Bota

Nga Siria në BE, sekretet e trafikut të begatë të pasaportave

trafiku

Nga Luc Mathieu

Liberation 

Duke caktuar çmimin, është e lehtë të pajisesh me një dokument të falsifikuar, i vjedhur apo i blerë një shtetasi evropian, për të kaluar kufijtë pa rrezik

Tashmë është konfirmuar që pasaporta siriane e gjetur  në afërsi të Stadiumit të Francës, i përkiste njërit prej kamikazeve që kryen aktet terroriste të Parisit. Ministrja e Drejtësisë, Christiane Taubira, argumentoi se bëhej fjalë për një pasaportë fallco. Xhihadisti kaloi nga Greqia, ku shenjat e gishtave të tij u zbuluan gjatë një kontrolli, sipas autoriteteve greke. Njeriu që vinte nga Turqia, kishte kaluar ishullin e Leros-it më 3 tetor dhe arriti në Serbi.

Rrjetet – Të marrësh një pasaportë fallco në Stamboll, nuk është e vështirë. “Ka një numër të madh rrjetesh. Madje dhe pas asnjë kontakt, mjafton t’i kërkosh një miku, ose me një të njohur sirian në  Facebook, i cili do të dijë, ose do të informohet. Brenda disa ditëve, ju e keni gjetur”, shpjegon një sirian, që ka imigruar kohët e fundit në Francë. Gjithçka varet pastaj nga çmimi që blerësi është gati të paguajë. Tarifat janë, nga më pak se 200 euro për një pasaportë fallco siriane të cilësisë së keqe, deri në 10 000 euro, për një pasaportë evropiane.

Rrjetet janë të furnizuara me dokumenta zyrtare – pasaporta, çertifikata lindjeje etj., qysh prej vitit 2012, kur kryengritja siriane e kaloi në rebelim ushtrinë. Kur luftëtarët e ushtrisë siriane, filluan të përparonin në qytetet si Alepi (në veri), morën mijëra pasaporta të paplotësuara në zyrat zyrtare të regjimit. Trafikantët e vendosur në Turqi, morën një pjesë të këtyre pasaportave. “I japin atyre një fotografi dhe informacione – emrin, moshën, vendlindjen, emrin e babës, etj. – që ata i kërkojnë. Ata i plotësojnë pasaportat dhe i vulosin. Duhet të llogarisësh më pak se 1 000 euro”, shpjegon i riu sirian.  Këtë lloj pasaporte përdorin kryesisht rebelët dhe civilët, të cilët nuk kishin dokument identiteti para revolucionit, dhe që tani shkojnë e vijnë nga vendi i tyre, në Turqi.

Stoqet – Por pasaportat më të preferuara janë ato të lëshuara në Evropë. Ato janë autentike: ose të vjedhura, ose të blera nga shtetas që i deklarojnë ato pastaj të humbura. “U thua trafikantëve, se në cilin vend dëshiron të shkosh. Ata të fotografojnë dhe kërkojnë pastaj në stoqet e tyre ndonjë person që të ngjet dhe me origjinë nga vendi që kemi zgjedhur. Kjo mund të marrë disa ditë. Kur ata e gjejnë, nganjëherë duhet të presësh flokët, ose të vësh lente kontakti, për të ndryshuar ngjyrën e syve dhe për t’i ngjarë sa më tepër që të jetë e mundur, fotografisë së pasaportës”, shpjegon i riu sirian.

Pagesa bëhet në dy herë: 5 000 euro përpara dhe 5 000 euro nëse arrin në vendin e dëshiruar.

s.m./Bota.al

Leave a Reply

Back to top button