Bota

Mjeranët e Trampit

screen-shot-2016-10-13-at-09-34-05

Nga Ian Buruma*

Nju Jork – Hilari Klintoni, kandidatja demokrate për presidente e SHBA, i cilësoi kohët e fundit mbështetësit e kundërshtarit të saj, Donald Tramp, si një “tufë mjeranësh”. Nuk qe një frazë as me takt dhe as elegante, dhe ajo kërkoi më vonë falje për komentin e saj. Por, kishte në fakt më shumë të drejtë se sa gabim. Trampi ka tërhequr rreth vetes shumë përkrahës, pikëpamjet e të cilëve për shembull mbi racën, janë me të vërtetë mjerane. Problemi është se shumë prej këtyre votuesve mjereranë, janë gjithashtu relativisht të paarsimuar, çka e bën të duket snobe kritikën e Klintonit. Fatkeqësisht, në Shtetet e Bashkuara ka shumë njerëz relativisht të paarsimuar. Në mesin e vendeve të zhvilluara, SHBA-ja renditet shumë poshtë në aspektin e shkollimit, njohurive të përgjithshme, dhe shkencës. Japonezët, koreano-jugorët, hollandezët, kanadezët, dhe rusët qëndrojnë vazhdimisht në krye. Ky është të paktën pjesërisht rezultat i lënies së edukimit logjikës së tregut: ata që kanë para janë të mirëarsimuar, dhe ata me mjete të pamjaftueshme jo të arsimuar sa duhet.

Deri më tani, duket qartë që Klintoni u drejtohet votuesve të mirë-arsimuar urbanë, ndërsa Trampi tërheq njerëzit kryesisht më pak të arsimuar të bardhë, shumica e të cilëve në gjeneratat e mëhershme do të kishin qenë minatorë qymyri, ose punëtorë të industrisë, votues të demokratëve. (bota.al)

A do të thotë kjo se ekziston një lidhje ndërmjet arsimimit – ose mungesës së tij – dhe joshjes ndaj një demagogu të rrezikshëm? Një nga gjërat më të spikatura rreth Trampit, është shtrirja e injorancës së tij, pavarësisht nga arsimi i tij i lartë, si dhe faktit që ai duket se ka përfituar nga kapardisja me këtë status. Ndoshta është më e lehtë për një injorant zulmëmadh të bindë një numër të madh njerëzish, njohuritë e të cilëve mbi botën janë po aq minimale, sa edhe të tijat. Por duhet pranuar se çështjet faktike kanë rëndësi të dorës së dytë në retorikën e një agjitatori populist.

Shumica e përkrahësve të tij, nuk duket se shqetësohen shumë për argumentin e arsyetuar – që është për snobët liberalë. Emocionet peshojnë më shumë, dhe janë këto të fundit që manipulojnë më së pari demagogët, në SHBA dhe gjetkë, është frika, zemërimi dhe mosbesimi. Kjo ishte e vërtetë edhe në Gjermani, kur Hitleri u ngjit në pushtet.

Por në ditët e para, Partia Naziste nuk e pati pjesën më të madhe të mbështetjes në mesin e më pak të arsimuarve. Gjermania qe më shumë e arsimuar se sa vendet e tjera, dhe nazistët më entuziastë përfshinë në parti mësuesit e shkollave, inxhinierët, dhe mjekët, si dhe biznesmenë të vegjël të provincave, punëtorët jakë-bardhë dhe fermerët. Në përgjithësi punëtorët e fabrikave urbanë dhe katolikët konservatorë, qenë më pak të prirur për të besuar retorikën e Hitlerit, se sa shumë protestantë me arsim më të lartë.

Standardet e ulëta arsimore nuk e shpjegojnë rritjen e Hitlerit. Frika, pakënaqësitë u rritën në nivele të mëdha në Gjermaninë e Vajmarit, pas poshtërimit që solli humbja e luftës dhe në mesin e një depresioni ekonomik shkatërrues. Por paragjykimet racore të nxitura nga propagandistët nazistë, nuk qenë të njëjta me ato që shohim sot në mesin e shumë përkrahësve të Tramp.

