Ekonomi

Një fitore si e Pirros

Screen Shot 2015-07-07 at 1.50.28 PM

Nga Josef Janning

“European Council of Foreing Relations”

Qytetarët folën, dhe Greqia do t’i qëndrojë një kursi, që po e çon vendin ende drejt ujërave të panjohura. Kjo është një fitore e Aleksis Cipras në shtëpi, por nëse ai nuk është i aftë të tregojë sesi mund të hartojë një strategji për të fituar lehtësimin e borxheve, përpara ndërmarrjes së reformave të kërkuara, ajo mund të shndërrohet shpejt në një fitore të kushtueshme për të jashtë vendit.

Partnerët grekë të eurozonës, tanimë e dinë se partneri i tyre negociator, do të vazhdojë të jetë një qeveri e udhëhequr nga Syriza, dhe gjithashtu janë të vetëdijshëm se besimi i kësaj të fundit tek strategjia për të detyruar BE dhe FMN të miratojnë një lehtësim të ri të borxhit, është forcuar edhe më shumë.

Në vetvete, rezultati i referendumit nuk do ta rrisë vullnetin apo mundësinë e partnerëve të Greqisë për të ofruar një marrëveshje të tillë, përkundrazi ai mund të nxisë përkeqësimin e mëtejshëm të situatës në vend. Më së pari, duket se kjo dramë do të zhvillohet me Greqinë brenda eurozonës. Athina nuk është e gatshme për t’u larguar, dhe Bruselit i mungojnë instrumentet për ta përzënë atë.

Nëse vuajtjet e popullit grek vazhdojnë, ngjan e besueshme që Greqia e Ciprasit, mund të jetë në gjendje për të luajtur me kartën e solidaritetit, që evropianët duhet të dëshmojnë ndaj popullit grek. Nocioni i kohezionit mes BE dhe shteteve anëtare, si dhe ideja e tyre të integrimit në Evropë, do të thotë se ata munden edhe t’i vijnë në ndihmë, kur kostoja humanitare e kësaj krize është bërë tepër e lartë.

Cipras duket se e di këtë, ndaj ai është në gjendje të besojë tek ky refleks i evropianëve. Ndërkaq, ajo që duket se nuk ka gjasa të ndodhë, është një reform themelore e shtetit grek. Sipas standardeve të BE-së, Greqia është një shtet i dështuar, një republikë me një pakicë republikanësh. Kjo nuk është as e re, dhe as pasojë e referendumit.

Përkundrazi, ky ka qenë rasti për shumë vite dhe që vetëm u ekspozua brutalisht nga kriza financiare e vitit 2008. As qeveria e Syriza-s dhe as paraardhëset e saj, s’kanë treguar vullnet të mjaftueshëm politik, nuk kanë marrë mbështetjen e nevojshme popullore dhe as aftësinë administrative për të ndryshuar tërësisht republikën, me qëllim ndërtimin e një shtet të ri, të bazuar në shtyllat e qeverisjes së mirë, të përgjegjshme dhe efektive.

Rezultati i referendumit të së dielës, bën që reforma të tilla të duken më të largëta se kurrë më parë. Por në rast se Greqia ka qenë historikisht e pavullnetshme ose e paaftë për të bërë ndryshime, paaftësia e FMN-së dhe BE-së për të zbatuar këto ndryshime, ka qenë shfaqur në mënyrë kategorike.

Me ndihmën e tyre, Greqia bleu kohë, dhe kushtëzimi i një mbështetje të tillë, ka çuar në shkurtime masive në buxhetin publik, por që nuk e zgjidhën rrënjësisht problemin. Dështimi i qeverive të njëpasnjëshme greke dhe institucioneve ndërkombëtare, në fund rezultoi në zvogëlimin e gjasave për një ndryshim pozitiv në Greqi, në ndarjen e përgjegjësisë politike, dhe në ngjitjen e  ekstremistëve në pushtet.

Në këtë kuadër, cilat do të jenë hapat e ardhshëm, çfarë mund të bëjë Cipras, dhe si mund të reagojë eurozona, BE dhe FMN ? Së pari, këtë javë, qeveria greke do të rikthehet në Bruksel dhe kërkojë një raund të ri negociatash. Ajo do të pranojë pjesë të caktuara, por jo të gjitha rezultatet e përkohshme të draftmarrëveshjes së 25 qershorit, duke shtuar një skemë për lehtësimin e borxhit të saj, me synim shlyerjen e gjithë borxhit të papaguar deri në fund të vitit.

Pa këtë lehtësim, Cipras nuk do të nënshkruajë asgjë, dhe kërcënojë se nuk do të shërbejë borxhin ndaj FMN dhe BQE. Nga ana e saj, FMN-ja nuk ka thuajse asnjë hapësirë ​manovrimi:ajo është e detyruar nga rregullat e saj. Klauzolat e huasë kanë hyrë në fuqi, dhe Greqia nuk mund të marrë më asnjë financim të mëtejshëm përmes FMN-së.

Për më tepër, në sytë e analistëve të FMN-së, tani është në diskutim qëndrueshmëria e borxhit të Greqisë. Qeveria e Syriza-s bëri çfarë mundi për të sjellë këtë përfundim, dhe në rast se financimi i ri i FMN-së vihet në dispozicion, kjo do të kërkonte masa për të arritur qëndrueshmërinë e borxhit.

E gjitha kjo luan me strategjinë e qeverisë Cipras:ose Greqia do të shpëtojë nga kësti i borxhit ndaj FMN dhe nuk do të paguajë 3.6 miliardë euro, ose do të mbrojë variantin e ndryshimit të afateve të borxhit apo rishkimin e tij në negociatat me BE-në.

