Marrëveshja e arritur në Vjenë për reduktimin e prodhimit të përditshëm të naftës nga ana e vendeve të OPEC-it shënon një kthesë të rëndësishme për sektorin e naftës. Por mbesin disa të panjohura që mund të hedhin dritë mbi shtrirjen dhe kohëzgjatjen e vetë marrëveshjes, duke filluar nga tensionet gjeopolitike deri tek rilançimi i sektorit amerikan të naftës nga shistet
13 vendet prodhuese të naftës që i përkasin OPEC-it kanë arritur me 30 nëntor një marrëveshje të rëndësishme dhe historike për reduktimin e sasisë së prodhimit të përditshëm të naftës së tyre. Parashikohet një shkurtim i prodhimit prej 1.2 milion fuçishë në ditë duke filluar nga janari i 2017, në linjë me sa u përcaktua në mbledhjen e Algjerit të zhvilluar në muajin shtator. Falë marrëveshjes së Vjenës, prodhimi i përgjithshëm i OPEC-it do të arrijë në rreth 32.5 milion fuçi në ditë. Një reduktim në vetvete i papërfillshëm, duke qenë se bëhet fjalë për 3.6% të prodhimit të tyre dhe deri në afërsisht 1.2% të atij botëror. Por kjo nuk duhet t’ia zbehë rëndësinë marrëveshjes, të paktën historike, nga momenti që ishte qysh nga viti 2008 që OPEC-i nuk e shkurtonte prodhimin e vet të naftës. Për më tepër, një marrëveshje kaq e zgjeruar, me kuota të shpërndara tek të gjithë anëtarët e tij, nuk ndodhte qysh nga viti 1998.
I habitshëm është karakteri i detajuar i marrëveshjes, që përmban një tregues të qartë të kuotave të veçanta të prodhimit që duhet t’i shkurtohen secilit vend anëtar, duke qenë se normalisht këto marrëveshje janë gjenerike dhe qëllimisht ambige e difektoze, në mënyrë që t’u lënë hapësira të mëdha manovre vendeve të ndryshme. Por kësaj radhe ishte vërtet në lojë besueshmëria (ndoshta edhe mbijetesa) e organizatës, pse jo edhe stabiliteti i tregut të naftës (përveç asaj ekonomike të aktorëve kryesorë botërorë) dhe kështu nuk ka sesi të ishte ndryshe.
E panjohura e kohëzgjatjes dhe e zbatimit të saj
Marrëveshja parashikon një kohëzgjatje prej 6 muajsh dhe mundësia e rinovimit të saj do të duhet të diskutohet në samitin e OPEC-it të fiksuar për fundin e majit 2017. Kohëzgjatja semestrale me siguri që nuk është aspak rastësi, nga momenti që u korrespondon muajve dimërorë. Në fakt, OPEC-i në këtë mënyrë mund të mbështesë çmimet në 6 muajt strategjikë të sezonit dimëror, duke u lënë më pas, në pranverë, sërish duart e lira shteteve anëtare, sidomos në rastet ku, siç ka shumë gjasa, përfituesi i parë i një rritjeje të çmimit të naftës duhet të jetë nafta amerikane nga shistet. Por në realitet është pikërisht zbatimi konkret i marrëveshjes që nuk është kaq i qartë. Gjetja e një mirëkuptimi është gjë shumë e vështirë nga zbatimi në praktikë. Në fakt, përvoja mëson se shumë rrallë marrëveshjet e arritura nga OPEC-i kanë pasur ekzekutim të plotë, sidomos nga ana e vendeve drejtuese të organizatës si Arabia Saudite dhe Kuvajti. Për të ndrequr këtë në Vjenë është parashikuar krijimi i një Komitetit Ministror Monitorimi me detyrën që të verifikojë implementimin praktik të marrëveshjes. Kështu, vetëm koha do të mund ta thotë nëse do të ketë vërtet një kthesë në këtë aspekt apo nëse OPEC-i do të kthehet në sjelljen e tij të zakonshme.
