Histori

MJESHTRAT E “ERRESIRES” / Dr. John Dee, “magjistari” që frymëzoi Shekspirin dhe Marloun

Cilët kanë qenë individët më të famshëm mbi Tokë? Histori thuajse të pabesueshme të njerëzve aventurat seksuale të të cilëve, bashkë me fikrimin pas magjisë dhe ideve radikale, i bënë të frikshëm për bashkëkohësit, si dhe u siguruan një vend në kulturën moderne

Screen Shot 2015-06-08 at 11.55.04 AM

Disa thonë se gjenia e Dr. John Dee e bëri atë të luajë mendsh dhe të gabojë, të tjerë besojnë se ai ishte i lidhur me engjëj dhe djaj. Dee shkaktoi shumë zhurmë në Evropën e shekullit 16 me “bashkëbisedimet ëngjëllore”, dhe ai frymëzoi personazhin e Prosperos tek “Stuhia” e Uilliam Shekspirit, si dhe personazhin kryesor tek vepra “Dr. Fausti” e Kristofer Marlou. Por a ishte Dee vërtetë një magjistar i shpirtërave të ligj dhe të mallkuar, apo thjeshtë viktimë e një mashtruesi?

Premtimi i hershëm

Kur ishte ende fëmijë, u bë e qartë se John Dee ishte një student i veçantë. Në moshën 15 vjeçare, ai zuri një vend në kolegjin Shën Xhonit në Universitetin e Kembrixhit dhe shumë shpejt ndërtoi një reputacion si matematicien, filozof dhe astrolog. Aftësitë e tij qenë kaq të famshme, saqë në fillim të të njëzetave ai nisi të krijojë grafkë astrologjikë për Meri Tudorin, Mbretëreshën e egër katolike që hipi në fron në vitin 1553.

Por Dee jetoi në një kohë kur supersticioni dhe frika nga e mbinatyrshmja ishin të kudondodhura dhe kur ai bëri gabimin duke i paraqitur Mbretëreshës një horoskop të papëlqyeshëm, ajo e akuzoi për magji dhe e burgosi në Burgun Hampton. Fatmirësisht, Meri u zbut dhe e liroi por ky incident nisi një zakon arrestimesh dhe lirimesh sipas tekave të mbretëreshës. Nuk është habi që Dee nisi në fshehtësi të zhvillojë interesin për të mistershmen.

Në 1558, fati i tij pësoi një përmbysje. Meri vdiq dhe Elisabeta protestane hipi në fron, duke u konsultuar menjëherë me Dee për datën më të mirë astrologjike për kurorëzimin e saj. I çliruar nga Meri shumë dyshuese, Dee nisi të gërmojë gjithnjë e më thellë në botën e shpirtërave. Atij i ra në dorë një kopje e Stenografia, një tekst i shkruajtur në vitet 1400 nga një murg gjerman me emrin Trimetius. Libri pati një efekt shumë të thellë mbi të, pasi përmbante informacione për numra magjikë, shifra dhe simbole. Më e rëndësishmja, ai fliste për magjinë e ëngjëjve. Dee, i pangopur nga dijet për botën e përtejme u magjeps.

Hyn Eduard Kellej

Në 1581, 3 vjet pas martesës së tretë, Dee nisi të flasë për shumë ëndrra të çuditshme dhe zhurma shqetësuese në shtëpinë e tij. I bindur se shpirtërat po përpiqeshin ta kontaktonin ai nisi të hedhë fallë me kristalin magjik, për të komunikuar me ta. Një vit më vonë, Dee u takua me një irlandez me emrin Eduard Talbot, një shtrigan dhe alkimist. Dee, tashmë i bindur që ëngjëjt kishin zgjedhur atë si mesazherin e tyre, i tregoi Talbotit një sferë të kristaltë. Talbot rezultoi një njeri i lindur për këtë dhe nisi të transmetojë mesazhe ëngjëllorë për Dee, i cili hidhte në letër çdo detaj me një ngacmim që sa vinte e rritej. Pak pas takimit të tyre, Talbot ndryshoi mbiemrin në Kellej, ndoshta në një përpjekje për të fshehur të kaluarën e tij kriminale. Megjithatë, Dee nuk qe aspak i shqetësuar. Ai donte aq shumë të vazhdonte bashkëbisedimet me ëngjëjt dhe bindi Kellejin të vazhdonte të lexonte sferën e kristaltë.

Engjëj apo djaj?

Në 1583, Dee dhe Kellej prodhuan atë që do të qe trashëgimia e tyre më jetëgjatë – Liber Logaeth, apo Librin e Enokës. Ky përmbante një gjuhë të diktuar nga engjëjt, e përbërë nga një seri kuadratësh që përmbanin gërma dhe numra. Engëjt i thanë Dee se, kur të përfundonte, libri do t’i ofronte të vërtetën e përsosur nga Perëndia.

Pavarësisht këtij premtimi, Dee kishte shumë vështirësi financiare dhe ai nisi të pyesë ëngjëjt për pasurinë, por “mori” një paralajmërim të fortë që të mos vihej në ndjekje të parasë. Kellejit nuk i pëlqeu kjo, pasi interesi i tij kish qenë gjithmonë për më shumë pasuri se sa në përgjigjet hyjnore. Ai nisi të ankohet fuqimisht. Për ta detyruar që të vazhdonin seancat e tyre, Dee nisi t’i paguajë një rrogë Kellejit. Ndërsa bashkëbisedimet me ëngjëjt vazhduan, Kellej nisi të përjetojë kriza terrori. Ai u bë tashmë i sigurtë se ëngjëjt ishin në fakt forca të errëta dhe demonë. Por Dee ishte aq i dhënë, saqë pavarësisht lodhjes së Kelejt dhe krizave të terrorit, puna vazhdoi.