Partnerët grekë të eurozonës, nuk do të duan të nxitojnë për arritjen e një marrëveshje me Athinën. Në vend se t’u jepen kërkesave greke, qeveritë e eurozonës më së pari do të duhet të bien dakord mbi atë që mund të punojnë, nëse me të vërtetë çdo gjë tek e fundit do të funksionojë. Kjo mund të përfshijë lloje të ndryshme kushtëzimesh dhe monitorimi, si praktikimi i tutelës për shtete të veçanta anëtare, për të cilat do të duhet të merret pëlqimi i Greqisë.

Në bazë të negociatave të qershorit, ndryshimi i afatit apo reduktimi i borxhit do të jetë jashtë çdo lloj diskutimi. Nuk ka shumë gjasa se do të bihet dakord nga të gjitha nga 18 qeveritë e eurozonës mbi të ardhmen e Greqisë, dhe do të thuajse e sigurtë se do dështojë në një ose më shumë nga 5 parlamentet, të cilat kanë për të votuar mbi një marrëveshje.

Pagesa tjetër ndaj FMN-së është në 13 korrik, e pasuar nga rreth 3.4 miliardë euro ndaj Bankës Qëndrore Evropiane dhe bankat qëndrore kombëtare një javë më vonë. Deri në këtë pikë, situata do të mbetet kritike në sektorit bankar grek, dhe për këtë arsye po kështu edhe kufizimet dhe kontrollet e kapitalit.

Në rast se Greqia nuk do të paguajë BQE dhe bankat qëndrore, humbjet e para të vërteta do të duhet të fshihen nga borxhet. Opsionet e Dragit, për t’u mbështetur tek asistenca emergjente e likuiditetit (ELA) për bankat greke do të jetë e ezauruar, dhe kështu BQE s’do do të mund të ofrojë asistencë të mëtejshme.

Bankat, bizneset dhe qytetarët grekë, do të duhet të kënaqen fondin jo të vogël të parave të thata  në euro, por një afat bankar që do t’i  detyrojë bankat greke të mbyllen, duket se ka më shumë të ngjarë të ndodhë. Të gjitha këto, do ta bëjnë arritjen e një marrëveshje, edhe më e komplikuar se sa më parë. Pasi në atë pikë, Greqia mund të zgjedhë të mos shlyejë një tjetër këst ndaj BQE prej 3.2 miliardë euro borxh që ka si afat 20 gushtin.

Në këtë mënyrë, qeveria mund të vijojë të jetë në gjendje të paguajë faturat dhe pagat e saj edhe për disa muaj, duke shtyrë datën e prezantimit të një monedhe thuajse paralele me euron. Ndërkohë, ekonomia e vendit do të zhytej në recesion më të thellë, edhe pa patur qasje në shërbimet financiare.

Në të njëjtën kohë, qeveria greke do të vinte në zbatim versionin e vet të reformës së borxhit, duke shpallur pamundësinë për t’i paguar FMN-së një pjesë të borxhit total prej 21 miliardë eurosh, si dhe një pjese tjetër të borxhit 27 miliardë eurosh ndaj Bankës Qëndrore Evropiane dhe bankave qëndrore kombëtare.

Në mënyrë të njëanshme, Greqia do ta vendoste BE para faktit të kryer, me shpresën e qëndrueshmërisë së këtij realitet të ri, në tryezën e mëvonshme të bisedimeve vonë. Konflikti politik, do të rritet së bashku me këtë unilateralizëm, ndërsa disa qeveri të BE-së do të kërkojnë të hakmerren, duke i vënë veton çdo lëshimi të mëtejshëm në Greqi, dhe laguar edhe më tej palët nga njëra-tjetra.

Me asnjë palë të gatshme për të lëshuar, është e vështirë të parashikohet sesi mund të shmanget kjo sekuencë ngjarjesh. Dhe gjërat mund të marrin për shumë më keq, sesa ky skenar makthi supozon se publiku grek duhet të qëndrojë i qetë në mes të stuhisë politike që është gati të shkarkohet mbi të.

Në fushatën mbi referendumin, Cipras ka evokuar krenarinë dhe identitetin e popullit grek – Davidi që i reziston Golias – dhe ndërsa ky perceptim do të ndihmojë gjatë javëve të ardhshme, ai s’mund të zgjasë përgjithmonë.

Në kundërpërgjigje, arkitektët e eurozonës kanë nevojë të lëvizin më shpejt. Nëse të gjitha palët rrinë me armët ngrehur, një segment i vogël i eurozonës mund ta përçajë bashkimin monetar, dhe krijojë fërkime në fushat kryesore të politikave të tilla si tregu i vetëm dhe zona e Shengenit. Kremlini, do t’i shikonte këto zhvillime me kënaqësi të madhe.

Por me Gjermaninë dhe Francën në krye të lokomotivës, mbeten pengesa të mëdha. Merkel dhe Holond nuk mund të lëshojnë ndaj kërkesave greke, pa krijuar potencialisht probleme të mëdha për veten e tyre. Çdo perceptim i një fitore të Syriza-s, mund ta dëmtojë situatën në Spanjë dhe Portugali.

Dhe ndërsa Gjermania mund të ndërhyjë për ta ndihmuar Greqinë financiarisht, dhe thyer kësisoj ngërçin, pa angazhime të reja nga Athina, ky do të jetë fundi i lidershipit të Merkelit. Pra, jemi kthyer aty ku e kemi filluar. Lëvizja për çështjen e borxhit, do të duhet të lidhet me një program për reforma më të thella. Nuk ka asnjë mënyrë tjetër.

Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button