Hebrenjtë shihen si një forcë ogurzezë që po dominon profesionet elitare: bankierë, profesorë, avokatë, media, apo industrinë e argëtimit. Ishin ata që punon në prapaskenë që e penguan Gjermaninë nga të qenit sërish e madhe. Mbështetësit e Trampit janë duke shfaqur një armiqësi të ngjashme kundër simboleve të elitës, të tilla si bankierët e Uoll Stritit, mediave “tradicionale”, dhe të brendshmit e Uashingtonit.

Por, ksenofobia e tyre është e drejtuar kundër emigrantëve të varfër meksikanë, zezakëve, apo edhe refugjatëve të Lindjes së Mesme, të cilët perceptohen si parazitë që privojnë amerikanët ndershëm (të bardhë) dhe u zënë vendin që u takon në rendin shoqëror në SHBA.  Kjo është një cështje e njerëzve relativisht të paprivilegjuar në një botë gjithnjë e më të globalizuar dhe multi-kulturore, duke shprefur mllef edhe ndaj atyre që janë më pak të privilegjuar.

Në SHBA sot, si në Republikën e Vajmarit dikur, të pakënaqurit dhe të frikësuarit kanë kaq pak besim tek institucionet mbizotëruese politike dhe ekonomike, sa që shkojnë pas një udhëheqësi që premton përçarje maksimale. Shpresohet se duke pastruar mbeturinat, do të rrikthehet madhështia. Në Gjermaninë e Hitlerit, kjo shpresë ekzistonte në mesin e të gjitha klasave, qofshin elitë apo njerëz të thjeshtë.

Në Amerikën e Tramp, ajo lulëzon kryesisht në mesin e këtyre të fundit. Në SHBA dhe Evropë, bota e sotme duket më pak e frikshme për votuesit më të pasur e më të mirë-arsimuar, të cilët përfitojnë nga kufijtë e hapur, krahu i lirë i punës së emigrantëve, teknologjia e informacionit, dhe një përzierje e pasur e ndikimeve kulturore. Ngjashëm, emigrantët dhe minoritetet etnike që kërkojnë të përmirësojnë gjendjen e tyre, nuk kanë asnjë interes t’i bashkohen një rebelimi populist të drejtuar kryesisht kundër tyre, çka është arsyeja pse ata do të votojnë për Klintonin.

Trampi detyrohet kësisoj të mbështetet tek amerikanët e bardhë të pakënaqur, të cilët mendojnë se ata janë duke u lënë pas dore.  Fakti që mjaft njerëz ndihen në këtë mënyrë, për të mbështetur një kandidat të tillë të papërshtatshëm për president, përbën një denoncim ndaj shoqërisë amerikane. Kjo ka të bëjë me arsimin, jo për shkak se njerëzit e mirë-arsimuar janë të imunizuar nga demagogjia, por për shkak se sistemi i arsimit të lartë lë shumë njerëz në disavantazh.

Në të kaluarën, ka pasur vende te mjaftueshme pune në industry, në mënyrë që votuesit më pak të arsimuar të mund të bënin një jete më të mirë. Tashmë që këto lloj punësh janë zhdukur në shoqëritë post-industriale, shumë njerëz mendojnë se nuk kanë asgjë më shumë për të humbur. Kjo është e vërtetë në shumë vende, por ajo që ka me tepër rëndësi në SHBA, ku ngjitja në pushtet e një demagogu do t’i shkaktonte një dëm të madh jo vetëm këtij vendi, por të gjitha vendeve që janë duke u përpjekur të ruajnë liritë e tyre, në një botë gjithnjë e më të rrezikshme.

www.bota.al / Botuar ekskluzivisht nga bota.al me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – Trump’s Deplorables

Leave a Reply

Back to top button