nga Diana Pinto
Pamjet e krizës së refugjatëve në Europë, kanë vënë përbri turmave të buzëqeshura në Vienë dhe Mynih, fytyrat e zymta, jomikpritëse në BUdapest. Rezultati ka qenë një shtim i komenteve mbi “dy Europat” – njëra mikpritëse, tjetra ndaluese. E vërteta është se mosmarrëveshjet në lidhje me pyetjen nëse shtetet duhet të pranojnë refugjatë, nuk janë unike për Europën. Kontrasti që po shfaqet është simptomë e një çarjeje të thellë në botën perëndimore.
Ndarja përshkon SHBA, Bashkimin Europian dhe Izraelin – dhe po kaq e rëndësishme është ajo edhe përgjatë komuniteteve të hebrenjve dhe të krishterëve. Nga njëra anë janë politikanët si kancelarja gjermane, Angela Merkel, Presidenti i Komisionit Europian, Jean Claude Juncker, presidenti i SHBA, Barak Obama, ish ministri izraelit i Mirëqenies dhe shërbimeve sociale, Isaac Herzog, dhe figura fetare si Papa Francesku. Nga ana tjetër janë Kryeministri hungarez, Victor Orban, politikania nacionaliste franceze, Marine Le Pen, kandidati presidencial në SHBA, Donald Trump, Kryeministri izraelit, beniamin Netanyahu, Kardinali i Hungarisë, Peter Erdo, si dhe legjione të tërë të klerit europiano lindor.
Secili prej kampeve ka një pikëpamje të ndryshme, në lidhje m e rolin që refugjatët luajnë në shoqëri. Grupi i parë përbëhat nga ata që i konsiderojnë vlerat demokratike, si më të rëndësishme se sa identitetet etnikë apo kombëtarë. Në pikëvështrimin e tyre, kushdo që u bindet ligjeve të një vendi, mund të bëhet nënshtetas me të drejta të plota dhe të kontribuojë për vitalitetin e vendit të ri.
Sipas kësaj pikëpamjeje, përfshirja e “tjetrit” – njerëz nga vende dhe kultura të ndryshme – nuk e shkatërron identitetin kombëtar; ajo e pasuron me ide dhe sjellje të reja. Mbështetësit e kësaj ideje tregojnë të huaj, apo pasardhës të tyre, që kanë arritur në pozicione të larta në vendet e adoptuar: një anëtar latin në Gjykatën e Lartë të SHBA, gjykatës kushtetues në Gjermani, me origjinë turke, prefektë francezë, prindërit dhe gjyshërit e të cilëve kanë ardhur nga Afrika e Veriut, lordë dhe baronesha britanike me rrënjë në Afrikë dhe Karaibe, dhe shkrimtarë italianë, me prejardhje indiane.
Mbështetësit e kësaj pikëpamjeje i shohin gardhet dhe muret si fyerje për njerëzimin, provë e faktit që, ata që i ndërtojnë dhe i ruajnë, nuk kanë besim tek gjallëria dhe forca e vendeve të tyre. Mbi të gjitha, ata i përmbahen një diskursi universal, të bazuar në ligjin ndërkombëtar, si dhe në parimet etike, morale dhe fetare.
Të krishterët dhe hebrenjtë në këtë kamp theksojnë se mikpritja e të huajve dhe njerëzve në nevojë qëndron në zemër të feve të tyre respektive. Afrimi i njerëzve në nevojë është një imperativ etik, dhe jo një zgjedhje e kushtëzuar politikisht. Pavarësisht faktit që shumica e refugjatëve vijnë nga toka arabe të njohura për antisemitizmin e tyre dhe qëndrimin anti Izrael, intelektualët hebrenj kanë qenë unanimë në mikpritjen e tyre me krahë hapur. Ndërkohë, Papa Francesku ka qenë i qartë, se vlerat kristiane përfshijnë edhe kujdesin për refugjatët.
Në anën tjetër të hendekut janë ata që i tremben tjetrit, si një rrezik për identitetin kombëtar. Reagimi i tyre instiktiv është të ndërtojnë gardhe dhe mure, sa më të gjatë që të jetë e mundur, qoftë në kufirin mes Meksikës dhe SHBA, në kufirin e Izraelit me Egjiptin, apo në kufirin e Hungarisë me Serbinë (apo edhe me Kroacinë anëtare të BE). Nuk është koincidencë që politikëbërësit hungarezë dhe bullgarë po u kërkojnë kompanive izraelite, asistencë teknike për të ndërtuar gardhet e tyre.
Ata që bëjnë pjesë në këtë kamp nuk besojnë se shoqëritë civile dinamike mund të integrojnë njerëz të origjinave të ndryshme brenda mjediseve demokratikë, apo që vendet e tyre mund të përfitojnë nga mikpritja e tyre. Rreziku i disa mollëve të kalbura (trafikantët meksikanë të drogës, terroristët islamikë, migrantët ekonomikë, apo ata që urojnë të nxjerin fitime nga sistemet e mirëqenies sociale) zënë më shumë peshë se sa dobia që shumica e të ardhurve të rinj do të sillte me vete.
Ky kamp nuk beson as në konventat ndërkombëtare mbi të drejtat e azilkërkuesve apo detyrimin e vendeve firmosës për t’i pritur. Cdo apel ndaj të drejtave të njeriut vihet në lojë si naivitet i rrezikshëm, ashtu si dhe përmendja e detyrimeve moralë dhe fetarë. Në vend të tyre, theksi vihet tek mbrojtja e “kombit” kundër viruseve të huaj. Këto pikëpamje nxiten jo vetëm prej politikanëve, por edhe prej autoriteteve fetarë me peshë, duke përfshirë të djathtën evangjeliste në SHBA, priftërinjtë katolikë në Europën Lindore, dhe rabinët nacionalistë në Izrael.
Kjo përplasje e qytetërimeve perëndimorë nuk mund të jetë më e rëndësishme. Ata që mbyllin dyer dhe ndërtojnë mure, nuk i përkasin të njëjtës familje si ata që mirëpresin njerëzit në nevojë, në emër të vlerave më të larta. Parimet themelore të traditave tona demokratike janë në lojë – parime që po dobësohen prej vetë përplasjes.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2015. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate – A Clash of Western Civilizations
Bota.al