Analiza

Ngjitja e Kinës: Versioni 2.0

Nga Jin Kai

The Diplomat

Kongresi i 19-të Kombëtar i Partisë Komuniste Kineze po tërheq vëmendje nga e gjithë bota. Sipas mediave kineze, nga një numër i përgjithshëm prej 3,068 gazetarësh të regjistruar, 1,818 (pothuajse 60 përqind) janë nga mediat e huaja. Gjatë konferencës, shumë vëmendje i është kushtuar jo vetëm asaj që Kina ka arritur në pesë vitet e fundit, por veçanërisht panoramës që ofrohet për të ardhmen.

Raporti i punimeve, i cili u shpërnda në ceremoninë e hapjes më 18 tetor nga Sekretari i Përgjithshëm i PKK, Xi Jinping, paralajmëron fillimin e një “epoke të re” për Kinën. Si një fjalë e re kyçe, “epoka e re” sinjalizon një fillim të ri, për zhvillimin e mëtejshëm të Kinës. Në fakt, pas 40 vitesh shfaqjeje të vazhdueshme, rritja e Kinës është vërtet në pragun e një epoke të re, ose siç e thotë raporti, “një moment i ri historik në zhvillimin e Kinës”.

Duke parë pas në kohë ngjitjen madhështore të Kinës që nga fundi i viteve 1970, vazhdimësia e strategjive dhe politikave kombëtare të zhvillimit, të hartuara nga një udhëheqje e fortë dhe efektive, kanë luajtur një rol të rëndësishëm. Investimet masive dhe të vazhdueshme janë orientuar në fusha vendimtare si infrastruktura, arsimi dhe kujdesi shëndetësor, që do të vazhdojë të lehtësojë kinezët si komb, për të realizuar ëndrrën e tyre për rimëkëmbje. Sot, Kina është ekonomia e dytë më e madhe në botë, dhe është gjithashtu në krye të shumë inovacioneve moderne të jetesës, si ndarja e biçikletave, pagesat përmes celularëve dhe hekurudhat e shpejtësisë së lartë. Kina është gjithashtu një lojtar gjithnjë e më i rëndësishëm në çështjet politike dhe ekonomike botërore.

Këto janë vetëm disa nga pikat kryesore, në atë që unë e quaj Rritja e Kinës, versioni 1.0. Hyrja në një “epokë të re” në zhvillimin e Kinës, me të vërtetë do të thotë një rritje e fortë në shkallë, për atë zhvillim tashmë 40 vjeçar. Për mendimin tim, ky kapërcim ka dy shtresa me rëndësi. Së brendshmi, politikat në “epokën e re” do të vazhdojnë të përsosin dhe rinovojnë zhvillimin e Kinës, me karakteristikat e veta. Ndërkohë, në lidhje me angazhimet ndërkombëtare të Kinës dhe rolin e saj në sistemin botëror që po ndryshon, duhet të ketë disa ndryshime apo përmirësime të rëndësishme në rritjen e Kinës, versioni 2.0. Për shembull, mund të presim që zhvillimi i Kinës të përqendrohet më shumë në proceset e “ndërtimit të komuniteteve”. Kjo do të ketë një domethënie të gjerë rajonale dhe globale, si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë politik.

Prandaj, ajo që më intereson më shumë për këtë “epokë të re”, është roli që Kina do të ndërmarrë në sistemin botëror në ndryshim, dhe sidomos qasja përmes së cilës kinezët do të përpiqen ta kuptojnë atë rol. Në fakt, Kina ka qenë një përfituese e sistemit ekonomik botëror ekzistues, dhe arritjet e mëdha ekonomike të Kinës, vështirë se mund të realizoheshin pa pjesëmarrjen e saj në globalizimin e iniciuar nga Perëndimi. Në njëfarë kuptimi, Kina ka qenë një “marrës”, që tani gjithashtu synon të veprojë si “dhënës” ose “kontribues”, ndaj rendit global.

Bota po përballet me probleme dhe çështje kronike të ndryshme, dhe ka pasur një tendencë “deglobalizimi”, veçanërisht në Perëndim. Në të ardhmen, mund të presim që Kina të marrë një rol më aktiv në qeverisjen globale, duke sugjeruar dhe ofruar zgjidhje më të përshtatshme dhe më të zbatueshme. Në përgjithësi, kjo nënkupton “vetëperceptimin” e ri të Kinës në sistemin botëror.

Një tjetër çështje kyçe është se si Kina do të garantojë paqësisht, rritjen e saj të mëtejshme. Një “koherencë e bazuar në rregulla”, e cila mund të kuptohet si një lloj i ri lidhjesh mes vendeve, në një kuptim më praktik, mund të jetë e vlefshme.

Ndërsa rritja e Kinës vazhdon, ajo duhet dhe do të bëjë rregulla të reja, por definitivisht nuk duhet ta bëjë këtë në një mënyrë që është e njëanshme, arbitrare ose përjashtuese. Unë besoj se ky parakusht është i domosdoshëm dhe i rëndësishëm në rritjen e Kinës, versioni 2.0. / Në shqip nga bota.al

Show More

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close