Bota

Nga Fergusoni, tek trazirat nëpër botë. Dora e George Sorosit është kudo

Screen Shot 2016-08-18 at 22.20.15

E-maile të dala kohët e fundit, si dhe dosje të tjera të rrjetit të organizatave të miliarderit George Soros, po hedhin dritë mbi influencin e tij të madhe, në çështje politike dhe diplomatike.

Një seri e-mailesh nxjerr se titani i Wall Streetit i shkruajti personalisht sekretares së shtetit të asaj kohe, Hillary Clinton, duke i bërë thirrje për të ndërhyrë në trazirat politike në Shqipëri. Brenda pak ditësh, i dërguari që ai rekomandoi shkoi në rajon.

Të tjerë emaile duket se tregojnë që Sorosi ka përdorur miliardat e tij për të çuar përpara një agjendë kundër Izraelit, ndërkohë që të tjerë dokumenta tregojnë financimin prej Sorosit të organizatave të ndryshme, të cilat kishin lidhje me trazirat e vitit 2014 në Ferguson, Missouri.

Zbulimet burojnë kryesisht prej vjedhjes së emaileve kohët e fundit, nga ana e një grupi që quhet DC Leaks – i cili vetëpërshkruhet si “hacktivistë amerikanë, që respektojnë dhe vlerësojnë lirinë e shprehjes, të drejtat e njeriut dhe parimin e qeverisjes për popullin”.

Dosjet elektronike – 2576 të tilla, nga 2008 deri në 2016 – u nxorrën të shtunën e kaluar, për të ofruar një pamje më të qartë mbi operacionet politike të Sorosit.

Në një email të 23 janarit 2011, këshilltari i Sorosit, Jonas Rolett i dërgoi Richard Vermas, atëherë ndihmës sekretar shteti për çështjet ligjore, një letër “për Hilarinë”, në lidhje me situatën në Shqipëri. Në atë kohë, vendi po përjetonte një përshkallëzim të destabilitetit politik, si dhe të dhunës, shkaktuar prej akuzave për korrupsion e që përfshinin kryeministrin.

E-maili i Sorosit ofronte udhëzime se cili duhet të ishte reagimi i Amerikës, dhe ai i ofroi Clintonit emrat e tre ndërmjetësve të mundshëm, që mund të ofronin analizë për krizën. “Unë besoj se dy gjëra duhet të bëhen me urgjencë: 1. E gjithë pesha e komunitetit ndërkombëtar duhet të përdoret mbi Kryeministrin Berisha dhe udhëheqësin e opozitës, Edi Rama, që të ndalin demonstrimet e mëtejshme publike si dhe të ulin tonet e deklaratave publike. 2. Të caktohet një zyrtar i lartë europian si ndërmjetës”, thuhet në letër.

Ai sugjeroi tre ndërmjetës, duke përfshirë Miroslav Lajcakun, duke thënë se “të tre… kanë lidhje të forta me Ballkanin”. Më tej, ai shtonte: “Fondacioni im në Tiranë po e monitoron nga afër situatën dhe mund të ofrojë analizë të pavarur mbi krizën”.

Në fund, Lajcak u dërgua nga Bashkimi Europian për t’u takuar me udhëheqësit shqiptarë në Tirana, dhe punoi drejt dhënies fund të trazirave atje. Eshtë e paqartë nga e-mailet, nëse Departamenti i Shtetit i kish përcjellë e-mailet me rekomandime të Sorosit, drejt BE-së.

Në një tjetër dokument, Fondacioni për një Shoqëri të Hapur i miliarderit përpiqej të vinte theksin në atë që përshkruhet si “politikat raciste dhe antidemokratike të Izraelit”, pjesërisht duke vënë në dyshim “reputacionin e Izraelit si demokraci”.

Jerusalem Post shkruan se grupi ka dhënë 10 milionë dollarë që nga viti 2001 për organizata që promovojnë të drejtat e arabo-izraelitëve, duke u fokusuar në kundërvënien ndaj masave kufizuese të Izraelit.

Ndërkohë, e përditshmja The Washington Times raporton se ndihma financiare e Sorosit mbështeti grupe që nxitën protestat e 2014 në Ferguson.

Sipas dokumentave të taksimit, Sorosi shpenzoi 33 milionë dollarë për të mbështetur “grupe të krijuar tashmë, të cilët shkonin për fuqizimin e grupeve të aktivistëve në Ferguson”, shkruan gazeta.

Të dhënat tregojnë gjithashtu se themeluesi i Soros Fund Management, që ka 29 miliardë dollarë në asete, ka një interes të shprehur në zgjedhjet presidenciale të këtij viti.

Deri tani, ai ka financuar më shumë se 25 milionë dollarë për Clintonin dhe pjesëtarë të tjerë të Partisë Demokratike – ndonëse kjo shifër pritet të rritet me afrimin e datës së zgjedhjeve.

Sorosi ka hedhur para edhe për partnerë mediatikë dhe ka qenë një kontribues financiar kryesor për Qendrën për Progres Amerikan, një think tank liberal i krijuar nga John Podesta, shefi i fushatës së Clintonit.

Sorosi ka një marrëdhënie edhe me kandidatin republikan, Donald Trump. Në vitin 2004, titani i Wall Streetit i dha hua Trumpit 160 milionë dollarë për të ndihmuar në ndërtimin e Hotelit Ndëkombëtar Trump dhe Kullën në Chicago.

Në vitin 2008, të dy përmendeshin në një padi të Leslie Dick Worldwide Ltd, një zhvillues pasurish të paluajtshme. Padia, që më pas u tërhoq, kish të bënte me shitjen e ndërtesës së General Motors në New York City.

Një vit më vonë, dy miqtë miliarderë u panë bashkë në një festë Krishtlindjesh të organizuar nga Nouriel Roubini, sipas Daily Beast. /Fox News – Bota.al

Leave a Reply

Back to top button