Mjekët në Kanada po rekomandojnë që të gjithë të vendosin një maskë jo-mjekësore kur largohen nga shtëpia, veçanërisht kur distancimi shoqëror mund të mos jetë i mundur.
“Nga këndvështrimi ynë, është një shtresë e shtuar mbrojtjeje. Është që ju të mbroni të tjerët. Pra, nëse ne jemi dy njerëz që kemi vendosur maska, unë po ju mbroj juve dhe ju po më mbroni mua. Sa më shumë njerëz dalin jashtë në komunitet, ju mund ta imagjinoni se do të ketë më shumë njerëz në transportin publik, “tha Dr Theresa Tam në një konferencë shtypi në Otava, duke shtuar se do të jetë e vështirë të përcaktoni kur duhet apo kur mundeni të mbani distancë sociale, kështu që është më mirë të vendosni një maskë.
Rekomandimet e Kanadasë për maska kanë ndryshuar gjatë disa javëve të fundit me direktivat e hershme në mars ku thuhej se maska nuk luajti një rol të rëndësishëm në kontrollin e transmetimit të Covid-19. Tam tha se nuk kishte keqardhje për ato rekomandime të hershme, duke thënë se shkenca mbi virusin po evoluon çdo ditë. ” Kemi marrë më shumë prova në lidhje me individët asimptomatikë dhe para-simptomatikë, megjithëse ne nuk e kuptojmë plotësisht rolin e tyre në transmetim, maska është një shtresë e shtuar e mbrojtjes,” tha Tam. Kryeministri Kanadez Justin Trudeau tha të mërkurën se ai do të vendosë maskë sa herë të dalë nga shtëpia e tij dhe kur ai nuk mund të distancohet në mënyrë sociale për të mbrojtur veten dhe të tjerët.
Tam shkoi një hap më tej dhe sugjeroi që vendosja e maskave së shpejti mund të bëhet një normë sociale dhe kulturore në Kanada, me gjithnjë e më shumë njerëz të hapur për të vendosur maska kur janë në publik. ” Kanadezët, duhet ta mendojnë që unë po të mbroj ty dhe ti po më mbron mua, është një koncept shumë i rëndësishëm. Ne duhet të fitojmë përsëri besimin e publikut kanadez dhe duhet t’i bindim se që të gjithë duhet të vendosin maska” tha Tam. CNN / bota.al