Fundi i programit të ndihmave për Greqinë tregon se si qeverisë në Athinë ashtu edhe Bashkimit Europian u mungon guximi për ta thënë të vërtetën. Me largimin e pritshëm nga valuta e përbashkët euro Greqisë i kërcënohet një katastrofë e gjatë ekonomike dhe politike. Kthimi në euro pas një pauze është iluzionist, thuhet në një koment të radios gjermane WDR.
Ky 27 qershor 2015 është një ditë historike për Greqinë dhe për Europën – mjerisht në kuptimin më të keq që mund të merret me mend. Programet e mangëta të ndihmave të BE-së mund të korrigjohen, qeveritë jokompetente në Athinë mund të largohen në zgjedhje. Por falimentimi i shtetit dhe dalja e pritshme e Greqisë nga valuta e përbashkët euro nuk mund të kthehen prapa.
Heqja dorë nga euro do ta hedh këtë vend në një katastrofë të gjatë ekonomike dhe politike. Do të shtojë spekulimet se cili do të jetë shteti i ardhshëm që do ta braktis anijen e euros në fundosje e sipër. BE do të harxhojë së paku po aq miliarda sa programet e deritanishme ndihmëse për të evituar dridhjet e rënda sociale. Është iluzion i rrezikshëm të besohet se kthimi në valutën dhrahmi na qenkësh ndoshta ilaçi më i mirë për Greqinë, këtë xhuxh ekonomik, sepse pastaj vogëlushi do ta merrte veten në kopshtin e valutës së vet të devalvuar, do të bëhej konkurrent dhe një ditë do ta pasuronte eurozonën si partner i shëndoshë ekonomik në vend se të jetë barrë për kuletën e taksapaguesve të shteteve me euro.
Ky konstrukt naiv i një pushimi të shkurtër dhe çlodhës grek nga euro nuk ka të bëjë asgjë me realitetin. Ai do të fillojë tanimë kur pas gjashtë muajsh, ndoshta pas një viti bankënotat e reja, pa marrë parasysh ç’emër do të kenë, do të gjenden në trezorët e bankave dhe bankomatëve grekë. Deri atëherë do të duhej të operohej me dëftesa borxhi. Sidoqoftë, këto do të duhej t’i përdornin ata që nuk kanë mundur të ruajnë grumbuj dollarësh apo eurosh në shtëpi apo në ndonjë xhirollogari në të ashtuquajturat oaza të taksave.
Falimentimi i Greqisë dhe fundi i euros në Greqi do të ishin një katastrofë për të gjithë, para së gjithash për europianët e bindur si Wolfgang Schäuble dhe Angela Merkel. Ku ka vullnet, aty mund të gjendet edhe rrugëdalja, ka thënë kancelarja. Për fat të keq kryeministrit grek Aleksis Cipras po i mungojnë vullneti dhe guximi për t’i thënë popullit grek se qëndrimi në euro është shansi i vetëm i mbijetesës për vendin dhe për këtë arsye reformat e mëtutjeshme janë të pashmangshme. Për shembull është i nevojshëm reformimi i njërit prej sistemeve më të shtrenjta dhe më joefikase të pensioneve në Europë.
Nga ana tjetër ministrit gjerman të financave Schäuble, kancelares Merkel dhe kolegëve të saj nga BE-ja po u mungon guximi për të thënë se Greqia kurrë nuk do të mund të rrëzojë kodrën me borxhe dhe një pjesë e madhe e miliardave të dhëna si kredi për taksapaguesit janë humbur pa kthim.
Derisa Cipras këmbëngulë në programin e tij elektoral, një program ky i pafinancueshëm dhe për këtë arsye edhe i rrejshëm, dhe derisa huadhënësit e tij europianë besojnë në fiksionin qesharak të kthimit të borxheve – me një fjalë: derisa të dy palëve u mungon vullneti për të vërtetën nuk ka rrugë për shpëtimin e euros për Greqinë në këtë të shtune të zezë për Europën. Tema