Analiza

Në këtë dekadë do të rifillojë gara e armatimit

Nga Pierre Haski

Dekada që sapo ka filluar rrezikon seriozisht të shënohet nga një garë armatimi, e favorizuar nga dy faktorë: rivalitetet e reja midis fuqive dhe revolucionet teknologjike.

Rezultati është se ne mund të harrojmë shpresat e ngjallura nga “dividentët e paqes” pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, periudhë gjatë së cilës shpenzimet ushtarake të shteteve ranë ndjeshëm, me disa vende madje që e reduktuan në maksimum ushtrinë e tyre. Sot jemi shumë larg nga thirrja e Barack Obamës për eleminimin e armëve bërthamore në vitin 2016, para se të largohej nga Shtëpia e Bardhë.

Ne kemi hyrë në një epokë rrënjësisht të ndryshme, dhe nuk po i referohem vetëm Koresë së Veriut, e cila nuk duket aspak e gatshme të heqë dorë nga bomba atomike dhe premton një “surprizë” strategjike, apo rifillimin të programit bërthamor iranian, pas daljes së Shteteve të Bashkuara nga marrëveshja e vitit 2015.

Ndër aktorët në këtë garë të re armatimi, janë para së gjithash tre fuqitë e para ushtarake në planet: Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Kina.

Javën e kaluar Moska njoftoi se njësitë luftarake do të pajisen me një lloj të ri raketash “hipersonike”, të afta të arrijë shpejtësinë tronditëse prej gjashtë mijë kilometrash në orë, dhe të ndryshojnë në mënyrë të pavarur trajektoren e tyre. Raketa, e pajisur me një mbushje bërthamore, do të ishte në thelb teë pakontrollueshme për sistemet aktuale anti-raketore.

Njoftimi zuri në befasi Uashingtonin. Dihej që rusët po punonin për këtë projekt (Vladimir Putini e kishte pranuar publikisht), por askush nuk e priste një përparim të tillë të shpejtë.

Shtetet e Bashkuara nuk kanë ende teknologji të re, ose një sistem për ta luftuar atë, edhe për shkak se prej kohësh e kanë braktisur sektorin. Qeveria e Uashingtonit do të përpiqet të eleminojë këtë dobësi, por do të kërkojë kohë dhe investime të mëdha në kërkime.

Përse e gjithë kjo po ndodh pikërisht tani?

Arsyeja e parë është se çarmatimi dhe traktatet e kontrollit të firmosura në fund të luftës së ftohtë midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara do të skadojnë, duke kompromentuar të gjithë kuadrin ligjor që mbajti në fre, dy vendet me arsenalet më të mëdha bërthamore. Ndërkohë, Kina, jo e përfshirë në traktate, ka rifilluar zhvillimin e bërthamores për qëllime ushtarake dhe nuk dëshiron të dëgjojë ftesat e Donald Trumpit, për të filluar një negociatë hipotetike.

Arsyeja e dytë është klima e sfidës që e ka rikthyer botën në sistemin klasik të marrëdhënieve të fuqive. Paradoksalisht, në një epokë ku shtetet nuk luftojnë më ballë për ballë, ushtritë bëhen instrumente të pushtetit politik.

Arsyeja e tretë është se përparimet në inteligjencën artificiale dhe automatizimi po krijojnë armë të reja që mund të kenë një ndikim vendimtar. Franca sapo ka zhvilluar drone të reja të armatosura, të përdorura për herë të parë javën e kaluar në Sahel.

Gara e re e armëve është një tjetër shenjë e një regresioni global. Flitet shumë për shpëtimin e planetit, por ndërkohë ne vazhdojmë të investojmë në armë që mund ta shkatërrojnë atë. / France Inter – Bota.al

Show More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close