Shendeti

Mrekullia e koronarografisë, mënyra se si shpëtohet jeta e njeriut

Objekti në foto është angioplastika koronare. Siç mund ta shihni në foto, bëhet fjalë për ndërhyrjen në një nga arteriet koronare të prekura nga ngushtimi i krijuar prej kolesterolit në vite, të përfaqësuar në mënyrë të thjeshtë. Ky grumbullim mund të arrijë deri në mbylljen e enës, duke krijuar kështu një bllokim në kalimin e gjakut nga arteria koronare për në muskulin e zemrës. Në kushte të tilla, qelizat e muskulit të zemrës “vuajnë” për oksigjen duke dhënë një dhimbje tipike shtrënguese në gjoks, sidomos në aktivitete fizike dhe me kalimin e kohës, edhe në qetësi, derisa ena mbyllet komplet dhe jep infarkt. Në këto kushte dhimbja bëhet akoma më e fortë dhe shfaqen edhe ndryshime në EKG (shiritin e rrahjeve të zemrës).

Pas pak kohe qelizat “vdesin” (është diçka logjike, pasi u mungon oksigjeni dhe lëndët ushqyese), duke e rrezikuar deri në vdekje jetën e një personi. Për ta trajtuar këtë situatë, përmes arterieve futet një sondë (më parë bëhej vetëm nga arteria femorale, e kofshës, ndërkohë që tani bëhet dhe nga arteria e krahut, arteria brakiale), një kateter, i cili siç e shihni në figurë shkon dhe e kalon zonën e ngushtuar. Më pas aty vendoset një stent (“unazë” e njohur në gjuhën popullore), i cili garanton vazhdimësinë e rrjedhjes së gjakut.

Kjo procedurë lejon të shpëtohet jeta e një personi që rrezikon, ose që sapo ka kaluar një infarkt dhe është ende në fazën akute. Personat më të rrezikuar ndaj infarkteve janë përgjithësisht meshkujt me moshë mbi 50 vjeç, me predispozitë gjenetike, si dhe ata që konsumojnë shumë yndyrna, apo që pijnë duhan.

Back to top button
Close
Close