Analiza

Një Komision shumë politik në krye të BE-së

Jean-Pierre Stroobants
LE MONDE

Ekipi i Junckerit ka punuar fort për të përmbushur prioritetet e tij, ekuilibret politike dhe gjeografike evropiane, si dhe një paritet relativ meshkuj-femra. “U panë 54 versione të organigramës, deri në çastet e fundit”, sipas një burimi në Parlamentin Evropian. Ja emrat

komisioniNë përfundim të një vere intensive bisedimesh, luksemburgasi Jean-Claude Juncker, i cili do të zëvendësojë José Manuel Barroson në krye të Komisionit Evropian në 1 nëntor, paraqiti të mërkurën “kolegjin” e tij me 26 komisionerë.
Një për shtet anëtar, pa Luksemburgun (tashmë me postin që ai mban), dhe Italinë, pasi Federica Mogherini në fund të gushtit u caktua përfaqësuesja e lartë për politikën e jashtme, dhe në të njëjtën kohë zëvendës-presidente e Komisionit.
Ekipi i Junckerit ka punuar fort për të përmbushur prioritetet e tij, ekuilibret politike dhe gjeografike evropiane, si dhe një paritet relativ meshkuj-femra. “U panë 54 versione të organigramës, deri në çastet e fundit”, sipas një burimi në Parlamentin Evropian.
Ish presidenti i Eurogroupe, një mjeshtër i vjetër i të fshehtave të Brukselit e din që ai është shumë i pritur për zgjedhjet e tij të BE-së për pesë vitet e ardhshme. Pas dy mandateve të José Manuel Barrosos, ai shpreson një Komision më të fortë dhe më politik.
Francezi Pierre Moscovici mori atë që Franca dëshironte, portofolin strategjik të çështjeve ekonomike dhe monetare, i ngarkuar me mbikëqyrjen buxhetore  (rregulli famshëm  i  3 % të defiçitit).
Gjermani Günther Oettinger mori ekonominë e novacionit dhe të IT-së, një nga prioritetet e ardhshme të Komisionit. Britaniku Jonathan Hill nuk u servir keq, duke marrë shërbimet financiare, megjithë kritikat që bëri kryeministri britanik  David Cameron kundër emrimit të  Junckerit.
Ajo që bie në sy në këtë administratë të re është pesha e vendeve të Lindjes dhe të veriut. Polonia, e cila mori presidencën e Këshillit Evropian (Donald Tusk), mori postin e tregut të brendshëm, me ish zëvendës-kryeministren Elzbieta Bienkovska. Me suedezen Cecilia Malmström (tregtinë ), e cila do të ushtrojë një mandat të dytë dhe danezen Margrethe Vestager, Skandinavia forcon praninë e saj në Bruksel me portofolin e konkurencës.
Nuk ka “Riciklim”
Numri i “peshave të rënda” politike bie gjithashtu në sy, me gjithsejt pesë kryeministra, (apo ish kryeministra) – nga të cilët sigurisht, Jean-Claude Junckeri – tre zëvendës-kryeministra dhe shumë ministra në funksion plotësojnë ekipin.
Këtë rradhë nuk mund të akuzohet Brukseli për “riciklim” politikash të padëshirueshme në vëndet e tyre … Shembulli që bie më tepër në sy është pa dyshim ai i finlandezit Jyrki Katainen, 43 vjeç i cili ka hequr dorë nga mandati i tij si kryeministër, për t’iu bashkuar ekipit të Brukselit.
Junckeri beson në një organizim të ri me emërimin e një grushti zëvendës-presidentësh, të ngarkuar sidomos për dosje të gjykuara prioritare.
Me “super-komisionerë” që do të kenë një rol koordinatorësh dhe përfaqsimi. Ato nuk disponojnë një drejtori të përgjithshme me disa qindra funksionarë në shërbimin e tyre, por që do të gëzojnë një pjesë të prerogativave të presidencës: aftësinë për të imponuar axhendën e tyre.
Qëllimi është që të arrihet në një organizim më të përqëndruar në sfidat e mëdha komunitare … Ideja është pritur mirë në Bruksel, edhe pse ka ngritur pikëpyetje: A do të kenë sukses Zëvendës-presidentët, që të imponohen pa pasur administratë? A do të konsumohen ata në luftën për territore me komisionerët mbi të cilët “ushtrojnë kontroll”? Vendet e mëdha – Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, të kujdesshëm si gjithmonë, kanë preferuar portofole “klasike”.
Disa vëzhgues në Bruksel e përshkruajnë ekipin e ri si  “më ambiciozi qysh prej kohës të Jacques Delors” (nga viti 1985 deri në vitin 1994). Junckeri  personalisht i gëzohet faktit që ai është presidenti i parë pak a shumë i caktuar më shumë nga zgjedhësit evropianë, se sa nga vetë kryetarët e shteteve, që kanë një legjitimitet që nuk i njihet.
Dosjet përvëluese
Komisioni i ardhshëm nuk duhet të humbasë kohë, pasi dosjet përvëluese grumbullohen. Duke filluar me krizën ukrainase. Episodi ukrainas, që nisi nga një tentativë partneriteti e negociuar me ngathtësi me Evropën, dhe i parë nga Moska si një akt agresioni, ka vërtetuar, thekson ekonomisti Andre Sapir, anëtar i një think-tanku në Bruksel, se BE –ja nuk ka “strategji globale në raport me fqinjët e saj, në një mjedis shumë të luhatshëm”.
Dosje tjetër prioritare janë ekonomia, ku aktualisht rritja ekonomike evropiane nuk po bën progres, papunësia ka mbetur në nivele të papranueshme dhe deflacioni po kërcënon.
Juncker njoftoi se Komisioni i tij do të ketë një orientim shumë ekonomik. Ai ka bërë një njoftim: dëshiron të vejë mbi shina një plan për një hov të ekonomisë prej 300 miliard euro, për tre vjet, që Evropa të mos shpenzojë më për infrastrukturat e saj energjetike, telekomin  etj.
Vendet e mëdha – Franca, Italia, Gjermania – e mbështesin këtë projekt. Por si do të luhet kjo muzikë? Nga do të merren 300 miliard euro, kur dihet që ato do të jenë veçse para publike? Temë tjetër e zjarrtë janë: si do të përmbushen  kërkesat e paktit të stabilitetit dhe të rritjes ekonomike dhe vështirësitë e disa shteteve të mëdha anëtare – Franca dhe Italia, me ekonominë e dytë dhe të tretë në zonën euro – që do të diskutohen në shqyrtimin e buxheteve parashikuese të vitit 2015, të cilët do të paraqiten nga Komisioni qysh në muajin nëntor? “Shtetet e vogla anëtare denoncojnë tashmë një lexim me dy shpejtësi të traktateve : ato zbatohen për vendet e vogla dhe jo për ato të mëdha”, thekson një burim evropian.
Më në fund imigracioni është gjithashtu një dosje shumë urgjente. “Çështja është jashtëzakonisht delikate, por duhet që Evropa të pajiset mjete të vërtetë kontrolli të kufijve të saj”, vlerëson ekonomisti André Sapir. “Politikat tona të përbashkëta në fushën e imigracionit dhe të azilit nuk mund të funksionojnë në qoftëse ne nuk mund të pengojmë një fluks të pakontrolluar të imigrantëve të paligjshëm”, përgjigjet Juncker. Gjithësesi, shton ai, urgjenca humanitare është që të evitohen Lampeduza të tjera.
Njëzet e tetë antarët e organit ekzekutiv  të BE-së
7 zëvendës-presidentë
Frans Timmermans Zëvëndës presidenti i parë (Hollandë)
Andrus Ansip, Dixhital (Estonie)
Alenka Bratusek, Energji (Slloveni)
Valdis Dombrovskis, Euro (Letoni)
Kristalina Geogervia, Buxheti (Bullgaria)
Jiyrki Katainen, Rritja ekonomike (Finlandë)
Federica Mogherini, për politikën e jashtme (Italia)

