BotaMAIN

Ndryshim regjimi, pastaj kaos. Hijet e Irakut, që frenojnë Uashingtonin

PRAPASKENA

Në mëngjesin e 5 shkurtit 2003, sekretari i Shtetit Colin Powell u ngrit përpara Këshillit të Sigurimit të OKB-së me një provë në dorë, për të treguar para botës se Saddam Husseini zotëronte me të vërtetë armë kimike të shkatërrimit në masë. Imazhet satelitore, përgjimet telefonike, dokumentet nuk mjaftuan për të bindur të gjithë anëtarët e Këshillit, por ndërtuan rreth administratës Bush një “Koalicion të të gatshmëve”, një aleancë prej 49 vendesh që më 19 mars iu bashkuan Amerikës, në luftën kundër Irakut.

Vetëm më vonë u zbulua se të gjitha ato “prova” ishin të pavërteta, dhe ai moment u bë simbol i asaj se si një e pavërtetë mund të çojë në një konflikt, që dukej se do të zgjidhej shpejt, por në pastaj u shtri me dekada.

DILEMA

Njëzet e dy vjet më vonë, Donald Trump përballet me një dilemë që i ngjan shumë asaj të vitit 2003. Benjamin Netanyahu prej vitesh përsërit se Irani është “vetëm disa javë, ose muaj, larg nga prodhimi i bombës”. E tha për herë të parë në vitin 1992 dhe më pas e përsëriti pothuajse çdo vit. Në vitin 2012 e shpalli nga podiumi i OKB-së me fjalë apokaliptike, dhe në vitin 2015 e përsëriti përpara Kongresit dhe Senatit në Uashington. Por vitet kaluan: në vitin 2018, Trump donte të shfuqizonte marrëveshjen për programin bërthamor iranian, të firmosur në vitin 2015 nga Irani me një koalicion prej pesë vendesh. Që nga ajo kohë, kontrollet mbi ritmin e pasurimit të uraniumit në Iran nuk janë më në fuqi.

Në këtë kuptim, vlerësimi i Rafael Grossi-t, drejtorit të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), është vendimtar. Në një intervistë për CNN, Grossi e tha qartë se “Agjencia nuk ka prova që Irani po synon të ndërtojë një bombë bërthamore”, edhe pse shtoi se programi i pasurimit iranian ka arritur “nivele shumë të avancuara.”

TAKIMET

Trump lëviz në këtë fushë të minuar me informacione kontradiktore, me kujdesin e dikujt që ka mësuar nga leksioni i Irakut. Në Zyrën Ovale po diskutohet nëse duhet të lëshohet bomba anti-bunker GBU-57 “Massive Ordinance Penetrator”, me peshë 13 ton. Pentagoni siguron se, nëse shoqërohet me një plan operacional solid, “do të funksionojë”.

Por Trump pyet veten nëse një goditje e vetme do të mjaftonte për të ndalur përfundimisht programin bërthamor iranian, ose nëse, si në Irak, do të hapte portat e një lufte pa fund. Ndryshe nga Bush, ai nuk dëshiron të bjerë në një konflikt të improvizuar. Ai ka deklaruar se do të vendosë “një sekondë përpara momentit të veprimit”, duke shfrytëzuar paqartësinë strategjike për të nxitur një përgjigje diplomatike nga Teherani.

Vëzhguesit amerikanë të specializuar për Lindjen e Mesme e pranojnë se kjo mund të jetë një lëvizje taktike, që nëse e balancon saktë, mund ta detyrojë Iranin të negociojë sinqerisht, por nëse jo, rrezikon një përshkallëzim të pakontrollueshëm. / bota.al

Back to top button