Bota

Nata e gjatë e Turqisë. Minutë pas minute, si u shpalos grushti i shtetit

Screen Shot 2016-07-16 at 20.15.21

Një pjesë e ushtrisë së Turqisë organizoi një grusht shteti për të rrëzuar presidentin Rexhep Taip Erdogan. Ja se si rrodhën ngjarjet, minutë pas minute.

19:30 – Raportime se dy ura të mëdha mbi Bosfor në Stamboll janë mbyllur, duke shkaktuar bllokimet të mëdha të trafikut. Njësi të ushtrisë janë parë duke lëvizur nëpër qytet. Qarkullojnë pamje në mediat sociale, të makinave dhe autobusëve të vendosura në rrugët e qytetit dhe të trupave të vendosura në urën e Bosforit dhe në Urën Fatih Sulltan Mehmet.

19:50 – Avionë dhe helikopterë ushtarakë janë parë në qiell mbi kryeqytetin Ankara. Helikopterë janë parë edhe mbi Stamboll. Raportime për shkëmbime me armë zjarri në Ankara.

20:00 – Kryeministri turk, Binali Yildirim njofton se po ndodhin “aktivitete ushtarake” të pasanksionuara. Ai bën thirrje për qetësi dhe thotë se forcat qeveritare do të “bëjnë atë që është e nevojshme” për të rivendosur rendin.

21:00 – Shefi i shtabit të ushtrisë turke është në mesin e pengjeve të mbajtura nga komplotuesit e grushtit të shtetit në Ankara, raporton agjencia shtetërore e lajmeve Anadolu. Një korrespondent në televizionin shtetëror turk TRT, i thotë agjencisë Reuters se trupat kanë sulmuar stacionin.

21:15 – Një deklaratë e lexuar në televizionin shtetëror TRT, thotë se ushtria ka “marrë plotësisht kontrollin e vendit për të rivendosur rendin kushtetues”. Një kushtetutë e re do të përgatitet. Deklarata akuzon qeverinë e presidentit Rexhep Taip Erdogan, se ka gërryer demokracinë. Eshtë shpallur shtetrrethimi dhe gjendja e jashtëzakonshme në të gjithë vendin. Drejtuesja e lajmeve e TRT që lexoi deklaratën, më vonë do të të thoshte se e kishin detyruar me pistoletë tek koka.

21:30 – Kryeministri turk Yildirim denoncon përpjekjen për grusht shteti në Tuiter, duke thënë se rebelimi do të shtypet, edhe nëse kjo do të kërkojë që të ketë viktima. Presidenti Erdogan i bën thirrje publikut që të dalë në rrugë për të protestuar kundër grushtit të shtetit. “Ne do ta kalojmë këtë”, thotë Erdogani, në një thirrje me video në një telefon celular të mbajtur para kamerës nga një prezantues CNN Turk. Komplotistët e grushtit të shtetit do të paguajnë një çmim të rëndë, thotë ai.

22:00 – Dëshmitarët raportojnë se një helikopter ushtarak hapi zjarr mbi Ankara dhe tanket janë vendosur në ndërtesa të parlamentit në qytet. Janë raportuar shpërthime dhe një anëtar i parlamentit thotë se njerëzit janë strehuar brenda ndërtesës. Ministri turk i drejtësisë thotë se besnikët e predikuesit me banim në SHBA, Fethullah Gulen janë pas tentativës për grusht shteti.

23:00 – Raportohet se një avion luftarak turk ka rrëzuar një helikopter ushtarak të përdorur nga komplotuesit e grushtit të shtetit mbi Ankara. Agjencia e lajmeve Anadolu njofton për 17 oficerë të vrarë.

23:50 – Shpërthime dëgjohen në Stamboll. Kryeministri Yildirim thotë se gjendja është nën kontroll në vend, dhe fajëson mbështetësit e predikuesit në mërgim, Gulen. Një organizatë me bazë në SHBA, e lidhur me Gulenin, mohon çdo përfshirje.

00:20 – Erdogani mbërrin në Aeroportin Ataturk të Stambollit. Duke folur para një turme përkrahësish jashtë aeroportit, presidenti thotë se komplotistët “kanë drejtuar armët e popullit, kundër popullit” dhe përpjekjet e tyre për të marrë pushtetin do të dështojnë.

00:30 – Raporte për më shumë shpërthime në ndërtesat e parlamentit në Ankara, ndërsa raportohet se trupat kanë filluar të dorëzohen në disa vende në Stamboll. Ministri i Brendshëm turk Efkan Ala thotë se përpjekja për grusht shteti është “neutralizuar”.

00:45 – Ushtarët dorëzojnë armët në sheshin qendror të Stambollit Taksim, pasi rrethohen nga njësitë policore të armatosura, që janë besnike të qeverisë.

02:00 – Zyra e presidentit thotë se janë të paktën 60 njerëz të vrarë dhe rreth 130 forca anti-qeveritare të arrestuara.

Agimi i ditës së sotme – Transmetohen pamje me trupa që ngrejnë armët në ajër, dhe dorëzohen në një urë në Stamboll. Qeveria thotë se më shumë se 700 vetë janë arrestuar dhe përpjekja për grusht shteti ka dështuar. /bota.al

Leave a Reply

Back to top button