Komisionerët e tjerë
Politika rajonale: Corina Cretu (Rumania)
Drejtësia: Vera Jourova (Republika Çeke)
Tregtia: Cecilia Malmström (Suedi)
Konkurenca: Margarethe Vestager (Danimarkë)
Energjia dhe ndryshimi klimatik: Miguel Arias Canete (Spanjë)
Shërbimet financiare: Jonathan Hill (Britania e Madhe)
Arsimi: Tibor Navracsics (Hungari)
Aksioni humanitar: Chrystos Stylianides (Qipro)
Migracioni, të drejtat dhe çështjet e brendshme: Dimitris Avramopoulos, (Greqi)
Bujqësia: Phil Hogan (Irlandë)
Dixhitali: Günther Oettinger (Gjermani)
Tregu i brendshëm: Elzbieta Biekovska (Poloni)
Punësimi dhe çështjet sociale: Marianne Thyssen (Belgjikë)
Kërkimi shkencor : Carlos Moedas (Portugali)
Çështjet detare dhe peshkimi: Karmenu Vella (Maltë)
Bashkëpunimi: Neven Mimica, (Kroaci)
Ekonomia dhe çështjet monetare: Pierre Moscovici (France)
Transportet: Maros Sefcovic (Sllovaki)
Politika e fqinjësisë: Johannes Hahn (Austri)
Shëndetësia dhe siguria ushqimore: Vyentis Andriukaitis (Lituani)

Leave a Reply

Back to top button