Histori

Profecitë ndryshojnë historinë. “Në emër të Zotit…”

Fitoret apo disfatat e sovranëve të lashtësisë janë paralajmëruar shpesh herë prej profecive. Të cilat kanë qenë kaq me ndikim, sa kanë mund të ndryshojnë historinë. Fe të tilla si ajo hebraike, kristiane dhe islame janë përhapur edhe falë profetëve. Abrahami i pari foli për Tokën e premtuar dhe Muhamedi, duke predikuar rënien e Kostandinopojës, shkaktoi rënien e Perandorisë së Lindjes

profecite

Janë irracionale, ndonjëherë të zymta, herë të tjera mund të konsiderohen si forma të thjeshta të shpresës. E megjithatë, për një kohë të gjatë, profecitë janë konsideruar diçka shumë serioze. Nuk ishin, në fakt, vetëm materie priftërinjsh, por bënin pjesë edhe në punët e vërteta shtetërore: pa to, fe të tilla si ajo hebraike, ajo kristiane dhe ajo myslimane nuk do të kishin mundur asnjëherë të përhapeshin dhe të kishin sukses mes popujve. Dhe ndoshta, nëse gjeneralë, mbretër dhe perandorë nuk do i kishin marrë aq shumë në konsideratë, historia e njeriut, mbi të gjitha ajo e lashtësisë, nuk do të ishte zhvilluar në të njëjtën mënyrë. “Profetët e Izraelit, për shembull, që kishin funksionin të përhapnin për popullin hebraik mesazhet e marrë nga Jehovai, dhanë shtytjen ideologjike dhe besimin e nevojshëm, me qëllimin që populli të mbetej i bashkuar kur ishte në mërgim në Babiloni apo tashmë në diasporë, falë perspektivës së rikthimit në Tokën e premtuar dhe besnikërisë ndaj një mbreti jo tokësor, të cilin tashmë nuk e kishin më, por ndaj mbretit të qiejve”, shpjegon Jean Louis Ska, docent i Institutit biblik papnor.
Në Bibël, i pari që profetizoi Tokën e premtuar ishte Abrahami. Dhe mund të thuhet se shteti modern i Izraelit ndodhet pikërisht aty, në Lindjen e Mesme, për shkak të profecisë së Tokës së premtuar. “Jo rastësisht populli i Izraelit”, vazhdon Ska, “ka arritur t’u mbijetojë të gjithë katastrofave të historisë: profetët e kanë ndihmuar popullin që të ketë shpresë tek e ardhmja.

NË PRITJE TË KRISHTIT

Bibla, në librat e Danielit, Isajas, Ezekielit përmban edhe shumë profeci të tjera. Si ajo e vizionit të rrëfyer nga Isajah (kapitulli 53 i librit të tij), afro 700 vite përpara lindjes së Krishtit: “Ishte i përçmuar dhe nuk e vlerësonin, e megjithatë ai u ngarkua me të gjithë vuajtjet tona. U gozhdua për mëkatet tanë, u fye për shkak të padrejtësive tona (…) u burgos dhe u gjykua me një dënim të padrejtë”. Tek Isaja gjenden edhe shumë referenca të tjera për këtë mesia në vuajtje, i njohur si Jezusi nga hebrenjtë kristianë të shekullit I, nga disa rabinë Talmudikë (autorët e testit të studimit të Torah) si dhe nga hebrenjtë kristianë të sotëm (grup prej 250 mijë zbatuesish të ligjve hebraikë, aktiv në SHBA dhe Izrael), të vendosur në idenë që mesiah i profetizuar në Testamentin e vjetër ishte pikërisht ai Jezus i Nazaretit që hierarkitë e priftërinjve nuk e njohën.
Veç kësaj, kristianët e hershëm ishin të bindur se fundi i botës ishte i afërt, koncept ky i përsëritur edhe në profecitë që përmban Apokalipsi. Vetë Shën Pali, promotor i kristianizmit në perandorinë romake, shkruante tek “Letër romakëve”: “Ne që jetojmë, do të jemi ende në jetë në ardhjen e Zotit”.


