Covid19 speciale

Mos u shqetësoni, jini të lumtur: Ja si gjendja juaj shpirtërore mund të ndikojë tek efektet e vaksinës anti-Covid

Nga David Robson

Flini mirë. Merrni kohë për t’u çlodhur. Kontaktoni me miqtë dhe familjen tuaj. Gjëra të tilla do të ishin të këshillueshme në çdo kohë. Por ato mund të jetë veçanërisht të rëndësishme gjatë muajve të ardhshëm.

Sipas një numri provash në rritje, gjendja jonë psikologjike mund të ndikojë shumë në reagimin e sistemit imunitar ndaj një vaksine të re, përfshirë zhvillimin e antitrupave mbrojtës që do të na ndihmojnë të shmangim infeksionin e Covid-19.

Ne tashmë e dimë se faktorët fizikë, siç është indeksi i masës trupore, mund të kenë një efekt të menjëhershëm në efikasitetin e vaksinës. Për shembull, në fund të shkurtit një studim mbi punonjësit e kujdesit shëndetësor në Itali, zbuloi se mbipesha e pengonte ndjeshëm përgjigjen e antitrupave ndaj vaksinës Pfizer/BioNTech.

Por bazuar në kuptimin tonë mbi vaksinat e ndryshme ndaj sëmundjeve të tjera, është e qartë se shëndeti ynë mendor dhe nivelet e përgjithshme të stresit, do të luajnë gjithashtu një rol shumë të rëndësishëm. “Ekziston një spektër i gjerë mendimesh se cilat gjëra mund të ndihmojnë ose dëmtojnë sistemin imunitar”- thotë profesor Daniel Dejvis, imunolog në Universitetin e Mançesterit, Angli.

“Por shumica e shkencëtarëve bien dakord se stresi ka një efekt të rëndësishëm”-shton ai.

Por cilat janë provat? Dhe si mund ta përdorim këtë informacion? Profesoreshë Xhenis Kikolt-Glejzër nga Fakulteti i Mjekësisë në Universitetit Shtetëror të Ohajos, SHBA, ka qenë pioniere e shumë kërkimeve.

Në vitet 1990, ajo ekzaminoi një grup studentësh të mjekësisë që u vaksinuan kundër hepatitit B, gjatë një serie testesh rraskapitëse. Vaksina kërkon normalisht 3 injeksione të kryera gjatë një periudhe shtatë muajsh. Por 25 për qind e studentëve nisën të zhvillojnë nivele të zbulueshme të antitrupave që pas dozës së parë, dhe tipari i tyre përcaktues ishte shqetësimi dukshëm më i ulët se sa i studentët e tjerë.

Pra, qëndrimi i tyre i qetë duket se ka nxitur një përgjigje imune më të shpejtë. Për të shqyrtuar pasojat e stresit mbi një popullatë më të vjetër, ekipi i Kikolt-Glejzër iu drejtua një grupi pjesëmarrësish të cilët po kujdeseshin për bashkëshortët e tyre që vuanim nga demenca.

Dihet që kujdesi gjatë gjithë kohës për një të sëmurë rrit në maksimum nivelin e stresit,dhe Kikolt-Glejzër zbuloi se ai e dobësoi reagimin e trupit ndaj një vaksine të gripit. Katër javë pas marrjes së dozës së parë, vetëm 38 për qind e pjesëmarrësve të stresuar, kishin shfaqur një rritje të konsiderueshme të antitrupave përkatës, krahasuar me 66 për qind tek një grup kontrolli.

Në këtë rast, pasojat e stresit ishin veçanërisht të theksuara tek pjesëmarrësit më të moshuar, që dihet se kanë në përgjithësi përgjigje imune më të dobëta. Ndërkohë, stresi mund të ketë efekte afatgjata edhe sa i përket mbrojtjes së zgjatur në kohë të vaksinave.

“Jo vetëm që duhet më shumë kohë për të zhvilluar një përgjigje klinikisht mbrojtëse ndaj vaksinës; por stresi kronik duket se e minon edhe reagimin e antitrupave”- thotë Ananaliza Medison, psikologe klinike në laboratorin e Kikolt-Glejzër, që së fundmi është bashkë-autore e një studimi ku përshkruhen pasojat e pandemisë së Covid-19.

