Bota

Nata kur u dorëzua shoku Tsipras

Screen Shot 2015-07-14 at 10.49.55

Kryeministri i Greqisë duhet t’i shkurtojë pensionet, të privatizojë ndërmarrjet shtetërore, të rrisë tatimet. Pastaj mund të shpresojë se do të marrë një pako me 86 miliardë euro

Pas negociatave pjesërisht dramatike kryetarët dhe kryeministrat e vendeve të eurozonës kanë arritur një marrëveshje për t’u hapur rrugë një programi për të ndihmuar Greqinë, i treti më radhë. Kundër marrëveshjes janë deklaruar së paku 32 deputetë të partisë komuniste Syriza. Megjithatë, llogaritet se falë mbështetjes së opozitës të miratohet marrëveshja me vendet e eurozonës. Kryeministri grek Alexis Tsipras është zotuar se deri të mërkurën do t’i kalojë në parlament reformat e para tatimore, pensionale dhe financiare.

Tsipras, i cili kishte ardhur në pushtet me premtimin për t’ia kthyer sovranitetin Greqisë, ka pranuar që në të ardhmen të gjitha ligjet buxhetore para se të shkojnë në parlament të miratohen nga Banka Qendrore Europiane, Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Komisioni i BE-së. Marrëveshja më tutje parasheh që brenda një plani kohor të mundësohen largimet masive nga puna dhe reformimi i tregut të punës. Do të themelohet një Trust, i cili nga privatizimet në tri vitet e ardhshme do të tubojë 50 miliardë euro. Greqia pothuaj nuk do të ketë qasje në këtë fond, paratë e të cilit do të shfrytëzohen për larje borxhesh dhe rikapitalizim të bankave. Selia e fondit do të jetë në Athinë dhe jo në botën e jashtme (për shembull në Luksemburg), siç kishte ngulur këmbë qeveria gjermane.

Mediumet gjermane vlerësojnë se detyrimet që ka marrë përsipër Tsipras tani janë më të mëdha se pakoja, të cilën populli grek e hodhi poshtë para një jave në referendum. Qeveria në Athinë është zotuar se do të mundësojë «pavarësinë e plotë juridike» të Entit të Statistikave të Greqisë. Deri më tani pothuaj askush nuk i ka besuar statistikave greke, sepse janë manipuluar sipas nevojave politike. Më shumë para në arkën e shtetit pritet të sjellë edhe reforma e tatimit në vlerën e shtuar. Deri më 22 korrik qeveria greke duhet të ndryshojë sistemin e të drejtës civile, në mënyrë që proceset gjyqësore të kryhen më shpejt. Synim tjetër i marrëveshjes mes europartnerëve dhe Athinës është «depolitizimi i administratës greke» dhe ulja e shpenzimeve.

Paralelisht me parlamentin grek marrëveshjen duhet ta miratojnë edhe disa parlamente të vendeve anëtare të eurozonës. Mjaft kritike ndaj Greqisë ka qenë qeveria finlandeze, kryeministri i këtij vendi ka deklaruar se marrëveshja është hap në drejtim të duhur, por nuk mund të garantonte se parlamenti do ta miratojë atë. Kryeministri i Sllovenisë Miro Cerar gjatë samitit në Bruksel që zgjati 17 orë ishte këmbëngulës: «Qeveria greke duhet të tregojë se i zbaton obligimet dhe vepron në mënyrë të përgjegjshme». Duket se Tsipras nuk gëzon më aq besim brenda vendeve të eurozonës. Me të arritur në Bruksel të dielën kancelarja gjermane Angela Merkel tha se ditëve të fundit është shkatërruar valuta më e rëndësishme: besimi. Cerar nuk bëhet merak për sovranitetin grek, ai kërkon kontroll të rreptë. Sllovenia ka përjetuar një krizë të thellë ekonomike, popullsia ka pranuar shkurtime masive financiare. Llogaritur me brutoprodhimin social të brendshëm Sllovenia e vogël paguan më shumë se çdo shtet tjetër për shpëtimin e Greqisë.

Gazeta gjermane «Süddeutsche Zeitung» e sheh marrëveshjen për shpëtimin e Greqisë nga falimentimi me skepticizëm. Nuk është e sigurt nëse Tsipras do të mbijetojë politikisht këtë marton, shkruan kjo gazetë. «Ajo çfarë po kërkohet nga Tsipras dhe nga grekët është jashtëzakonisht e rëndë. Kryeministri duhet t’u shpjegojë qytetarëve se sërish do t’ua shkurtojë pensionet, se do të rriten tatimet përsëri, se shteti duhet të shesë prona dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar do të veprojë si një shufër goditëse që mbahet gati në thes».

Linku: http://www.gazetatema.net/web/2015/07/14/nata-kur-u-dorezua-shoku-tsipras/

Leave a Reply

Back to top button