I vendosur përgjatë bregdetit të thyer të Adriatikut, qyteti i rrethuar me mure i Dubrovnikut në Kroaci, ka qenë prej kohësh një qendër kulturore dhe ekonomike në rajon. E megjithatë, ky qytet piktoresk ka përjetuar shumë konflikte dhe luftëra gjatë gjithë historisë së tij.
Muret aktuale të Dubrovnikut, datojnë kryesisht rreth shekullit XIV-të, por origjina e tyre është shumë më e vjetër. Besohet se ndërtimi i kalave të para me gurë gëlqerorë përreth qytetit, nisi në Mesjetën e Hershme në fund të shekullit VIII. Nga ai moment e tutje, Muret e Dubrovnikut u shtuan dhe u rindërtuan në mënyrë të përsëritur me kalimin e kohës kur u shfaqën kërcënime të reja.
Në shekujt IX dhe X, u ndërtuan mure për të mbrojtur pjesën lindore të qytetit. Kur Saraçenët (një popull arab) e sulmuan qytetit në shekullin IX-të, rrethimi zgjati 15 muaj, duke treguar se edhe në këtë periudhë të hershme qyteti ishte i mirë-fortifikuar.
Në shekullin XII-të, kanali detar që ndante qytetin nga pjesa kontinentale u mbush me dhe, dhe qyteti u bashkua me vendbanimet e tjera në brendësi të tokës. Kjo çoi në shtimin e mureve origjinale, duke formuar një mur të vetëm rreth të gjithë zonës.
Këto mure relativisht të thjeshta u zgjeruan dhe përforcuan vazhdimisht, ndërsa Dubrovniku nisi të bëhej më i rëndësishëm si një qendër tregtare dhe një fuqi detare në rajon. Pjesa më e madhe e ndërtimeve ndodhi midis shekujve XIV-XV, e nxitur nga qyteti që fitoi pavarësinë e plotë nga venecianët.
Gjatë kësaj kohe, muret u zgjeruan për ta rrethuar të gjithë qytetin, ndërsa u shtuan kulla dhe fortesa të ndryshme. Edhe muret u përforcuan shumë, duke u bërë më të trashë. Ato i mbijetuan të paprekura tërmetit të vitit 1667, por edhe shumë rrethimeve nga ushtritë osmane në shekujt XVI-XVII.
Gjatë këtyre rrethimeve, mureve të jashtme iu shtua një lloj pjerrësie, e krijuar për të shmangur zjarrin nga topat e armikut. Në fakt, muret mbetën kryesisht të paprekura deri në Luftën Kroate për Pavarësi në vitet 1990, kur serbët e bombarduan rëndë qytetin. Muret përjetuan dëmtime të mëdha, por që atëherë janë restauruar. Muret mbulojnë një zonë mbresëlënëse. Ata janë 1.940 metra të gjatë dhe deri në 25 metra të lartë. Trashësia e tyre ndryshon, por zakonisht është diku midis 4-6 metra. Janë ndërtuar kryesisht me gurët gëlqerorë vendas dhe nga gurgdhendës vendas.
Krahas vetë mureve, struktura mbrojtëse e qytetit paraqet disa kala të ndërtuara brenda vetë mureve. Pasi Kostandinopoja (Stambolli i sotëm) ra në duart e osmanëve në vitin 1453, për popullin e Dubrovnikut (ose Raguzës siç njihej atëherë) nevojiteshin më shumë struktura mbrojtëse.
Pas rënies së Bosnjës në vitin 1463, vendasit e ftuan arkitektin e famshëm nga Firence Mikeloco di Bartolomeo për të drejtuar punën për fortifikimin e mureve mbrojtëse.
Osmanët e sulmuan Dubrovnikun disa herë gjatë historisë.
Më i madhi prej tyre ndodhi në vitin 1537, me një rrethim që zgjati disa muaj, dhe që u shoqërua me sulme të përsëritura. Në fund osmanët u tërhoqën dhe Dubrovniku arriti të ruante pavarësinë e tij nga sundimi osman edhe për disa shekuj të tjerë.
Por edhe fitoret marrin fund një ditë. Në vitin 1806 në Dubrovnik mbërriti një flotë ruse, e cila kërkoi të përdorte portin për riparime dhe furnizim. Në atë kohë rusët ishin në luftë me francezët, dhe nga frika e hakmarrjes franceze, Dubrovniku refuzoi.
Në kundërpërgjigje, rusët nisën një rrethim dhe bombarduan muret e qytetit me mbi 3000 gjyle topi, të cilat shkaktuan dëme të mëdha në qytet. Në fund, disa trupa arritën të hynin në qytet, duke e plaçkitur pasurinë e tij. Qytetarët iu drejtuar për ndihmë francezëve, të cilët i dhanë fund shpejt rrethimit rus dhe qyteti u shpëtua.
Ushtria franceze, e udhëhequr nga vetë Napoleon Bonaparti hyri në qytet në vitin 1806. Por shpëtimi nga francezët ishte një thikë me dy presa. Sepse në vitin 1808, Marshalli August Dë Marmo e shfuqizoi Republikën e Raguzës, dhe e bëri atë pjesë të provincave ilirike të Perandorisë Franceze, duke e shpallur veten “Duka i Raguzës”.
Më pas në vitin 1814, qyteti u rrethua dhe bombardua nga trupat austriake dhe angleze, derisa francezët qe e drejtonin u dorëzuan. Sulmi më i fundit ndaj Mureve të Dubrovnikut, ndodhi gjatë Luftës Kroate për Pavarësi. Rrethimi nisi në tetor 1991, kur Ushtria Popullore Jugosllave (JNA) filloi një sulm masiv në Dubrovnik.
Me ndihmën edhe të forcave paraushtarake serbe, JNA shpresonte të pushtonte qytetin dhe të merrte kontrollin e një rajoni të rëndësishëm strategjik të Dalmacisë. Por mbrojtësit (kryesisht ushtarë kroatë dhe vullnetarë vendas) bënë një rezistencë të ashpër, por ishin të paktë të numër dhe të keq-armatosur.
Rrethimi zgjati disa muaj dhe muret e qytetit përjetuan bombardime dhe granatime të rënda. Shumë nga ndërtesat historike të qytetit, si pjesa e vjetër e qytetit, u dëmtuan rëndë ose u shkatërruan plotësisht. Shumë civilë u vranë ose u plagosën. Por një kundërsulm i kroatëve i dha fund rrethimit në mesin e vitit 1992.
Marrë me shkurtime nga ancient-origins – bota.al