“Kësisoj imuniteti mund të mos zgjasë dhe aq gjatë, dhe kjo situatë mund të kërkojë vaksinime më të shpeshta për të ruajtur imunitetin”- shton ajo. Ç’është më e keqja, stresi duket se e dëmton veprimin e qelizave T, të cilat formojnë një linjë tjetër të rëndësishme të mbrojtjes kundër sëmundjeve.

Efektet e stresit, mund të varen nga mekanizmat tanë personalë të përballimit të situatave. Duke pyetur kujdestarët e të afërmit në lidhje me modelet e tyre të të menduarit, profesoreshë Suzan Sexherstrom në Universitetin e Kentakit, SHBA, zbuloi se pesimizmi mund të forcojë ndikimin e stresit në sistemin imunitar, krahasuar me njerëzit që janë më të afta shpërqendrojnë mendjen me tema më neutrale.

Në përgjithësi, njerëzit me personalitete neurotike, kanë tendencë të shqetësohen më gjatë për shqetësimet e tyre personale. Dhe kjo prirje duket se e dëmton shëndetin e tyre në mënyra të shumta, përfshirë një kapacitet të reduktuar ndjeshëm për të ndërtuar një mbrojtje afatgjatë pas marrjes së vaksinës së gripit.

Gjithashtu, reagimi ynë ndaj një vaksine mund të varet edhe nga gjumi, që shpesh prishet nga stresi. Në një eksperiment të vitit 2003, një grupi të rinjsh iu kërkua të qëndronin zgjuar për 36 orë pasi mori vaksinën kundër hepatitit A.

Një muaj më vonë, u zbulua se numri i antitrupave tek ata ishte rreth sa gjysma e një grupi që u lejua të flejë normalisht natën pas vaksinimit. I njëjti rezultat është vërejtur në shumë grupe të moshave të tjera. Duke vëzhguar të rriturit e moshës së mesme që morën vaksinën e hepatitit B, një ekip studiuesish në Universitetin e Pitsburgut, SHBA, zbuluan se çdo orë shtesë e gjumit korrespondonte me një rritje prej 56 për qind të niveleve të antitrupave. Pra, ashtu si stresi kronik edhe një gjumë i dobët duket se e bën më “harraq” sistemin imunitar, duke çuar në një mbrojtje të zvogëluar në planin afatgjatë.

Së fundmi, është edhe niveli i mbështetjes sociale që marrim. Tanimë është pranuar se vetmia mund të jetë burimi i pakënaqësisë së njeriut,duke e shtuar ndikimin e gjërave të tjera negative si varfëria. Edhe sfidat më të vogla, të përditshme, mund të përjetohen shumë keq emocionalisht,nëse nuk keni një rrjet njerëzish që ju qëndrojnë pranë.

Dhe njerëzit me rrjete shoqërore më të vogla sociale – të matura për shembull nga numri i njerëzve që kontaktojnë çdo muaj – duket se tregojnë një mbrojtje më të dobët pas një vaksine. Për arsye të ngjashme, efikasiteti i vaksinës mund të varet edhe nga cilësia e martesës suaj.

Kështu, në një studim çiftet më të lumtura kishin tendencë të tregonin përgjigje më efektive imune ndaj një vaksine të gripit, sesa ata që mendonin se nuk kishin një lidhje emocionale me bashkëshortin e tyre. Ndërsa mekanizmat e saktë pas këtyre efekteve janë ende në diskutim, shkencëtarët që studiojnë psikoneuroimunologjinë, kanë zbuluar shumë mënyra se si mendja mund të ndikojë tek trupi.

Kjo pasi dihet se hormonet e stresit si kortizoli, e prishin funksionimin e përgjithshëm të sistemit imunitar, ndaj trupi nuk arrin që të reagojë ndaj kërcënimeve në mënyrën më të përshtatshme. Gjumi i dobët dhe depresioni që buron nga stresi kronik, mund të çojnë në një inflamacion të shkallës së ulët në të gjithë trupin, që gjithashtu duket se e pengon prodhimin e antitrupave. / The Guardian – Bota.al

Back to top button
Close
Close