Nga Fareed Zakaria
Vladimir Putini e ka zalisur krejt establishmentin amerikan të politikës së jashtme. Një editorialist admiron “vendosmërinë” e e ka vendosur atë “në vendin e shoferit” në Lindjen e Mesme. Një diplomat veteran, vëren seriozisht se “është dobësimi më i madh që nga Lufta e Dytë Botërore, për ndikimin dhe angazhimin e SHBA në rajon”. Një opinionist mendjekthjellët deklaron: “Që nga fundi i Luftës së Ftohtë, një çerek shekulli më parë, Rusia nuk ka qenë kaq e vendosur, dhe SHBA kaq e urtë”.
Eshtë e vërtetë që ka kaluar një çerek shekulli, që kur Moska ka qenë kaq intervencioniste jashtë kufijve të saj. Herën e fundit që bëri kësi lloj lëvizjesh, në fundin e viteve 1970 dhe në vitet 1980, ajo pushtoi Afganistanin dhe ndërhyri edhe në disa shtete të tjerë. Atëherë, komentatorët i përcollën ato veprime, si shenja që Moska po e fitonte Luftën e Ftohtë. Po, si shkoi Bashkimi Sovjetik?
Elitat e politikës së jashtme në Uashington, kanë zhvilluar një mënyrë të menduari, që ngatërron aktivitetin me arritjet. Ata supozojmë se çdo krizë në botë, mund dhe duhet të zgjidhet përmes një ekspozimi të fuqishëm të fuqisë amerikane. Dështimi për ta bërë këtë konsiderohet pasivitet dhe prodhon dobësi. Sipas kësaj logjike, Rusia dhe Irani janë zotërit e rinj të Lindjes së Mesme. Nuk ka rëndësi, që këta vende po përpiqen dëshpërimisht të mbajnë në këmbë një aleat që po fundoset. Klientët e tyre, alavitët e Sirisë, janë një regjim pakice – përfaqësojnë vetëm 15 % të popullsisë – dhe kanë përballë kryengritje të rrezikshme, që mbështeten nga pjesë të mëdha të popullsisë. Irani po shpenzon shumë në Siri. Dhe nëse Rusia e Irani fitojnë, edhe përkundër të gjithë parashikimeve, ata fitojnë Sirinë – që në fakt është një kusi që zien, dhe jo një shpërblim. Shtetet e Bashkuara kanë qenë për 14 vjet në “vendin e shoferit” në Afganistan. A e ka forcuar kjo gjë Amerikën?
Në vitet 1870 dhe 1880, fuqitë më të mëdha të Europës luftonin për të fituar influencë në Afrikë, e fundmit tokë “pa zot” e globit. të gjitha, përveç një shteti: Gjermanisë. Kancelari i saj i hekurt, Otto von Bismarck, besonte se ndërhyrje të tilla do ta shteronin fuqinë e Gjermanisë, dhe do të largonin fokusin e saj, nga sfidat kryesore strategjike. Kur i treguan një hartë të kontinentit, për ta joshur, ai u përgjigj: “Harta juaj e Afrikës është shumë e mirë, por harta ime e Afrikës qëndron në Europë. Këtu është Rusia dhe këtu është Franca, dhe ne jemi në mes. Kjo është harta ime e Afrikës”.
Imagjinoni sikur intervencionistëve të sotëm do t’u dilte e tyrja, dhe Presidenti Obama do të rriste forcat, dhe regjimi i Asadit do të rrëzohej. Cili do të ishte rezultati? Ja disa ide. Uashingtoni rrëzoi regjimin e Sadam Huseinit në Irak (fqinji i Sirisë, me pak a shumë të njëjtat ndarje fisnore dhe sektare). SHBA bëri shumë më tepër në Irak, nga sa po i kërkojnë të bëjë në Siri, duke vendosur 170 mijë trupa në terren, dhe shpenzuar 2 trilionë dollarë. E megjithatë, ajo që pasoi ishte një katastrofë humanitare – me afro 4 milionë civilë të zhvendosur dhe të paktën 150 mijë të vrarë.
Uashingtoni rrëzoi regjimin e Muamar Gedafit në Libi, por vendosi që t’ua lërë vendasve shtet-ndërtimin. Rezultati ka qenë ai që Nju Jorket e quan një “djerrinë”. Në Jemen, SHBA mbështeti ndryshimin e regjimit dhe zgjedhje të reja. Rezultati: një luftë civile, që po e ndan vendin më dysh. Ata që ndihen kaq të sigurtë se kjo ndërhyrje e ardhshme do të shpëtojë jetë, duhet që të ndalin për një moment, dhe të mendojnë për pasojat humanitare të tre ndërhyrjeve të fundit.
Në biografinë nteligjente që Niall Ferguson ka shkruajtur për jetën e hershme të Henry Kissingerit, u befasova se sa shumë, gjendja e sotme shpirtërore i ngjan asaj të viteve pesëdhjetë. Ne tani mendojmë për atë dekadë, si një moment kur Amerika arriti lartësi të mëdha, por në atë kohë, elitat e politikës së jashtme amerikane ishin të dëshpëruara se Uashingtoni ishte pasiv dhe i paralizuar përballë aktivizmit sovjetik. “Edhe 15 vite të tjerë, përkeqësimi të pozicionit tonë në botë, shkruante Kissingeri në hapjen e librit të tij “Domosdoshmëria e zgjedhjes”, dhe do të reduktohemi në Fortesën Amerikë, në një botë ku do të jemi bërë shumë të parëndësishëm”. Pak vite më herët, në librin që nisi karrierën e tij, “Armët bërthamore dhe politika e jashtme”, Kissingeri kishte mbrojtur përdorimin taktik të armëve bërthamore, si një mënyrë për t’iu përgjigjur aktivizmit sovjetik. Dhe mendoni që Kissingeri ishte një prej më mendjekthjellëve dhe inteligjentëve.
Vitet pesëdhjetë ishin të mbushur me ata që, të parë në retrospektivë, janë propozime të rrezikshëm, që synonin të demonstronin forcën e SHBA – duke përfshirë rrëzimin e Gamal Abdel Nasserit të Egjiptit, konfrontimet ushtarake në Hungari dhe përdorimin e armëve bërthamore në rastin e Taivanit. Opinionistët ishin të tërbuar, që Vietnami verior dhe Kuba ishin bërë komunistë, ndërkohë që SHBA rrinte e vështronte.
Në mesin e gjithë këtyre thirrjeve për veprim, një burrë, presidenti Dwight Eisenhower, ruajti qetësinë, edhe pse i shkaktoi rënie të popullaritetit. (Administrata Kennedy/Johnson i dha fund pasivitetit, sidomos në Kubë dhe Vietnam, me rezultate katastrofikë). Unë besoj se pas disa dekadash, të gjithë do të jemi të kënaqur që Obama zgjodhi rrugën e Eisenhoëerit si fuqi globale, dhe jo atë të Putinit. /The Washington Post