Një formë e re sundimi po përhapet në Ballkan: qeverisje autoritare, argumentim nacionalist, drejtim neoliberal i ekonomisë. Një korrigjues i rëndësishëm mund të ishte Bashkimi Evropian – që duhet të vazhdojë angazhimin.
Shumë simptoma të krizave, të cilat i përjetojnë aktualisht demokracitë evropiane janë zhvilluar, manifestuar dhe kanë zënë rrënjë që prej shumë vitesh në juglindje të kontinentit: kriza e demokracisë në Evropën Juglindore është për të gjithë e dukshme dhe “ideja e një konsensusi liberaldemokratik nuk ekziston më”, tha Florian Biber, Profesor në Qendrën për Studimet e Evropës Juglindore të Universitetit të Grazit, në mbledhjen vjetore të Shoqatës së Evropës Juglindore që u mbajt javën e kaluar në Berlin. Kjo krizë megjithatë nuk është pasojë e një depresioni akut, thekson Michael Hein, Profesor në Universitetin Humboldt të Berlinit, por është zhvilluar në një proces të gjatë negativ. Hein kishte vlerësuar disa statistika dhe indikatorë, të cilat e masin demokracinë mbi bazën e parametrave të ndryshme të zhvillimit, të shtetit juridik dhe parametrave socialë.
Kudo del në pah e njëjta tendencë: të gjitha vendet e Evropës Juglindore, me përjashtim të Kosovës, dhe pavarësisht nga fakti nëse janë apo jo anëtare të BE, kanë shënuar në dhjetë vitet e fundit një tendencë të vazhdueshme në rritje. Kjo ka të bëjë me një keqësim objektiv. Por edhe në parametrat subjektivë, si për shembull në besimin e qytetarëve në parlamente dhe në institucionet e shoqërisë, ka dalë në pah e njëjta tendencë.
Në shtetet e rajonit, të cilat ende nuk janë anëtare të Bashkimit Evropian ose – si Kroacia – sapo janë anëtarësuar në BE, kriza e demokracisë ecën krahas me krizën fundamentale të vlerave dhe të orientimit. Në këtë gjendje pasigurie, personalitetet e forta udhëheqëse ofrojnë mbështetje – shpesh me mesazhe të nxjerra nga historia kombëtare. Dhe nacionalizmi i bashkon komunitetet nën udhëheqësit e zgjedhur në mënyrë demokratike, por që veprojnë në mënyrë autokratike.
Një formë e re sundimi në Ballkan
Kështu, në vendet e Ballkanit Perëndimor është përhapur një formë e re sundimi, mendon Vedran Dzihic, profesor i shkencave politike nga Vjena: drejtimi në mënyrë autoritare, argumentimi nacionalist, drejtimi neoliberal i ekonomisë.
Politikanët që veprojnë në këtë mënyrë karakterizohen nga një “pragmatizëm i pabesueshëm i pushtetit” dhe ata sillen sipas modelit të Presidentit turk Erdogan. Demokracia në këtë rast është vetëm një mjet për një qëllim të caktuar, por nuk është objektivi. Ata i përdorin instrumentet demokratike dhe njëkohësisht i nxjerrin ato jashtë loje. Kështu si bën për shembull kryeministri serb, Aleksandar Vuçiç, një prototip i politikanit, i cili vepron “si Mesia dhe në mënyrë narciste”. Popullit votues i sugjerohet se për zgjidhjen e krizës nevojitet një dorë e fortë, thotë Dzihic. Dhe kështu lind një monopolizim i pushtetit përmes një personaliteti drejtues. Institucionet shtetërore praktikisht nxirren jashtë loje. Sistemi funksionon edhe sepse gjithmonë nxitet ndonjë krizë nacionale. Kjo vlen edhe për politikën ekonomike, në të cilën retorika “unë do t’ia dal mbanë, unë do ta bëj këtë” u përcjell njerëzve iluzionin se do të pasojë një rigjallërim i ekonomisë, në të cilin ata mund të marrin pjesë. Në të vërtetë ata që përfitojnë edhe ekonomikisht nga politika klienteliste janë vetëm qarqet më të ngushta të pushtetit.
BE duhet të mbetet i angazhuar
Dzihic është megjithatë i bindur se ekziston një mundësi, për ta ndërprerë këtë tendencë negative dhe strukturat autokratike që po konsolidohen. Rezistenca kundër projektit gjigant të ndërtimit “Beogradi buzë ujit” e ka treguar këtë, njësoj si revolucioni laraman kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të pushtetit në Maqedoni. Por këto lëvizje të shoqërisë civile kane nevojë për mbështetje më të madhe. Shembulli më i fundit i protestave në Rumani tregon se si një shoqëri civile që zgjohet mund ta detyrojë qeverinë që t’u rikthehet parimeve të shtetit juridik. Dzihic kërkon “më shumë aleanca me forcat e lirisë dhe të demokracisë”. Edhe kundër shtimit të koncentrimit mediatik në duart e elitave politike nevojitet guxim, qëndrim konstruktiv dhe forma civile të rezistencës.
Në mbështetjen e shoqërisë civile dhe të medieve të pavarura edhe Natasha ëunsh sheh mundësi për t’i ndërprerë tendencat antidemokratike.
Politologia që jeton në Zyrih ankohet për një “largim të qartë prej drejtimit pozitiv ndaj BE” në shtetet e Ballkanit Perëndimor: “Hapat pas në demokratizim dhe lodhja e zgjerimit në BE e përforcojnë njëra-tjetrën”. Koncepti i integrimit përmes demokratizimit është vjetëruar dhe bërë i tepërt, sepse evropianizimi dhe demokratizimi i vendeve është shkëputur nga njëri-tjetri. BE duhet të tërheqë vëmendjen me terma të qartë për shkeljet e demokracisë dhe të ndërtojë njëkohësisht mekanizma për nxitjen e demokracisë dhe të shoqërisë civile. Me programe shkëmbimesh dhe kualifikimi mund të krijohet sërish një pamje e përgjithshme pozitive për përparimet në demokratizim dhe për integrimin evropian, tha ëunsch. Ekspertët ishin të të njëjtit mendim se janë dy fusha, të cilat kanë nevojë për një mbikqyrje të veçantë: sundimi i ligjit dhe liria e shtypit. Këtu po ndodhin zhvillimet më alarmuese të gabuara dhe këtu shkeljet duhet të përmenden me emër, me shpejtësi dhe me vendosmëri si dhe të merren masa pozitive mbështetjeje dhe nxitjeje. Përndryshe vendet e Evropës Juglindore largohen edhe më tej nga komuniteti evropian i vlerave dhe anëtarësimi në BE zhvendoset në një largësi të paarritshme. /Deutsche Welle