuajse me siguri ekzistojnë laboratorë sekretë për të cilët nuk dimë asgjë,” thotë profesori Jeffrey Lewis nga Middlebury Institute of Monterey, studiues i programit të mos-përhapjes bërthamore.
Përveç rrjetit të spiunitazhit, në gjuetinë për thesarët radioaktivë të Iranit, Izraeli mund të mbështetet edhe në një avion të posaçëm amerikan: WC-135 Constant Phoenix.
Ky është një avion i përshtatur për të zbuluar radioaktivitetin në ajër. Modelet më të fundit janë në gjendje të identifikojnë edhe gjurmët më të vogla. Ai ndjek lëvizjet në hapësirën ajrore mbi objektiva të dyshimta. Një burim ushtarak pohon se një WC-135 ndodhet prej një muaji në Arabinë Saudite – gjë që është konfirmuar edhe nga kanali rus Topwar – por nuk ka ende konfirmime zyrtare.
Duhet thënë gjithashtu se thesari radioaktiv i Iranit nuk është vetëm uraniumi i pasuruar në nivelin 60 për qind. Në raportin e fundit të muajit maj, IAEA vlerëson se Irani zotëron 274 kilogramë uranium të pasuruar në nivelin 20 për qind, 5.5 tonë uranium të pasuruar në 5 për qind, dhe 2.2 tonë uranium të pasuruar në vetëm 2 për qind.
“U detyruam të ndërhynim ushtarakisht,” – thotë Netanyahu – “sepse Teherani, pas vrasjes së Nasrallah-ut në Bejrut në shtator, po nxitonte drejt ndërtimit të bombës.”
Kjo nuk përputhet plotësisht me raportin e IAEA-s, i cili konstaton një rritje të pazakontë në prodhimin e uraniumit të pasuruar në 60% (166 kg më shumë në tre muaj), dhe që për herë të parë në 20 vjet e kritikon Iranin për shkelje të Traktatit për Mos-Përhapjen Bërthamore.
Por, në të njëjtën kohë, raporti nuk përmban elementë që të provojnë se Irani po ndërton një bombë. “Nuk duam një Iran bërthamor, as nuk duam shtete të tjera me armë bërthamore,” – deklaron drejtori i IAEA-s, Rafael Grossi.
Megjithatë, parlamenti iranian është duke diskutuar një projektligj që do të ndërpriste bashkëpunimin me Agjencinë Atomike të Kombeve të Bashkuara. / bota.al