Bota

Ngritja e nacional socializmit: Pse revolucioni i Austrisë nuk ka përfunduar

Screen Shot 2016-05-25 at 08.59.03

Nga Anne Applebaum

Ka qenë tejet zbavitëse të shihje luftën e shtypit ndërkombëtar për të përshkruar Norbert Hoferin, kandidatin presidencial në Austri, që sapo ka humbur zgjedhjet për vetëm pak vota. Hofer kundërshton ashpër emigracionin, dhe përdor gjuhën nostalgjike mbi kulturën “pan-gjermanike”, pikëpamje që e vendos atë në kategorinë ”e ekstremit të djathtë” të politikës evropiane.

Në të njëjtën kohë, ai dhe Partia e tij e Lirisë denoncojnë konsensusin ekonomik “neoliberal” dhe shprehin keqardhje për të këqijat e kapitalizmit ndërkombëtar – pikëpamje që e vendosin atë në kategorinë “të majtës ekstreme” të politikës evropiane. Kjo është një përzierje konfuze dhe arsyeja se pse për të shpjeguar fenomenin Hofer dhe partinë e tij “Soziale Heimatpartei” – partinë e atdheu social – unë propozoj të rinxjerrim termin ”nacional socializëm” nga hiri i Luftës së Dytë Botërore.

Me nacional socializëm unë nuk nënkuptoj Hitlerin, dhe as nuk e kam fjalën për Holokaustin. Nuk e kam fjalën as për fashizmin, edhe pse natyrisht ne mund të mbërrijmë përfundimisht në atë pikë. Unë jam duke folur për një filozofi politike, e cila kombinon “nacionalizmin”- një besim të fortë tek rëndësia apo edhe superioriteti i grupit të vet etnik ose kombit-shtet – me “socializmin” ose besimin se shteti duhet të ndërhyjë shumë fort në ekonomisë kombëtare, dhe ndoshta edhe në fusha të tjera.

Për dekadat e shkuara, në Evropë dhe Amerikën e Veriut, këto ide kanë qenë kryesisht të ndara.

“Socialistët”, në mishërimin evropian e tyre të pasluftës, ishin thuajse të gjithë internacionalistë. Socialistët marksistë, besonin në triumfin përfundimtar të diktaturës së proletariatit ndërkombëtar. Socialdemokratët tek virtytet e integrimit evropian dhe bashkëpunimi. Konservatorët nuk flasin më aq shpesh për virtytet tradicionale kombëtare, ose të paktën për vlerat tradicionale.

Por në botën anglo-saksone, ata zakonisht i kanë bashkangjitur këtyre ideve në një filozofi të liberalizmit ekonomik dhe kufijve të hapur. Në Evropën kontinentale, Kristian Demokratët mbështetën me entuziazëm Bashkimin Evropian dhe tregjet e tij të integruara. Ka pasur disa pengesa, nga vende si Spanja e Frankos dhe Portugalia e Salazarit.

Por, për shumicën e gjysmë-shekullit të fundit, nacionalizmi i ashpër dhe ekonomitë e dominuara nga shteti nuk qenë të lidhura me njëri-tjetrin. Nuk është më kështu:Në të gjithë Evropën, partitë që njihen si “e djathta ekstreme” janë duke e rimodeluar shpejt veten, duke përshtatur politika dhe përdorur një gjuhë që dikur do të tingëllonte si marksiste. Partia e Fronti Nacional i Marin Lë Penit në Francë mban tashmë tubime vjetore në 1 maj, festën e socialistëve të vjetër internacionalistë.

Në këto aktivitete, edhe ajo sulmon politikat “neoliberale” dhe “elitat e globalizuara”. Në vend të tyre, ajo dëshiron një “shtet muskuloz”, që takson importet, rrikthen proteksionizmin dhe shtetëzon kompanitë e huaja dhe bankat. Jo rastësisht, edhe ajo dëshiron të tërhiqet si nga Bashkimi Evropian ashtu edhe nga NATO. Shtetëzimi – ose më mirë “ri-shtetezimi”- nuk është vetëm një parullë, por një politikë e qeverisë aktuale në Hungari. Kryeministri hungarez, Viktor Orban, një ish-ithtar i tregut të lire, tani thurr lirika në lidhje me fatin e Hungarisë dhe sulmon Bashkimin Evropian.

Në të njëjtën kohë, ai përdor haptazi taksat dhe rregulloret ndëshkuese për të trembur bankat e huaja. Qeveria e Polonisë, që aktualisht drejtuar nga Partia Ligjit dhe Drejtësi, flet gjithashtu për “ri-Polonizim” të bankave të huaja dhe mediave, duke kombinuar me kujdes retorikën nacionaliste dhe ekonominë socialiste në një frazë të vetme.

Por atëherë, ato që zakonisht cilësohen si premtimet e “krahut të majtë” për shpenzime të larta sociale tashmë janë shumë të zakonshme tek e “djathta” e re. Partia e Pavarësisë së Britanisë së Madhe, e cila dëshiron që Britania të dalë nga BE-ja, së bashku me partitë nacionaliste  skandinave – Partia Popullore daneze, Demokratët Suedezë – përkrahin gjithashtu një shtet të zgjeruar të mirëqenies sociale, edhe pse natyrisht ato duan të sigurohen që paratë të shpenzohen vetëm për të britanikët, danezët dhe suedezët etnikë.

Rritja e mbështetjes për të gjitha këto parti, i atribuohet zakonisht valës së emigrantëve që vijnë në Evropë nga Siria dhe Afrika e Veriut. Ndërsa anti-emigracioni, është një gur prove emocional për të gjithë ata, vështirë se dikush ka vërejtur se partitë nacional-socialiste janë ndërkohë duke mbledhur votat e zgjedhësve të mërzitur nga socializmi miqësor për biznesin e qendrës së majtë, dhe pragmatizmi i qendrës së djathtë.

Ndoshta kjo nuk është për t’u habitur: Tashmë ka kaluar një brez që nga rënia e komunizmit sovjetik. Centralizimi, nacionalizimi dhe proteksionizmi, duken të gjitha si ide të reja për njerëzit që nuk i mbajnë mend ato. Pak kujtohen varfërinë që kanë krijuar, apo edhe korrupsionin. Edhe më pak akoma mbajnë mend se çfarë ndodhi herën e fundit që ideologjitë e fuqishme nacionale u kombinuan me kontrollin shtetëror të ekonomisë.

Është kaq e vështirë të imagjinohet një Evropë me kufij dhe barriera tregtare, sa që ngjan e vështirë që kjo ide të mund të përdoret si një kërcënim. Paralajmërimet nuk funksionojnë, dhe as mësimet e historisë. Pas kaq shumë dekadash, e shkuara shndërrohet në një klishe, një histori e treguar shumë herë që të ketë kuptim.

Këtu dhe tani, në të tashmen, njerëzit duan ende një shpërblim emocional nga politika, dhe jo menaxhim ekonomik. Zgjedhje e së djelës në Austri shkuan kundër valës nacional-socialiste, por kjo nuk do të thotë se këto politika do të zhduken. Revolucioni u ndërpre në Austri, por s’do të thotë se ka marrë fund.

Shënim: Anne Applebaum është drejtoreshë e Programit “Global Transitions” në Institutin Legatum në Londër. / “The Washington Post” – Në shqip nga www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button