Por kur kristianizmi, nga një fe e opozicionit u bë një fe unike e perandorisë me Teodosin e Madh, u nis të gjykohet se ndoshta ishte absurde që të mendohej për shkatërrimin e Perandorisë si pasojë e një fundi të afërm të botës. Jo vetëm kaq: krerët e perandorisë romake të Lindjes (që vazhdoi edhe një mijë vite të tjerë pas rënies së perandorisë së perëndimit), besimtarë të fortë të profecisë kristiane të mbretërisë së qiejve, besonin se ishin ata vetë krijuesit e një mbretërie qiellore të ndërtuar mbi Tokë. Injoronin megjithatë që një tjetër profeci, ajo e Muhamedit mbi rënien e Kostandinopojës, do të kishte nxitur myslimanët otomanë drejt pushtimit të qytetit nga ana e Mehmet Pushtuesit në 1453, duke shënuar kështu fundin e Perandorisë romake të Lindjes.
Në të vërtetë, të gjithë popujt antikë besonin në profecitë dhe në shenjat paralajmëruese, te cilat lejonin krerët politikë dhe ushtarakë që të merrnin vendime të rëndësishëm. Ciceroni, për shembull, shkruante: “Në të vërtetë nuk njoh asnjë popull, që nga më civilët e më të kulturuarit e deri tek më brutalët dhe barbarët, që nuk beson se e ardhmja manifestohet me shenja paralajmëruese, dhe që ekzistojnë persona në gjendje ta parathonë dhe ta shpjegojnë paraprakisht”.
I referohej në mënyrë të veçantë asirëve dhe kaldejve, të cilët lexonin yjet dhe bënin horoskopë. Por edhe arti hyjnor i egjiptianëve apo i grekëve që nuk dërgonin asnjëherë kolonë në Siçili dhe nuk organizonin luftëra pa pyetur më parë orakullin e Delfit apo atë të Dodonës.

Vetë qyteti i Romës ndodhet aty ku është për arsye se Romuli, ai vetë një prift, kishte konsultuar fallxhorë përpara se ta themelonte. Dhe kështu bënë edhe mbretërit e tjerë të Romës, duke qenë se “asnjë vendim që kish të bënte me shtetin, as në paqe e as në luftë, nuk merrej pa u konsultuar më parë me parashikuesit”.
Edhe Senati romak ishte i ndikuar nga ëndrrat apo nga profecitë: vendimet e rëndësishëm të politikës së jashtme merreshin duke konsultuar Librat sibilinë, një përmbledhje parashikimesh dhe profecish. Njëra, në mënyrë të veçantë, ishte vendimtare në luftën që romakët po humbisnin me Kartagjenën: thoshte që për ta fituar, duhej të sillej në Romë, që nga Libia, një gur i zi i ardhur nga qielli përmes perëndeshës Cibele. Guri u soll (ndoshta bëhej fjalë për një copë asteroidi) dhe u ndërtua një tempull për ta vendosur. Mund të jetë rastësi, por lufta kartagjenase u fitua nga romakët.


Në të kaluarën ka patur shpesh edhe profeci të sajuara më vonë për të justifikuar madhështinë e disa personazheve të historisë. Si ato për Enean në cilësinë e themeluesit të Romës. Apo për një seri heronjsh dhe mbretërish që u braktisën apo u adoptuan që të vegjël, për t’i larguar nga rreziku i eleminimit prej xhaxhallarëve apo etërve, të cilëve orakujt u kishin parathënë humbjen e pushtetit për shkak të tyre. Eshtë rasti i mbretit të asirëve Sargon, i braktisur në një shportë në një lumë, ashtu si Moisiu. Apo i Herkulit e madje edhe vetë Jezusit fëmijë, në arrati nga Herodi. / Storica – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button