Analiza

Nga Kievi në Hanoi, me fqinjët e “Ariut” dhe “Tigrit”

Thomas L. Friedman

nga kievi ne hanoiPër shkak të axhendës, javët e fundit më është dashur të udhëtoj në Kiev dhe në Hanoi, dhe kanë qenë dy udhëtime që më kanë zbuluar shumë gjëra. Ukraina është një fuqi e mesme, që jeton pranë një ariu gjigand, dhe Vietnami është një fuqi e mesme që jeton pranë një tigri gjigand. Ukraina po përpiqet shumë që të gjejë një mënyrë si të bashkëjetojë me një Rusi në rënie, e cila po e kërkon dinjitetin në gjithë vendet e gabuar – si për shembull në Krime – ndërsa Vietnami po përpiqet shumë të gjejë një mënyrë si të bashkëjetojë me një Kinë në ngjitje, e cila po kërkon naftë në të gjithë vendet e gabuar – si për shembull në ujërat territorialë të Vietnamit. Sjellja e Rusisë ndaj Ukrainës ka qenë: “Martohu me mua, ose do të të vras!” Ndërsa sjellja e Kinës ndaj Vietnamit ka qenë një variacion i thënies së famshme tek “Do të derdhet gjak”: “Unë kam një pipë të gjatë, kështu që do të pi edhe qumështin tim, edhe tëndin”.

Ndërkohë, Amerika po përpiqet të gjejë se si të mbështesë Vietnamin dhe Ukrainën në betejat e tyre ndaj fqinjëve gjigandë, pa u përzierë shumë në mosmarrëveshjet e tyre. Dhe unë, gjatë udhëtimit tim të gjatë, e vetmja gjë që kam bërë është të kujdesem që të mos porosis “Chicken Kiev” në Hanoi dhe “Chicken Spring Rolls” në Kiev.

Të dy konfliktet na thonë shumë në lidhje me botën e pas Luftës së Ftohtë. As ndërhyrja e Rusisë në Ukrainë, dhe as ndërhyrja e Kinës në ujërat territorialë të Vietnamit nuk bazohen mbi një ideologji të madhe apo aspirata globale. Të dyja bëhen për kontroll rajonal, nxitur prej nacionalizmit dhe konkurrencës për burime natyrore.

Një tjetër ngjashmëri është se si Rusia, ashtu edhe Kina, nuk janë angazhuar në agresion ndërkufitar me fqinjët e tyre, duke zgjedhur që të qëndrojnë prapa perdeve. Rusia përdori “burrat e gjelbër” në Ukrainë – rusë të armatosur dhe me kamuflazhe, identitetet e të cilëve nuk janë të qartë – dhe Kina dërgoi një flotilje me 70 anije civile si dhe disa anije të marinës në Detin e Jugut të Kinës. Ata hodhën një litar të gjatë me qëllime shpimi nënujor për naftë, 130 milje detare pranë brigjeve të Vietnamit, që do të thotë në ujërat e tij territorialë, por gjithashtu pranë Ishujve Paracel, që Kina pretendon se janë të sajët dhe që si pasojë i japin të drejtë Pekinit të kontrollojë një hapësirë të gjerë që rrethon këta ishuj.

Televizionet vietnamezë kanë transmetuar një film të animuar që rindërton konfrontimin: kur një varkë patrullimi e marinës vietnameze i doli përpara një anijeje më të madhe kineze, ajo e goditi anijen vietnameze, duke plagosur gjashtë marinarë. Më pas, një tjetër anije kineze përdori një top ujor gjigand për të larguar anijet vietnameze. Në Hanoi ky është një lajm që po bën bujë.

Në të dy rastet, Rusia dhe Kina përdorën taktika që të ishin aq të forta sa “t’u dalë e tyrja”, por të kalibruara që të mos galvanizojnë komunitetin ndërkombëtar që të reagojë fort. Megjithatë, koha e gjetur nga Kina, menjëherë pas vizitës së presidentit Obama në rajon – ku ai kritikoi pretendimet e tepruar të Kinës – duket se ishin një armë me ujë ngjeshur pas ballit të tij.

E vetmja mënyrë për të frenuar fuqi të tilla rajonale kur këto luajnë të fortin me fqinjin e tyre, është me anë të një koalicioni të të gjithë fqinjëve. Por koalicione të tillë janë të vështirë të ndërtohen kur rreziku i kanoset vetëm një shteti, është i një niveli relativisht të ulët dhe kur shteti që kërcënon (Rusia apo Kina) kontrollon kaq shumë tregtinë në pjesën tjetër të Azisë (rasti i Kinës) dhe kaq shumë furnizimin me gaz për Ukrainën dhe Europën (rasti i Rusisë).

“Në gjuhën vietnameze, ne kemi një shprehje: Eshtë e lehtë të thyesh dy shkopinj, por është shumë e vështirë të thyesh një grusht prej tyre”, më tha Ha Huy Thong, zëvendës kryetari i komisionit të marrëdhënieve me jashtë në Parlamentin Vietnamez. “Deri kur të ndërtohet një koalicion i tillë, Vietnami – si për ironi të historisë – e gjen veten me sytë nga Amerika, në kërkim të mbrojtjes nga predatori i tij historik, Kina”.

Le Duy Anh, 24 vjec, lektor në Shkollën e Biznesit në Hanoi më tha kur vizitova kampusin e tij se sa herë që Kina i bën diçka Vietnamit, këta njerëz shkojnë në Ambasadën amerikane në Hanoi dhe demonstrojnë. Për kaq shumë vite, Vietnami zhvilloi një luftë me Amerikën “duke u përpjekur t’ju dëbojë”, tha ai, “dhe tani ne demonstrojmë që ju të vini dhe të ndërhyni. Ne nuk duam gjakderdhje, kështu që na duhet dikush që t’i thotë dikujt tjetër që të qetësohet”.

Kështu amerikanët mund të mendojnë se ne e kemi humbur ndikimin tonë në botë, por e vërteta është që shumë popuj e duan “praninë” tonë më shumë se kurrë. Kjo është sidomos e vërtetë për ata që jetojnë në kufijtë e Rusisë dhe Kinës, të cilët janë pak a shumë gjysmë brenda dhe gjysmë jashtë sistemit të sotëm të globalizimit – përfitues prej regjimeve tregtarë dhe të investimeve, por revizionistë kur vjen fjala për të luajtur sipas rregullave në fqinjësinë e tyre. Ne mund të mos jemi kaq shumë të interesuar për botën, por një pjesë e madhe e botës është ende e interesuar për ne, dhe thonë: “Yankee, ejani”, dhe jo “Yankee, shkoni në shtëpi”.

Ne nuk do të hyjmë në luftë në asnjërin front. Dhe Rusia e Kina kanë gjithashtu pretendime që duhen marrë në konsideratë. Por nëse duam të bindim Moskën dhe Pekinin që të zgjidhin paqësisht këto mosmarrëveshje kufitare, na duhen shumë shkopinj të mbledhur në grushtin tonë. Prandaj aftësia e Amerikës për të ndërtuar koalicione është sot po aq jetike, sa edhe ushtrimi i fuqisë së saj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close