AnalizaEkonomiMAIN

Një marrëveshje që i jep fund iluzioneve të Brexit

Nga Martin Wolf

Pas 4 vjet e gjysmë mundime, kemi arritur në fund të rrugëtimit të Brexit. Kemi një marrëveshje. Ajo është në mënyrë të pashmangshme, një marrëveshje e dëmshme për ekonominë britanike, krahasuar me qëndrimin brenda Bashkimin Evropian.

Por është shumë më mirë se marrëzia e daljes nga unioni pa asnjë marrëveshjeje. Mbi të gjitha, ajo garanton një marrëdhënie pune me fqinjët e ngushtë të Britanisë së Madhe, dhe partnerët kryesorë ekonomikë të saj.

Por asnjë qeveri e përgjegjshme, nuk do t’ua vështirësonte jetën bizneseve, për t’u përshtatur me pasojat e kësaj situate të re. Dhe akoma më pak do ta bënte këtë në mesin e një pandemie. Ky që ndodhi do të mbetet një divorc idiot dhe i panevojshëm. Por edhe realiteti i Brexit, mund të sjellë disa përfitime.

BE-ja tashmë duhet të ketë parë disa të tillë. Nëse Britania do të kishte mbetur në BE, me siguri që unioni nuk do të ishte në gjendje të binte dakord mbi fondin e tij të rimëkëmbjes nga pandemia prej 750 miliardë eurosh. Tani e tutje, BE do të jetë në gjendje të ecë më shpejt drejt objektivave të saj të përbashkët.

Edhe për Britaninë, Brexit do të sjellë përfitimin e madh të ndarjes së realitetit nga mashtrimi. Disa iluzione janë zhdukur që tani. Mbështetësit e Brexit, i thanë qytetarëve se do të ishte e lehtë të sigurohej një marrëveshje e shkëlqyer e tregtisë së lirë me BE-në, pasi Londra kishte në duar “të gjitha letrat”.

Në fakt, kjo është dëshmuar shumë e vështirë, dhe që nga viti 2016 Britanisë i është dashur të bëjë lëshime të vështira, sidomos mbi paratë që i detyrohej BE-së, kufirit irlandez, dhe kërkesave të Brukselit për një “fushë të barabartë”.

Këto mashtrime u mbështetën nga disa të tjera. Midis tyre ishte ideja se Britania dhe BE-ja do të negocionin si “sovrane të barabarta”. Po, BE dhe Britania janë njëlloj sovrane. Por kjo e fundit nuk është po aq e fuqishme sa e para. Ekonomia e Britanisë, është më pak se 20 për qind e asaj të BE-së.

Në vitin 2019, 46 për qind e eksporteve britanike shkuan në BE, ndërsa vetëm 15 për qind e eksporteve të BE-së (me përjashtim të tregtisë së saj të brendshme) shkuan në Britani. Marrëdhënia ekonomike BE-Britani i ngjan më shumë asaj midis Kanadasë dhe SHBA-së. Siç thekson Xhonatan Portes i Kolegjit Mbretëror të Londrës, marrëveshja tregtare e imponuar Kanadasë dhe Meksikës nga SHBA-ja është shumë ndërhyrëse.

Duke pasur parasysh këtë ç’ekuilibër, dhe fiksimin e britanikëve me sovranitetin e tyre, Britania ka fituar një marrëveshje të mirë. Në parim ajo është simetrike. Por çdo veprim nga BE për të “ri-balancuar” politikat e saj, në përgjigje të një veprimi nga Britania, do të ketë një ndikim shumë më të madh tek kjo e fundit, se sa anasjelltas.

Në mbrojtje, arsim, strehim, shëndetësi, zhvillim rajonal, investime publike dhe mirëqenie, Britania e Madhe kishte tashmë kryesisht kontrollin e vet kombëtar. Por britanikët janë gati të humbin mundësitë e vlefshme për të bërë biznes apo për të jetuar, studiuar dhe punuar në BE.

Ata nuk do të mund të “marrin sërish kontrollin” mbi jetën e tyre, përkundrazi po e humbin atë. Edhe atje ku në teori kontrolli do të rifitohet, realiteti mund të jetë tronditës.

Në fakt, Britania e Madhe në fakt ka ruajtur një qasje relativisht të favorshme (megjithëse dukshëm më të keqe) për prodhimet, në të cilat ka një disavantazh krahasues, ndërsa pranon një trajtim dukshëm më të keq të shërbimeve, në të cilat ka një avantazh krahasues.

Në fakt, ajo luftoi më shumë për kontrollin mbi peshkimin, që gjeneron 0.04 për qind të produktit të brendshëm bruto, sesa për shërbimet që gjenerojnë pjesën më të madhe të PBB-së. Xhonson premtoi se Britania do të “përparojë fuqishëm” edhe pa një marrëveshje.

Por praktikisht të gjithë ekonomistët bien dakord, se Britania e Madhe do të jetë dukshëm më e varfër në planin afatgjatë, madje edhe nën këtë lloj marrëveshje, sesa po do të kishte mbetur anëtare e BE-së. Në dyshim është ndërkohë edhe mbijetesa e Mbretërisë së Bashkuar.

Skocia dhe Irlanda e Veriut, mund të shkëputen nga unioni. E para për t’iu bashkuar BE-së, duke argumentuar se edhe ajo dëshiron gjithashtu që “të marrë sërish kontrollin” e vetes, dhe e dyta t’i bashkohet me Irlandën dhe kësisoj dhe BE-së.

Pra Brexit është në shumë aspekte, ekuivalenti anglez i premtimit të Donald Trump për “ta bërë Amerikën sërish të madhe”. Një ndryshim i madh është se ndryshe nga koha e Trumpit si president i SHBA, Brexit është përgjithmonë. Është thuajse e sigurt, se ai do të dëmtojë në mënyrë të përhershme prosperitetin dhe ndikimin e vendit. Por këtë mund ta zbulojmë vetëm tani. Le të shohim dhe mësojmë. / “Financial Times” – Bota.al

Back to top button