AnalizaMAIN

Një e ardhme alternative për Evropën

Nga Angelos Chaniotis

“Kathimerini”

Sipas një anekdote të njohur në disa variante, disa njerëz debatojnë se çfarë do të kishte ndryshuar në historinë e botës nëse Nikita Khrushchev do të ishte vrarë në vitin 1963 në vend të John Kennedy. Një burrë shteti i njohur dha një përgjigje shumë të zgjuar: “Vetëm një gjë është e sigurt:Onassis nuk do të ishte martuar me të venë e tij!”.

“Historitë alternative”, janë burimi i romaneve magjepsëse si “Dominion” i C.J.Sansom  i vitit 2012, në të cilin Lordi Halifax bëhet kryeministër në maj të vitit 1940, në vend të Winston Churchill, dhe Britania e Madhe kapitullon përballë Gjermanisë naziste, ose “Komploti kundër Amerikës” i Philip Roth i viti 2004, në të cilin imagjinohet sikur piloti pro-nazist Lindbergh zgjidhet president i Shteteve të Bashkuara në vitin 1940.

Historia alternative, është një stërvitje interesante mendore edhe për historianët. Çfarë do të kishte ndodhur nëse në vitin 1920 qeni pastor i mbretit grek Aleksandër nuk do të kishte provokuar një majmun makak, që më pas e kafshoi duke i marrë jetën në moshën të hershme dhe e privuar nga froni?

Historia alternative na lejon të kuptojmë më mirë arsyet pse gjërat dolën ashtu siç dolën. Por po ashtu mund të na frymëzojë të imagjinojmë për të ardhmen, diçka që nuk ishte e mundur në të kaluarën. Në vitin 1991, Boris Yeltin vendosi në tavolinë perspektivën e anëtarësimit të Federatës Ruse në NATO.

Ky propozimi u përsërit nga Putin në vitin 2000, me kushtin që vendi i tij të mos priste në radhë. Po çfarë do të kishte ndodhur nëse Yeltsin, në vend se t’i afrohej NATO-s dhe “udhëheqësit të botës perëndimore”, do të kishte vepruar si një burrë shteti evropian.

Çfarë do të kishte ndodhur nëse ai do t’i drejtohej Mitterrand, Kohl dhe Major, për të propozuar krijimin e një aleance të vendeve evropiane në dobi të interesave evropiane? Cilat do të kishin qenë pasojat për Lindjen e Mesme, krizën e refugjatëve, varfërinë dhe urinë në Afrikë, apo zhvillimi i Kinës? Një perspektivë e tillë ishte jo realiste në vitet 1990. Udhëheqësit politikë në atë kohë ishin të përndjekur nga e kaluara. Perceptimet e tyre ishin formuar nga Lufta e Ftohtë. Në Perëndim kishe një eufori të madhe nga rënia e regjimeve komuniste. A është ajo që ishte joreale 30 vjet më parë, e padëshirueshme dhe e paarritshme në të ardhmen?

Lufta në Ukrainë i dha “puthjen e jetës” NATO-s, dhe e bëri sërish SHBA-në garante të sigurisë së vendeve evropiane. Por sistemi presidencial në Shtetet e Bashkuara nuk garanton vazhdimësi në politikën e jashtme.

Tërheqja e SHBA-së nga detyrimet ndërkombëtare, është tashmë bindja e shumë njerëzve në Partinë Republikane, pavarësisht nëse ata i mbështesin apo jo zhvillimet në realitet. Kur ishte kandidat për presidenti, George W.Bush, nuk mund të tregonte dot në hartë se ku ishte Afganistani; ndërsa 2 vjet më vonë bëri luftë atje.

Armiqësia e Donald Trump ndaj aleatëve evropianë është një fakt i njohur. Më 21 prill, ai deklaroi hapur se nëse zgjidhet sërish president, nuk do të përmbushte detyrimin e SHBA-së për të mbrojtur aleatët e saj, në rast se ata nuk rrisin në mënyrë dramatike shpenzimet e tyre të mbrojtjes.

Rikthimi i mundshëm i republikanëve në pushtet nën sloganin “Amerika e Para”, do të ketë pasoja të rëndësishme si për NATO-n po ashtu edhe për Evropën. Por edhe nën presidentin aktual Joe Biden, SHBA-ja nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi për mbrojtjen me Britaninë e Madhe dhe Australinë në shtatorin e vitit 2021, pa u konsultuar me partnerët e tyre evropianë.

SHBA kujdesej për interesat e veta; evropianët hezitojnë të parashikojnë një të ardhme alternative për Evropën. Gjatë një lufte, ndryshimet në aleancë nuk ndodhin vetvetiu. Ato përgatiten nga udhëheqës që mendojnë mbi baza afatgjata.

Lufta në Ukrainë ka të ngjarë të jetë e gjatë, dhe dobësimi i Rusisë do të jetë gradual, jo i shpejtë. Shumë i shpejtë duket se është eksodi i anëtarëve të elitës shkencore dhe intelektuale ruse. Ndërsa Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë mundësinë e dhënies së vizave më të shpejta për rusët me diploma të avancuara për ta dobësuar Rusinë, evropianët po qëndrojnë duarkryq.

Truri që po ikën sot nga Rusia, kur të rikthehet nesër pas ndryshimit të regjimit, mund të bëhet një forcë për ndryshim drejt një Pakti Evropian të Sigurisë, për ta zëvendësuar Traktatin aktual të Atlantikut të Veriut. Vetë Putin deklaroi në një intervistë me David Frost në vitin 2000: “Rusia është pjesë e kulturës evropiane. Dhe nuk mund ta imagjinoj vendin tim të izoluar nga Evropa”. Një Evropë alternative nuk është një utopi.

Shënim: Angelos Chaniotis, profesor i historisë së lashtë dhe klasikëve në Institutin për Studime të Avancuara në Princeton University, New York.

Back to top button