Bota

Në udhëtimin e tij jashtë vendit, Trump i la vlerat e Amerikës prapa

Nga Richard Cohen

Diku mbi detin e Atlantikut, ndërsa avioni presidencial Air Force One po i afrohej Polonisë, Presidenti Trump hapi derën dhe hodhi përjashtë vlerat e Amerikës. Në Varshavë, ai mbajti një fjalim që edhe një papagall i vogël mund të kishte mësuar shpejt – “Kjo do të thotë telashe, kjo është e vështirë”, e quajti ai pushtimin e dyfishtë të vitit 1939 të Polonisë nga Gjermania dhe Bashkimi Sovjetik. Ai pastaj u zhvendos në Hamburg për të dhënë faljen e parë presidenciale, kundrejt Vladimir Putin për ndërhyrjen në zgjedhje dhe më në fund u largua nga Evropa duke lënë prapa udhëheqjen morale dhe politike të Amerikës.

Gazeta “Wall Street Journal” e quajti adresimin e Presidentit në Varshavë, “Fjala përkufizuese e Trump”, për shkak të “mbrojtjes afirmative të traditës perëndimore”. Ashtu si në pjesën më të madhe të shtypit konservator, gazeta përmendi deklaratën e tij se “çështja themelore e kohës sonë është nëse Perëndimi ka vullnetin për të mbijetuar. “Por fjalimi nuk ishte as përcaktues, as bindës. Në vend të kësaj, Trump ishte përsëri duke kalëruar në një kalë imagjinar dhe duke dalë për të vrarë hordhitë muslimane. Këtë herë ai krahasoi Varshavën e 2017 me Vienën e 1529, kur muslimanët otomanë që po përparonin, u zbrapsën. Pyetja nuk është nëse Perëndimi ka vullnetin për të mbijetuar, por nëse ka mënçurinë për t’u marrë me Trump.

Ndërsa Trump po fliste në Varshavë, Mosuli në Irak po lirohej nga kontrolli i Shtetit Islamik. Ndoshta është e vërtetë se lëvizja terroriste do të ringjallet diku tjetër, por për momentin Bagdadi është i sigurt – Varshava dhe Mar-a-Lago gjithashtu. Perëndimi, ndershmëria e të cilët Trump vë në pikëpyetje ka vepruar mirë kundër një armiku që është po ashtu i dëmshëm dhe shumë i afërt dhe i padukshëm. Një vizitë në çdo aeroport – numri i personelit të identifikueshëm dhe të armatosur të sigurisë – sugjeron që nuk jemi të vetëkënaqur.

Rreziku që Polonia përballet, në fakt, nuk vjen nga islami radikal ose nga muslimanët jo radikalë që kërkojnë port të sigurt në Evropë, por nga një qeveri që po shkon drejt represionit. Partia  Ligj dhe Drejtësi ka tentuar, ndoshta me sukses, të kufizojë lirinë e shtypit dhe të kufizojë autoritetin e gjyqësorit. Polonia gjithashtu ka një të kaluar, dhe nuk është thjesht një lavdërim i madh i rezistencës ndaj pushtimit gjerman; Ajo është shkatërruar nga autoritarizmi dhe intoleranca etnike.

Nëse Trump do të ishte me të vërtetë i fokusuar në ruajtjen e vlerave perëndimore, ai do t’i kishte bërë thirrje Partisë Ligj dhe Drejtësi që të respektojë thelbin e traditës perëndimore, veçanërisht lirinë e shtypit. Në vend të kësaj, ai u bashkua me presidentin polak Andrzej Duda në një referencë të zymtë për lajmet e rreme. Siç Trump kishte bërë në Arabinë Saudite, ai jo vetëm që nuk dalloi një sfidë ndaj vlerave perëndimore – ligjin e sheriatit, gratë e ndaluara për të drejtuar makina, monarkinë absolute dhe prerjen e kokave – ai përqafoi mbretërinë dhe e caktoi atë si udhëheqës i luftës anti – terroriste. Sekretari i Tregtisë Wilbur Ross, jo dhe aq budalla, aprovoi vërejtjen e mungesës së demonstruesve kundër monarkisë.

Presidentët amerikanë kanë dashur të bëjnë lëshime. Gjatë Luftës së Ftohtë, Uashingtoni bëri biznes me Spanjën fashiste. Pas Luftës së Dytë Botërore, Shtetet e Bashkuara mirëpritën shkencëtarët gjermanë të raketave si Wernher von Braun, duke anashkaluar anëtarësimin e tyre në Partinë naziste dhe pjesëmarrjen e tyre në përdorimin e skllavëve të punës. Justifikimi për këto raste ishte nevoja për të luftuar Bashkimin Sovjetik.

Trump nuk ka ndonjë justifikim të tillë. E ashtuquajtura sfida radikale islamike ndaj Perëndimit nuk është e njëjta gjë. Çfarëdo kërcënimi që paraqet, për Trump është më shumë një mjet i dobishëm, një justifikim për një presidencë që është nisur e lënduar dhe shpesh herë bëhet emocionale ndaj referencave të shpeshta ndaj Barak Obamës dhe Hillary Clinton. Në krahun Weimar të Partisë Republikane, të dy këta justifikojnë mbështetjen politike dhe financiare të një njeriu që ata besojnë se ka talentin, nëse jo vullnetin, për të shkatërruar gjithçka që ai prek.

Dështimi i Trump për të ruajtur vlerat autentike perëndimore në Varshavë u pasua nga kapitullimi i tij ndaj Vladimir Putinit në Hamburg. Pas takimit të tyre, ne ishim lënë me zgjedhjen e të besuarit deklaratën e ministrit të jashtëm rus Sergej Lavrov për atë që ndodhi ose atë të ndihmësve të Trump. Unë rrëfej se zgjodha variantin e Lavrovit, një njeri që e ruan dinjitetin e tij. Njerëzit e Trump-it, në të kundërt, që abuzojnë me fjalën “shkëlqyer”, tingëllojnë si adoleshentë me varësinë e tyre ndaj “madhështisë.” Madhështia e vërtetë e Trump, tani është e qartë, është poshtërimi i vartësve.

Bagazhet që Trump mori në Evropë, trashëgimia e presidentëve të mëparshëm amerikanë, nuk gjendej askund kur u kthye. Ai madje dukej se pranoi ndërhyrjen ruse në zgjedhje. “Koha për të ecur përpara”, shkroi ai në twitter – dikush duhet të mendoj se çfarë saktësisht hetuesit të kongresit dhe hetuesi special Robert S. Mueller III po bëjnë. Ky peshk është i kalbur nga koka./The Washington Post – Lexo.al/

Leave a Reply

Back to top button