Eshtë e vështirë të mësosh se çfarë ndodhi realisht në seancat e Dee dhe Kellej. Niveli i përqëndrimit që i kërkohej Kellejit ishte shumë i madh dhe ndoshta intensiteti i seancave të leximit të sferës së kristaltë shkaktoi manira. Ose ndoshta, siç sugjerohet shpesh, Kellej ishte duke mashtruar Dee-në. Cilido qoftë realiteti, doktori besonte verbërisht dhe kur një ëngjëll i ri me emrin Madini i paralajmëroi se Sër Francis Ualsingham, kryespiuni i Mbretëreshës Elisabetë kish nisur të dyshojë për veprimtarinë e tyre, Dee dhe Kellej u arratisën për në Poloni.

Miti në mërgim

Në fillim të 1584, ëngjëjt zbuluan një mision për Dee. Ai duhej të vzitonte Perandorin e Shenjtë Romak, Rudolfin II në Pragë. Pasi të shkonte atje, ai duhej t’i thoshte atij se ishte i lig. Kaq shumë besonte Dee në leximin e sferës prej Kellej, saqë u bind duke i thënë mbretit që të ndryshonte, ose Perëndia do t’i vendoste shkelmin në gjoks dhe do ta varroste. Eshtë një mrekulli që Rudolfi nuk e ekzekutoi, por në një vizitë të mëvonshme Dee i tha gjithashtu se ëngjëjt i kishin premtuar sekretet e Gurit Filozofik. Kjo, mbi gjithë të tjerat, duhet ta ketë bindur Rudlfin ta lërë të gjallë.

Dee kish gjithmonë vështirësi me paratë, dhe për shumë vite kish qenë i obsesionuar pas gjetjes së Gurit Filozofik. Kur Papa deklaroi me zë të lartë akuzat e tij për herezi dhe magji të zezë kundër Dee në 1586, Rudolfi i mundësoi Dee dhe Kellejit që të fshiheshin bashkë me mikun e tij Vilem Rozemberk në Trebon, për të praktikuar alkiminë. Duket se Perandori Romak e donte shumë Gurin Filozofik. Dee dhe Kellej nisën të praktikojnë alkiminë shumë seriozisht dhe Arturi, djali i Dee, më vonë deklaroi se ata kishin arritur gjatë kësaj periudhe të transmetonin metalet bazë në flori.

Dee dhe Kellej vazhduan gjithashtu leximet e sferës së kristaltë, por Kellej po shfaqte sërish shenja lodhjeje dhe ëngjëjt po bëheshin shumë më të errët dhe shqetësues. Edhe një herë, Kellej shfaqi frikën se mos kishin të bënin me demonë por Dee e bëri sërish veshin të shurdhët.

Kërkesa shqetësuese

Engjëjt nuk u kishin dhënë ende çelësin e fundit për gjuhën Enokiane, por në prill 1587 ata bënë një kërkesë trazuese. Kellej i tha Dee se atyre u kërkohej të shkëmbenin bashkëshortet, një mëkat që do të dënonte me ferr të përjetshëm shpirtërat e të dyve. Duke kujtuar që Abrahami flijoi birin e tij për Perëndinë, Dee ra dakord. E shoqja e tij, Jane, e cila e urrente Kellejin, ishte aspak e lumtur me këtë ide, aq më shumë pasi mbeti shtatzënë. Shkëmbimi i grave ndryshoi gjithashtu marrëdhënien e të dyve dhe ata më në fund u ndanë kur Dee dhe familja e tij u kthye në Angli.

Gajtë jetës së tij, Dee shkroi një total prej 79 dorëshkrimesh por periudha që kaloi me Kellejin ka lënë në hije shumë prej arritjeve të tjera të tij. Kur Elisabeta I vdiq në vitin 1603, pasardhësi i saj, James I ishte thellësisht kundër çdo forme të magjisë dhe kërkimi i Dee për dije hyjnore mori fund. Pas vdekjes së Jane, ai u tërhoq në Mortlake, fshat i lindjes, dhe vdiq në varfëri në vitin 1608, duke mos përfunduar dot kurrë gjuhën Enokiane apo duke mor marrë asnjëherë dijen që ëngjëjt sipas tij i kishin premtuar. Megjithatë, legjenda e tij nuk u shua, dhe çelësat e tij enokianë përdoren nga praktikuesit e magjisë edhe sot e kësaj dite.

NE FJALET E TIJ

“John Dee, unë jam Rafael, një prej të bekuarve dhe Engjëjve të zgjedhur të të Gjithëpushtetshmit dhe me vullnetin dhe dëshirën e tij, ai më ka urdhëruar që të shfaqem këtu tani, për të paraqitur vullnetin dhe dëshirën e Zotit të Gjithëpushtetshëm. Kështu që, nëse do të bësh ashtu si Zoti të urdhëron me anë të këtij mesazhi, ti do të kesh të gjithë këta mesazhe, premtime dhe dije, si Gurin Filozofik, ashtu edhe librin e Shën Dunstan, dijen e fshehtë të atij margaritari që është dhënë, sic e di ti, në atë mënyrë që dihet”.

(Nga Ditari i John Dee i eksperimenteve me ëngjëjt) /Bota.al

 

Leave a Reply

Back to top button