Bota

Një planet në udhëkryq

Nga Pascal Acot

Aktualisht, grumbullimet urbane përbëjnë habitatin e pjesës më të madhe të njerëzimit. Në vitin 1960, jetonte në qytet rreth 33.5% e qenieve njerëzore. Në vitin 2015, popullsia urbane botërore kishte arritur në pothuaj 54%. Dhe sipas OKB-së, në vitin 2050, kjo shifër do të arrijë në 66%.

Pra, që nga vitet pesëdhjetë, zhvillimi urban përbën një faktor thelbësor për rëndësinë e situatës. Kombinimi i disa kushteve atmosferike në zonat urbane, është shndërruar tashmë në një karakteristikë shqetësuese. Valët e të ftohtit sjellin një konsum të paparashikuar të lëndëve djegëse dhe stabiliteti i masave të ajrit provokon një përqëndrim të lartë të mbetjeve të dëmshme, “pluhurat e hollë”, jo vetëm në qytetet e rëndësishme, por edhe në disa lugina alpine, për shkak të trafikut të madh të mjeteve të rënda.

Këta pluhura të hollë, që janë më pak se 0.25 mikrometra në diametër (quhen edhe mikronë në gjuhën e sotme), nxirren prej mjeteve që punojnë me motorrë termikë vecanërisht ndotës, si motorrët diesel, por jo vetëm prej tyre. Praktikisht, mjetet me motorr termik dhe impiantet për ngrohjen e banesave nuk janë fajtorët e vetëm: nën akuzë janë edhe mbetjet e gazta në industri dhe në bujqësi.

Zgjidhjet janë të njohura, të paktën teorikisht. Dhe kemi shumë arsye për të shpresuar që të zgjidhim aspektet më të vështirë të problemit. E shohin të gjithë se masat e kufizimit të trafikut në qytetet e mëdha nuk zgjasin shumë. Aktivitetet tregtare, turizmi, shërbimet dhe jeta e përditshme e banorëve të periferive që punojnë në zonat qendrore penalizohen prej këtyre masave të emergjencës. Si kompensim, zhvillimi i automjeteve elektrike dhe përmirësimi i mjeteve publike përbëjnë zgjidhje që janë me arsye më të qëndrueshme e të përballueshme. Dhe problemi është i gjithi këtu: në dimër, disa qytete duhet të marrin masa emergjence. Çështja bëhet edhe më vendimtare, kur mendon se është e shoqëruar nga një tjetër nevojë shumë e rëndësishme për të ardhmen ekologjike të planetit: ajo e tranzicionit energjetik (që do të kishte pasoja dobiprurëse edhe për ngrohjen e klimës). Sot më shumë se kurrë, qytetet tona ndodhen në një udhëkryq. Do të ishte mirë që, spektakli ndonjëherë i dhimbshëm që japin politikanët e paaftë për të menduar përtej skadimit të mandatit të tyre elektoral, t’i linte vend politikanëve në gjendje të shohin përtej hundës së tyre. / Në shqip nga www.bota.al

  • Pascal Acot është filozof dhe historian i shkencës

Leave a Reply

Back to top button