Edhe presidentët më të pushtetshëm janë njerëz. E si të gjithë njerëzit edhe presidentët ndiejnë indinjatë dhe hidhërim, kur ndihen të tradhëtuar prej miqve. Por megjithatë presidentët kanë ndonjëherë mundësi më të mira se shumica e njerëzve të tjerë, për ta shprehur pakënaqësinë e tyre lidhur me miqësinë e zhgënjyer. Presidenti rus Vladimir Putin sidoqoftë e shfrytëzoi fjalimin e tij vjetor përpara përfaqësuesve të shtetit dhe të shqoërisë ruse, për t’i dhënë fund publikisht miqësisë me ish-shokun dhe homologun turk Rexhep Taip Erdogan.
Fundi i një miqësie
Vetëm para pak javësh Erdogani qendroi në Moskë, për të inaguruar atje me Putinin xhaminë më të madhe në Rusi. Në deklarimet me këtë rast që të dy vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera bilaterale, që siç duket janë forcuar vazhdimisht vitet e fundit.
Por me rrëzimin e bombarduesit rus SU-24 mbi territorin kufitar turko-sirian për Putinin bota ndryshoi me 180 gradë: Turqia dhe personalisht presidenti turk Erdogan janë për të shembëlltyra e re e armikut. Pa e përmendur me emër homologun e tij, presidenti rus akuzoi “autoritetin qeverisës” në Turqi për bashkëpunim me terroristët dhe e cilësoi rrëzimit e avionit ushtarak rus si një krim lufte, për të cilin ata do të pendohen. E si për ta theksuar edhe më fort këtë, Putin me thumbim aspak diplomatik shtoi, se Allahu “klikës qeverisëse në Turqi” si ndëshkim për mëkatet e saj i ka marrë mendjen. E thënë troç në rusisht: miqësia ka marrë fund një herë e përgjithmonë!
Ndonëse Putin e ka përjashtuar një përgjigje direkte ushtarake ndaj politikës turke, ai ka shpallur – edhe pse jo në formë të precizuar – një sërë masash ndëshkuese të palës ruse kundër Turqisë. Mund të pritet ndërprerja e projektit të linjës së gazsjellësit Turkish Stream apo anullimi i planit për ndërtimin nga Rusia të një centrali atomik në Turqi.
Më shumë se sa një ndjenjë
Atakimet e ashpra të Putinit me siguri që nuk kanë të bëjnë vetëm me kontekstin personal, që Putin e ndjen veten të tradhëtuar dhe të mashtruar personalisht prej Erdoganit. Më tepër pas retorikës anti-turke fare qartë qendron edhe një kalkulim politik i Kremlinit: e gjithë propaganda kundër-perëndimore e krijuar në krizën e Ukrainës mund të përqendrohet tek Turqia. Kjo i përshtatet për mrekulli strategjisë ruse për ta çarë izolimin perëndimor të Rusisë përmes koalicionit kundër IS-it, pa qenë e nevojshme të hiqet dorë nga mentaliteti i fortifikatës që i duhet Kremlinit për të ruajtur pushtetin e brendshëm. E njëkohësisht me këtë Kremlini hedh farën e përçarjes në radhët e NATO-s, ku kryesisht Franca dhe Turqia që pas sulmeve islamike në Paris pozicionohen ndryshe në çështjen e Sirisë.
E tek e fundit nuk duhet harruar, që miqësia turko-ruse e viteve të fundit mes Putinit dhe Erdoganit ishte një anomali historike. Kontradikta të ashpra gjeopolitike i kanë karakterizuar marrëdhëniet ruso-otomane prej shekujsh. Ndaj përkeqësimi aktual i marrëdhënieve mes Moskës dhe Ankarasë është si një kthim në normalitet dhe pritet që kjo të vazhdojë të mbetet kështu edhe më tej.
Linku: Deutsche Welle