Disa vende të përjashtuara nga marrëveshja
Ai që peshon mbi pasojat efektive, sidomos të periudhës afatmesme dhe afatgjatë, të marrëveshjes është vendimi për të përjashtuar nga shkurtimet ndaj prodhimit të tyre disa vende (Libia, Nigeria dhe Irani). Situata të ndryshme midis tyre, por që në një të ardhme mund t’i ndryshojnë kartat dhe të bëjnë të kotë atë që është vendosur në Vjenë në fund të nëntorit. Në mënyrë të veçantë, Libia ka siguruar përjashtimin duke qenë një vend në luftë: domethënë një problem jo nxjerrë apo tregu, por politik dhe ushtarak, një mesazh palëve të përfshira që të ulin armët dhe t’i japin vendit mundësinë e rigjallërimit falë eksportit energjitik. E ndryshme situata e Iranit, i cili ka kërkuar një status special pasi niset nga nivelet e nxjerrjes, për më tepër të ulëta për shkak të embargos. Lidhur me këtë pikë sauditët nuk kanë munguar ta manifestojnë kundërshtinë e tyre, por në fund kanë ceduar pasi Teherani ka gjithsesi nevojë për shumë kohë dhe për shumë investime që të rilançojnë produktin dhe, sidomos, pasi ardhja e Trump në presidencën e amerikane mund të hapë skenarë të rinj (më të favorshëm për Riadin) në raportet me Iranin. Kështu, pavarësisht se një shtim i shpejtë i prodhimit në këtë vende nuk është në rend të ditë, rritja e vazhdueshme e prodhimit të përditshëm të tyre në muajt e fundit shënon qartë fillimin e një tendence që do të duhet të monitorohet në mënyrë konstante.
E ardhmja e naftës amerikane nga shistet
Përfituesit kryesorë e vendimit të OPEC-it nuk të jenë kompanitë e shumta amerikanë të specializuara në fracking, teknika aktive e përdorur për nxjerrjen e naftës nga rërat bituminoze. Kur në 2014 Arabia Saudite imponoi që ta lërë të pandryshuar prodhimin e naftës pavarësisht teprisë së ofertës, objektivi ishte pikërisht ai i mbrojtjes së kuotave të veta të tregut duke përzënë prodhuesit e naftës amerikane nga shistet. Por në këto dy vite kompanitë energjitike amerikane kanë treguar një rezistencë të papritur, duke mësuar që të prodhojnë me kosto më të reduktuara (deri në një reduktim prej 40% të kostove të prodhimit) duke arritur kështu që ta ulin nivelin breakeven (pika ku humbjet dhe fitimet janë të barabarta, shënimi im) për të gjithë operatorët e sektorit. Duke pasur parasysh një çmim naftë që lëkundet midis 50 dhe 55 dollarëve për fuçi, prodhimi i naftës amerikane nga shistet mund të rritet tani me 400000 fuçi në ditë, duke u bërë thika pas shpine më e rrezikshme për marrëveshjen e Vjenës. Dhe ardhja e Donald Trump në presidencën e Shteteve të Bashkuara mund ta konfirmojë këtë tendencë, duke parë se qysh nga fillimi i fushatës së tij elektorale manjati amerikan ka deklaruar se dëshiron të adoptojë një politikë fiskale dhe mjedisore stimulimi për kompanitë e naftës që i zhvillojnë aktivitetet e tyre pikërisht në territorin amerikan.
Roli i vendeve prodhuese joOPEC
Në Vjenë liderët e OPEC-it kishin shpallur se edhe vendet prodhuese joaderuese në organizatë do ta shkurtonin prodhimin e tyre ditorë me një total prej 600000 fuçishë në ditë. Në samitin e Doha të 9 dhjetorit këto vende nuk kanë rënë dakord kështu për një shkurtim prej 558000 fuçishë në ditë, një shifër më e ulët se ajo e nënshkruar në Vjenë. Pavarësisht kësaj (duket deri që fillimisht është hipotezuar një shkurtim prej 612000 fuçishë në ditë, domethënë më shumë nga sa është premtuar), ky mirëkuptim shënon fillimin dhe institucionalizimin e një bashkëpunimi midis OPEC-it dhe vendeve që nuk i përkasin organizatës. Garante e këtij bashkëpunimi do të jetë Rusia e Vladimir Putinit, aq sa të mund të flitet për një lloj OPEC-i të zgjeruar. Në fakt i takon pikërisht Moskës, me një shkurtim prej 300000 fuçishë nafte në ditë, që të mbulojë një pjesë të mirë të prodhimit fitor të këtyre vendeve. Në fakt, kjo marrëveshje nuk ishte e nevojshme vetëm për Arabinë Saudite, por edhe për Moskën, financiarisht e tendosur nga rënia e çmimeve të eksportit energjitik. Por sakrifica e Rusisë nuk duhet të jetë kushedi sesa e lartë duke qenë se pikërisht në muajt e kaluar kompanitë e saj i kishin rritur ritmet e nxjerrjes, me pasojën që shkurtimet e parashikuara do të fillojnë nga një bazë nisjeje më e lartë. Ndonjë dyshim mund të dalë lidhur me efektivitetin e kësaj ngrirjeje për faktin që qeveria ruse, në ndryshim nga sa ndodh për vendet e OPEC-it, nuk i kontrollon drejtpërsëdrejti nxjerrjet. Por ndoshta mund të jetë mbi të gjithë tensionet gjeopolitike, që kanë të bëjnë pak me naftën, midis Moskës dhe Riadit ato që mund ta hedhin në erë marrëveshjen e Vjenës.
Përgatiti: ARMIN TIRANA / www.bota.al