Bota

Nga tregjet tek ekuilibri i brendshëm i BE, 5 pasojat e daljes së Britanisë nga BE

Screen Shot 2016-06-24 at 10.24.39

Jo vetëm krizë qeveritare dhe rënie në bursa, por edhe goditje e rendit liberal politik dhe ekonomik. 

  1. Kriza qeveritare

Përveç se do i japë një goditje të fortë ekonomisë së Britanisë, pasoja e parë do të jetë një krizë qeveritare. David Cameron tashmë ka dhënë dorëheqjen si Kryeministër dhe si udhëheqës i Partisë Konservatore.

Nëse nuk menaxhohet me kujdes, ky proces do të dëmtojë marrëdhëniet mes Londrës dhe kryeqyteteve të tjerë të BE. Këta të fundit do e interpretojnë votën pro daljes si një goditje të rëndë ndaj unitetit europian. Për hir të ruajtjes së atij uniteti, nuk do të ketë shenja bujarie nga ana e tyre, për marrëveshjet pas Brexit me Britaninë.

2. Tregjet financiare

Së dyti, Brexit do i bëjë tregjet financiare më të ndjeshme ndaj dobësive të eurozonës 19-anëtarëshe. Stërlina ka pësuar një rënie rekord në 30 vite.

Investitorët do të pyesin nëse, pas tronditjes së Brexit, qeveritë e eurozonës do të kenë vullnetin politik dhe mbështetjen publike për të forcuar arkitekturën e unionit monetar europian.

3. Lëvizjet politike kundër “establishment”-it

Lëvizjet politike, sidomos partitë e të djathtës ekstreme në Europën perëndimore do të marrin frymëzim nga Brexit. Ndër më të galvanizuarit do të jetë Fronti Nacional në Francë, udhëheqësja e të cilit, Marine Le Pen, synon vendin e presidentes në zgjedhjet e vitit të ardhshëm.

4. Integrim më i fortë

BE do të gjendet nën presion për propozime për një integrim më të ngushtë. Një plan si ai i vitit që kaloi, “Raporti i Pesë Presidentëve”, i cili mblodhi shumë shpejt pluhur në Bruksel, nuk do të mjaftojë.

Nëse një bashkim më i fortë ekonomik dhe monetar nuk është i arritshëm, francezët dhe gjermanët do të paraqesin plane për më shumë bashkëpunim, në fusha si mbrojtja dhe siguria e brendshme.

5. Ekuilibri i brendshëm

Në fund, Brexit do të prishë ekuilibrin e brendshëm në BE. Me Britaninë jashtë, shtatë anëtarët e bllokut që nuk kanë adoptuar Euron do të zënë vetëm 15% të prodhimit të BE, kundrejt më shumë se 30 % që zinin kur Britania ishte anëtare.

Brexit do të rrisë supremacinë politike dhe ekonomike të Gjermanisë në BE – një gjë që as Berlini dhe as partnerët e tij nuk e mirëpresin. Brexit do të dëmtojë kohezionin e BE, vetëbesimin dhe reputacionin ndërkombëtar.

Kështu që, pasoja më e madhe është se Brexit do të dëmtojë rendin politik dhe ekonomik liberal, të cilin e përfaqësojnë Britania, BE dhe aleatët dhe miqtë e tyre kudo në botë.

bota.al

Leave a Reply

Back to top button