Bota

Nga Parisi në Kiev: Një aleanca e demokracive për të mbrojtur të drejtat dhe liritë

Nga Christian Rocca

Në Francë ekziston rreziku ende që partia që simpatizon Putinin, ajo e Marin Lë Pen, të pushtojë Elizenë. Në Hungari, Putini i vogël, Viktor orban do të udhëheqë trupat sovraniste nga brenda institucioneve evropiane edhe për të paktën 4 vjet të tjera.

Në Serbi fituan miqtë e Kremlinit, të cilët falë ndihmës së komisionerit hungarez për zgjerimin e BE-së, mund të forcojnë aksin e Vishegradit deri në vitin 2025, duke u bërë shteti i 28-të anëtar dhe i treti prorus. Në Slloveni, do të ketë së shpejti një rikonfirmim në pushtet të një tjetër partie antievropiane.

Në Amerikë, Trumpizmi është më i gjallë se kurrë më parë, dhe institucionet liberale dhe demokratike po vazhdojnë ta nënvlerësojnë atë. Në Itali po përgatitemi t’i dorëzohemi neo, ish dhe post-fashistëve të Xhorxhia Melonit, me bashkëfajësinë e një pjesë të Partisë Demokratike dhe Forza Italia që është ende e fiksuar pas “fesë së mazhoritarizmit, në vend se të angazhohemi për miratimin e një ligji zgjedhor proporcional, si ai i Asamblesë Kushtetuese, që të shmangë rikthimin e fashizmit në shekullin XXI-të.

Ndërkohë, Rusia, Kina dhe India po ndezin motorët e një aleance autoritare të regjimeve joliberale për të kundërshtuar botën e lirë, duke ngjallur edhe kureshtjen e sheikëve dhe emirëve arabë, të ajatollahëve iranianë dhe vasalëve afrikanë, si dhe të Brazilit të fashistizuar të Zhair Bolsonaros.

Me pak përjashtime, kjo në Itali nuk duket se i intereson askujt, ashtu siç nuk i interesonte as Ukraina deri 2 muaj më parë, apo denoncimet dhe paralajmërimet e Aleksei Navalnit apo Svetlana Cikanuskajës mbi qëllimet e vërteta të Moskës dhe Misnkut.

fakt ato as nuk u interesuan as rusëve, edhe pse Vladimir Putin i kishte shprehur fjalime dhe intervista të ndryshme planet mbi Ukrainën. Për më tepër, ai e kishte bërë tashmë diçka të tillë në Gjeorgji dhe Krime.

Përkundër këtij realiteti, disa ekspertë të gjeopolitikës këmbëngulën deri një ditë para pushtimit, pra deri më 23 shkurt, se tanket e vendosura nga Putin në kufirin me Ukrainën nuk do të sulmonin kurrë, duke injoruar të gjitha provat për të kundërtën.

Rezistenca nacionaliste e ukrainasve dhe ambicia e tyre evropiane e spikatur, e diktuar nga refuzimi radikal i modelit mesjetar rus, të cilin ata e njohin mirë, e kanë zgjuar Evropën dhe Perëndimin deri në atë pikë, saqë askush nuk mund ta imagjinonte 2 muaj më parë vendosmërinë dhe guximin e demonstruar javët e fundit nga liderët e botës së lirë, dhe në veçanti nga evropianët.

Beteja për Ukrainën, është mbi të gjitha një betejë ushtarake dhe humanitare për mbijetesën e një republike të pavarur dhe të një populli, të kërcënuar nga një tentativë tjetër për gjenocidnga ana e Rusisë. Por ajo është gjithashtu një betejë politike, kulturore dhe globale në mbrojtje të shoqërisë së hapur.

Evropa duhet ta ndalë Rusinë. Ajo duhet të çlirohet në një periudhë afatshkurtër dhe afatmesme nga varësia e saj energjetike, dhe ta rimendojë qeverisjen e Brukselit për të mbajtur larg antievropianizmin dhe antiliberalizmin e disa shteteve anëtare, që përfitojnë nga rregulli i unanimitetit në vendimet evropiane për të marrë përfitime nga anëtarësimi në klub, por duke refuzuar të respektojnë detyrimet.  

Nëse synohet të zgjerohet, Evropa duhet ta shfuqizojë parimin e unanimiteti. Vendimet në Bruksel duhet të merren me shumicë, dhe kushdo që nuk respekton sundimin e ligjit, shtyp opozitën, kontrollon gjyqësorin dhe nuk njeh të drejtat civile, nuk mund të jetë pjesë e klubitevropian, dhe sigurisht që nuk mund të sabotojë institucionet me të drejtën e vetos.

Ata që nuk duan të jenë më pjesë e BE-së, le të largohen, dhe ne le të mirëpresin menjëherë një vend si Ukraina, që po tregon me fakte se dëshiron të jetë evropian dhe anti-totalitar, dhe se pikërisht për këtë arsye u sulmua nga Rusia.

Natyrisht, për ta bërë këtë, Putini nuk do të duhet të pushtojë Parisin nëpërmjet Marin Lë Pen, një rezultat që do të ishte paradoksal pasi dëbimit nga Kievi. Po ashtu do të jetë e nevojshme që kombet demokratike të udhëhequra nga Amerika, ta kuptojnë se bota nuk mund të qeveriset së bashku me ata që nuk njohin parimet bazë të bashkëjetesës civile.

Evropa duhet të ndryshojë rregullat e lojës. OKB-ja me të drejtën e vetos të garantuar për Rusinë dhe Kinën, ka qenë prej kohësh një instrument i padobishëm. Trump duhet të arrestohet me akuzën e rebelimit dhe tentativës për grusht shteti.

Dhe duke qenë se kundërshtarët po përgatiten, ka ardhur koha që bota e të drejtave dhe lirive civile të formojë një aleancë globale të demokracive, e cila të jetë e aftë të frenojë kulturalishtdhe politikisht aleancën e liderëve autoritarë kundër Perëndimit. / Linkiesta” – Bota.al

Back to top button