Analiza

Nga Lindja tek Balltiket, Europa e re kërkon më shumë peshë

Në Gjermani thuhet se në mendjen e shumë njerëzve, Muri i Berlinit nuk është shembur asnjëherë: paragjykimet nuk vdesin kollaj, dhe mikpritja ka qenë shpesh herë më pak e pranishme, mbi të gjitha në perëndim. Por i njëjti koncept mund të vihet re në Europë në tërësi, e cila shpesh herë e harron rëndësinë e zgjerimit të vitit 2004, kur një bllok prej dhjetë shtetesh që për vite të tërë ishin fshehur prapa Perdes së Hekurt i hipën trenit të BE-së. Eshtë e mjaftueshme të kujtosh evolucionin e disa ngjarjeve të kohëve të fundit, që nga kriza e Ukrainës, deri tek tratativat për më shumë fleksibilitet dhe emërimet në postet kryesorë të BE, për të kuptuar se sa urgjente është ndryshimi i mënyrës së të menduarit të BE-së, duke e zhvendosur bariqendrën më në Lindje.

image

Për shembull, nënvlerësimi është një gabim që Gjermania, për arsye gjeografike përvecse për faje historike, nuk mund ta bëjë dhe nuk e bën. Që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë, Ministri i Jashtëm gjerman, Steinmeier ka përfshirë gjithmonë homologun e tij polak, Silovski në tratativat delikate me ukrainasit dhe më vonë me rusët, për gjetjen e një zgjidhjeje diplomatike. Bashkë me kolegun francez Fabius, kanë formuar të ashtuquajturin “trekëndëshin e Veimarit”, i cili në fazën më dramatike të represionit të Maidanit kërkuan fundin e dhunës dhe largimin e presidentit të Ukrainës. Në atë moment, të tre bënë gabimin që nuk përfshinë Moskën, kjo po. Por më vonë, kur frontet në lindje të Oderit u përvijuan gjithnjë e më qartë, Steinmeier nisi vajtje-ardhjet në vendet e Balltikut, atje ku marrja e Krimesë zgjoi frikëra të mëdha për një ne-ekspansionizëm rus, dhe Rusinë, për të favorizuar rinisjen e dialogut.
Në Lituani, Letoni dhe Estoni, linja e dialogut me Moskën, e privilegjuar në Europë mbi të gjitha prej Berlinit dhe Romës, krijon prishje të humorit. Mbizotëron bindja, e cila vetëm është forcuar gjatë këtyre muajve dramatikë kur lufta civile është shtrirë edhe në Donetsk, se Putini nuk do të ndalet. Prandaj vizita e ministres së jashtme italiane, Mogherini në Moskë tek Putini, për t’i ofruar atij garanci për gazjellësin South Stream, nuk mund të mos provokonte zemërimin e balltikëve. Dhe tani ata po përpiqen të bllokojnë kandidaturën e saj për presidencën e Këshillit Europian – disa thonë se e bëjnë në favor të kandidaturës së polakut Tusk. Kryeministri polak konsiderohet nga balltikët një aleat i vyer në “linjën e ashpër” antiruse, pavarësisht marrëdhënieve të shkëlqyera me Merkelin. Gjatë një takimi të fundit dypalësh me kancelaren, ai ka deklaruar “se Europa është më e sigurtë kur Gjermania mbron më shumë interesat komunitarë se sa marrëdhëniet dypalëshe. Marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Rusisë nuk mund të jenë më të rëndësishme se sa ato europiane”. Por do të ishte e gabuar të injoroheshin sinjalet e irritimit që vijnë nga disa vende të Europës lindore, në lidhje me ofensivën franko-italiane për një zbutje të Paktit. Pas shumë sakrificave për të hyrë në BE, ata nuk shohin me sy të mirë përjashtimet që mund të bëhen për disa të tjerë.
E megjithatë Gjermania lëshon, edhe sepse një pjesë e madhe e opinionit publik mendono që është e domosdoshme të mbahen marrëdhënie të mira me Moskën, dhe jo vetëm për interesa ekonomikë. Kritikat e ish kancelarëve Schroeder dhe Schmidt kanë bërë përshtypje dhe kanë gjetur mbështetje të gjerë sepse kanë nxjerrë në pah një mënyrë të proceduari, nga ana e BE, që është politikisht miope dhe burokratike, në integrimin e ish vendeve të bllokut sovjetik. Vetëm shpërthimi i krizës ukrainase u ka hapur më në fund sytë, për faktin se ka qenë vetëvrasje injorimi i Moskës, të bërit gjoja për vite të tërë se Putini nuk ndihet i bezdisur “në oborrin e shtëpisë së tij” dhe injorimi sistematik i unionit doganor dhe ekonomik, që aspiron bashkë me republikat fqinje. Ja një rast në të cilin ishte harruar shumë shpejt se deri 25 vjet më parë, muri i shekullit të shkurtër e kishte ndarë Europën në dy botë. /La Stampa/
Pershtatur ne shqip nga bota.al

Leave a Reply

Back to top button