Bota

Në Krime, Putini tregon se kush është bosi

Screen Shot 2015-08-19 at 22.55.17

Ishte një shfaqje tipike e presidentit rus, Vladimir Putin, i cili hipi në një nëndetëse dhe u zhyt në thellësitë e Detit të Zi. Dallgët fillimisht mbuluan fluskën prej xhami, më pas e përthithën, teksa kamerat nënujore filmonin rrëshkitjen e ngadaltë. Zyrtarisht, plani ishte që me anë të kësaj zhytjeje, të shiheshin mbetjet e një anije në shtratin e detit. Por, ishte gjithashtu për të treguar se kush është bosi tani. Vladimir Putini po kalon tre ditë në Krime, me një delegacion të tërë zyrtarësh të lartë rusë, si dhe figurash të rëndësishme të biznesit.

Kievi e ka dënuar vizitën, si një përpjekje për të rritur tensionet, dhe ka theksuar se e vetmja e ardhme e Krimesë është rikthimi me Ukrainën.

Kështu që, kur Vladimir Putini u ndal për një moment në Sevastopol, unë ia përcolla këtë pretendim.

“E ardhmja e Krimesë u vendos nga populli që jeton në këtë tokë”, u përgjigj presidenti, në mënyrë të prerë. “Ai vendosi që të bashkohet me Rusinë”.

Rezultati i votimeve të thirrur me nxitim tregoi në fakt një mbështetje në shumicë dërrmuese për aneksimin. Por referendumi i marsit 2014, që Moska e përshëndeti si zgjedhje e popullit, u mbajt me njerëz të armatosur në rrugë, në një shkelje të hapur të kushtetutës së Ukrainës.

Si rezultat, SHBA dhe Europa vendosën sanksione ndaj Rusisë, dhe aneksimi i Krimesë sot nuk njihet nga pothuajse askush.

Sërish, nuk ka dyshime se shumica e popullit të Krimesë mbështesin Moskën. Dhe për rusët, “rikthimi” i rajonit nga Ukraina, pas “humbjes” së tij në epokën sovjetike, ishte një kauzë me mbështetje të gjerë.

Kështu, Moska ka nisur të dërgojë financime për të mbështetur pretendimin e vet politik në gadishull, si dhe për të treguar se interesohet.

Screen Shot 2015-08-19 at 22.55.23Fëmijët që lahen në det dhe garojnë në kampin fëmijëror të Artekut, po përfitojnë tashmë prej këtyre financimeve. Kompleksi i gjerë në kodër, ka qenë kampi më i madh dhe më prestigjoz i pionerëve në epokën sovjetike: një destinacion ëndrrash për të rinjtë. Shumë prej isih Artekovitëve rusë e mirëpritën me nostalgji “rikthimin në shtëpi” të kampit.

Kantina kryesore, fushat sportive dhe pishina janë restauruar tashmë, ndërkohë që janë alokuar edhe miliona rubla të tjera. Por Rusia ka besim se paratë nuk do të shkojnë dëm.

“Për ata që investojnë këtu, statusi i Krimesë është vendosur”, thotë drejtori Alexei Kasprzhak. Si motorri kryesor i ekonomisë lokale, sektori i turizmi pritet të marrë një injeksion parash.

Zgjedhje patriotike

Plazhet me rërë ngjyrë gri të Krimesë i kanë tërhequr gjithmonë turistët, kryesisht ukrainasit. Tani, ata nuk vijnë më këtu, ndërkohë që Rusia e ka promovuar gadishullin si një zgjedhje patriotike për të bërë pushime. “Vendosëm të vijmë, sapo Krimea na u rikthye”, thotë Olga, duke shtuar se zakonisht, ajo dhe i biri shkojnë për pushime në Bullgari. “Por donim që të ishim ndër të parët që vinim këtu”, thotë ajo, ndonëse ashtu si shumë të tjerë, është befasuar nga çmimet e lartë dhe pranon se nuk ka gjasa të rikthehet.

“Nuk i përballojmë dot më vendpushimet sovjetikë”, thotë duke qeshur Olga.

Edhe për vendasit, rritja e çmimeve tashmë nën kontrollin e Rusisë ka kërkuar disa përshtatje, ndonëse edhe pagat janë rritur. Por ata thonë se shumë probleme të tjerë praktikë të të jetuarit nën sanksione, tashmë po zgjidhen. “Njerëzve u desh të bënin tranzicionin, dhe kishte një kaos total”, thotë Natalia Kyrychenko, pronare e një hoteli, duke përshkruar vështirësitë e jetës në një territor që shumica e botës nuk e njeh. “Gradualisht po rikthehen shërbimet normale”.

Pjesa më e madhe e kursimeve, më në fund janë rikthyer nga një bankë ish ukrainase; ajo ka një numër të ri telefoni, rus, dhe tani që MasterCard është rikthyer, mund të bëjë sërish blerje online. “Jam e sigurtë që Krimea do të njihet dhe situata nuk do të vazhdojë gjatë”, thotë Natalia.

Por bizneset e tjerë janë goditur shumë më fort nga realiteti i ri. Dmitry Semyonov dikur shiste suvenirë prej druri dhe qypa mjalti, kryesisht për blerës nga BE. Tani që ai treg është i paarritshëm, prodhimi pothuajse është ndalur. Ai e quan aneksimin “një katastrofë”.

“na shkëputën nga Ukraina, por nuk na bashkuan vërtetë me RUsinë”, thotë ai. “Na kanë lënë varur. Kur ndodhi, na thanë mos u shqetësoni, për ju do të hapet tregu rus. Por thjeshtë fakti që ke etiketën “made in Crimea”, nuk është se të bën të preferuar”.

Kështu Dmitry dhe e shoqja kanë bërë zgjedhjen më të vështirë të jetës së tyre, që të largohen. Një rus etnik, ai ka në plan të zhvendoset në Ukrainë bashkë me biznesin, por kjo nuk është gjëja që e shqetëson më shumë. “As nuk dua ta imagjinoj si do të përfundojnë gjërat këtu. Por nuk dua të jem pjesë. Fitili është ndezur. Thjeshtë nuk e di sa do të zgjasë, deri kur situata të shpërthejë”, paralajmëron biznesmeni.

Pavarësisht të gjithë përpjekjeve të Vladimir Putinit për të hequr një vizë nën problemin e Krimesë, ai nuk është zgjidhur aspak. Veprimet e tij kanë shkaktuar një stuhi, e cila nuk po zbutet aspak.

BBC News – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button