Bota

Nëse nuk grindet, nuk është Trump

Rolit të Komandantit të Përgjithshëm i ka shtuar atë të paprecedentin, I Grinduri i Përgjithshëm. Debati publik me të cilin përfshiu edhe lojtarët e futbollit, është vetëm shembulli më i fundit i një liste kategorish, që Donald Trump i ka fyer haptaz. Në fund të fundit, një person që është në gjendje të postojë në Tuiter, edhe fjalë plot tërbim kundër Papa Françeskut, duhet të ketë një talent të lindur në këtë fushë. Mike Allen në faqen Axios ka pagëzuar për të edhe një tjetër “përshkrim pune”: Përçarësi i Madh. Presidentët e tjerë, edhe pse të zgjedhur me avantazhe shumë të ngushtë dhe me një Amerikë të ndarë më dysh – që tashmë është rregulli – të paktën në fillim u përpoqën të ngushtojnë hendekun, të paraqiten si udhëheqës të të gjithë kombit, të frymëzonin një ndjenjë pajtimi dhe uniteti. Ai jo. Shkencërisht, vazhdon të ecë në drejtimin e kundërt me rremat e tij: mbjell mosmarrëveshje, praktikon fyerjen dhe talljen, adhuron goditjen në shenjë kundër kundërshtarëve.

Kjo është një shenjë e Trumpit që në krye të herës, nuk është rasti për të folur për gafa apo gabime trashanike, përkundrazi.

Zbritja e tij në politikë u parapri nga një “ballon d’essai” domethënëse: katër vite para se të kandidonte, ai shfrytëzoi dhe përhapi gënjeshtrën e Barac Obamas mysliman, i lindur në Kenia, pra si i pazgjedhshëm dhe uzurpator i presidencës. Një shpifje, një fyerje personale ndaj presidentit në detyrë, si dhe një xhentëlmeni alergjik ndaj grindjeve; por edhe një sulm ndaj komunitetit afro-amerikan, me aludimin që një prej tyre në Shtëpinë e Bardhë ishte “natyrshëm” ilegjitim, një i huaj.

Në fushatën zgjedhore, lista e kategorive që Trump ka ofenduar u zgjat shumë. Fyerjet personale kundër Jeb Bush, Ted Cruz ose Marco Rubio ishin një shuplakë sistematike për establishmentin republikan. Ai ofendoi gjithë kategorinë e heronjve të luftës, me sulme ndaj senatorit të Arizonës John McCain (kur ai ishte një pilot në ushtri, u kap nga vietnamezët e veriut, “por ne na pëlqejnë ata që nuk kapen”, shkroi Trump) dhe prindërve të një ushtari musliman të rënë në detyrë, ndërsa shërbente për Amerikën në frontin e Irakut. Meksikanët u etiketuan si “përdhunues” nga ana e tij. Një gazetare e Fox News, e cila guxoi ta irritonte, mori disa aludime të rënda për ciklin menstrual. Kushdo që bën gabimin të besojë në ndryshimet klimatike, sipas tij bie në grackën e një “broçkulle të shpikur nga kinezët”.

Gazetarët janë gënjeshtarë, të shitur, njerëz të këqinj. Njerëzit me kufizime kanë parë Trumpin të tallet duke bërë karikaturën e një paraplegjiku. Magjistratë dhe latinos janë sulmuar sepse një gjykatës me origjinë hispanike guxoi ta ndjekë penalisht. Lista e mikro-segmenteve të vënë në shënjestër, i ngjan një teksti të letërsisë surrealiste: Adventistët e Ditës së Shtatë, banorët e New Hampshire, stafi i shfaqjes muzikore “Hamilton”, Snoop Dogg. Efekti është komik, por ka kategori shumë më të gjera që janë ndjerë të fyera, për shembull komuniteti hebre kur ai “zhdoganoi” neonazistët dhe antisemitët e Ku Klux Klan.

E megjithatë ka një kontradiktë që të vret sytë. Seksizmi i pafytyrë i Trumpit nuk i pengoi 53% të grave të bardha që ta votonin në 8 nëntor, në vend se të preferonin një grua si presidente të ardhshme. Në të njëjtën mënyrë, fyerja e kampionëve të futbollit me ngjyrë, multimilionerë të majtë, nuk do i humbasë asnjë votë mes atyre mekanikëve të bardhë të Midwest-it, të cilëve u detyrohet për mbërritjen në Shtëpinë e Bardhë. / La Repubblica – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button