Bota

Një përplasje SHBA-Rusi, prapa grushtit “të vockël” të shtetit në Turqi?

Roli i paqartë i Obamës dhe deklarata e tij kundër rebelëve: Një fitore e tyre do të kishte forcuar Putinin në zonë

Screen Shot 2016-07-17 at 17.33.00

Gian Micalessin

Tani mund ta themi, ai grusht shteti kishte lindur i deformuar dhe para kohe, por ai që e “mbyti në djep”, ishte dajë Obama. Kush do të rrëfejë më vonë natën kur Rexhep Taip Erdogani u duk se u lëkund përballë goditjeve të gjeneralëve të tij, nuk mund të injorojë rolin e Shtëpisë së Bardhë.

Dhe kështu, ndërkohë që Erdogani, ende jo në gjendje të vlerësonte revoltën, i besonte një videomesazhi Barak Obama asgjësonte armiqtë e tij, me një komunikatë sa të thjeshtë, aq edhe efikase. Një komunikatë në të cilën, ai dhe Sekretari i tij i Shtetit, Xhon Kerri, njihnin legjitimitetin e plotë të presidentit turk, dhe i garantonin mbështetjen e plotë të Amerikës. “Presidenti dhe Sekretari i Shtetit, bëjnë të ditur se në Turqi të gjithë palët duhet të mbështesin qeverinë e zgjedhur në mënyrë demokratike, të shfaqin moderim dhe të shmangin dhunën dhe gjakderdhjen”.

Pas atyre tri radhëve, çdo gjë u bë e qartë. Uashingtoni nuk kishte plane për të braktisur një president që – edhe pse i akuzuar për mosrespektim të të Drejtave të Njeriut, marrëdhënie të errëta me Shtetin Islamik dhe ambicie të dukshme autoritare – mbetej e vetmja fytyrë e njohur, në një natë të pasigurt dhe të errët. Një natë kur askush në Uashington, Pentagon dhe CIA nuk imagjinonte dot, se çfarë Turqie do të dilte.

Një Turqi e shqyer nga lufta civile? Një Turqi rrezikshmërisht afër Moskës? Apo një Turqi e një Erdogani sidoqoftë fitimtar, por e mbushur me mëri ndaj një Amerike fajtore se e braktisi? Mes këtyre llogarive, duke u konsultuar jo vetëm me Kerryn, por edhe me drejtuesit e Forcave të Armatosura dhe shërbimeve të fshehtë, peshonnin pikëpyetje shumë të rëndësishme. Para së gjithash, konfliktit me Rusinë e Vladimir Putinit, i ndjekur nga lufta kundër ISIS-it në Sirinë fqinje. Dy çështje parësore, të cilave u shtoheshin edhe të panjohurat rreth 60 kokave me mbushje bërthamore në bazën ajore të Inçirlikut, dhe ato të një Europe që rrezikonte, në rast se do mbretëronte kaosi, që të shihte një pushtim të ri prej refugjatëve.

Sigurisht në këtë “kazan” të panjohurash gjeopolitike, ajo që e shqetësonte më shumë Pentagonin dhe Sekretarin e Shtetit, që sapo është kthyer nga Moska, ishin marrëdhëniet me Rusinë. Turqia është – që nga Lufta e Ftohtë – aleati i domosdoshëm për të siguruar thellësi strategjike të NATO-s, në ato zona të rëndësishme që shtrihen nga kufiri iranian, në Kaukaz, nga Deti i Zi në Kaspik. Një thellësi strategjike, që bën të vlejë, qoftë edhe një aleat i paqartë, i pasigurtë dhe i pakëndshëm si Erdogani. Për të mos përmendur që, të vije bast për puçistët, në vend të atij Sulltani të krisur, ishte njësoj si të humbisje një herë e mirë ndeshjen siriane, duke firmosur e mbijetesën e Bashar Asadit dhe duke i dhënë një tjetër fitore të rëndësishme Putinit.

Por mbi të gjitha, nëse nuk vihej bast për Erdoganin, për kë tjetër mund të vihej? Pavarësisht nga qindra miliarda të investuara në spiunazhin tradicional dhe elektronik, CIA, NSA, DIA dhe të gjitha agjencitë e tjera të inteligjencës amerikane, dukeshin të verbëra dhe të zëna në befasi, përballë një revolte krejt të papritur ushtarake. Një revoltë në të cilën ata nuk ishin në gjendje të gjenin ndonjë profil kuptimplotë, që mund të shfaqej si një aleat potencial alternativ. Dhe në këtë errësirë të madhe, ishte edhe e panjohura Moskë. Kush mund të garantonte se të revoltuarit, nuk kishin kontakte me Putinin? Një Putin që kërcënonte se do të shfrytëzonte rënien e Erdoganit, për t’u bërë mbreti i padiskutueshëm i Lindjes së Mesme./ Il Giornale – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button