Letersi

Një shans i dytë mbi Tokë, për racat e dënuara me njëqind vjet vetmi. Fjalimi brilant i Garsia Markezit, kur mori Çmimin “Nobel”

Screen Shot 2015-11-18 at 21.55.43

Antonio Pigafetta, një lundërtar fjorentinas në udhëtimin e parë përreth botës, shkruante, në lidhje me momentin e kalimit të tokave tona të Amerikës jugore, një rrëfim i saktë që megjithatë i ngjan një aventure në botën e fantazisë. Ai shkruan se kish parë derra me kërthizat në ijë, zogj pa kthetra që i lëshonin vezët në shpinën e zogjve meshkuj, dhe të tjerë, që ngjanin si pelikanë pa gjuhë, me sqepin si lugë. Ai shkruan se kish parë një krijesë bastarde, me kokën dhe veshët e një mushke, trupin e një gamilje, këmbët e një dreri dhe hingëllimën e një kali. Ai përshkruan se si, të parit vendas që takuan në Patagonia, i dhanë një pasqyrë, dhe se si më pas, gjigandi humbi ndjenjat prej tmerrit të pamjes së tij.

Ky libër i shkurtër dhe magjepsës, i cili që atëherë përmbante farat e romaneve tanë modernë, është padyshim rrëfimi më mbresëlënës i realitetit tonë në atë epokë. Kronikat e Indive na kanë lënë dhjetëra rrëfime të tjerë. Eldorado, toka jonë kaq shumë e kërkuar dhe gjithmonë e pakapshme, është shfaqur në shumë harta, për një kohë shumë të gjatë, duke ndryshuar vendin dhe formën, për t’i shkuar për shtat fantazive të kartografëve. Në kërkimin e tij për burimin e rinisë së përjetshme, mitiku Alvar Núñez Cabeza de Vaca eksploroi veriun e Meksikës për tetë vite, në një ekspeditë zhgënjyese, gjatë të cilës, pjesëtarët e saj hëngrën njëri-tjetrin dhe vetëm pesë prej tyre u rikthyen, nga gjashtëqind që ishin nisur. Një prej mistereve të shumtë e të pakuptueshëm të asaj epoke, është ai i 11 mijë mushkave, secila e mbushur me qindra kilogramë flori, që u nisën nga Cuzco një ditë, për të paguar haraçin e Atahualpas, dhe që nuk mbërritën kurrë në destinacion. Më pas, në kohërat koloniale, pulat u shitën në Cartagena de Indias, të rritura në tokë të hedhur dhe të cilat, mbanin në fyt, copëra të vogla floriri. Etja për flori e një themeluesi na ka ndjekur deri kohët e fundit. Deri në fundin e shekullit që kaloi, një mision gjerman i caktuar për të studiuar ndërtimin e një hekurudhe ndëroqeanike përgjatë Istmit të Panamasë, konkludoi se projekti ishte i realizueshëm, me vetëm një kusht: që shinat të mos bëheshin prej hekuri, që nuk gjendej në rajon, por prej floriri.

Pavarësia nga dominimi spanjoll nuk na shpëtoi ne prej marrëzisë. Gjenerali Antonio Lopez de Santa Anna, tre herë diktator i Meksikës, organizoi një funeral madhështor për këmbën e djathtë që kishte humbur në të ashtuquajturën Luftë e Embëlsirave. Gjenerali Gabriel Garcia Moreno sundoi Ekuadorin për 16 vjet si një monark absolut; pas vdekjes, trupi i tij u vendos në karriken presidenciale, veshur me uniformë, si dhe një shtresë medaljesh. Gjenerali Maximiliano Hernandez Martinez, despoti i El Salvadorit, i cili theri tridhjetë mijë fshatarë në një masakër barbare, shpiku një lavjerrës për të dalluar helmin në ushqimin e tij. Statuja e Gjeneralit Francisco Moraz’n, e ngritur në sheshin qendror të Tegucigalpas, është në të vërtetë statujë e Marshallit Ney, dhe është blerë në një magazinë pariziene, ku shiteshin skulptura të dorës së dytë.

Njëmbëdhjetë vjet më parë, kileni Pablo Neruda, një prej poetëve më të shquar të kohës sonë, e iluminoi këtë audiencë me fjalët e tij. Që atëherë, europianët dashamirës – dhe ndonjëherë edhe ata dashakeqë – janë befasuar, gjithnjë e më shumë, prej rrymave të mbinatyrshme të Amerikës Latine, ajo mbretëri e pakufishme e burrave-fantazmë dhe grave historike, kryeneçësia e të cilëve është legjendare. Ne nuk kemi patur asnjë moment pushim. Një president prometean, i rrethuar në pallatin e tij që digjej, vdiq duke luftuar një ushtri të tërë, i vetëm; dhe dy aksiente ajrorë të dyshimtë, që ende nuk janë shpjeguar, ndërprenë jetën e një tjetër presidenti zemërmadh, si dhe atë të një ushtari demokratik, i cili kishte rikthyer dinjitetin e popullit të tij. Ka patur pesë luftëra dhe shtatëmbëdhjetë grushte ushtarakë; ka dalë një diktator diabolik, i cili në emër të Zotit, po kryen të parin etnocid të kohës sonë në Amerikën latine. Ndërkohë, 20 milionë fëmijë amerikano-latinë vdiqën para se të mbushnin një vjeç – më shumë se sa kanë lindur në Europë, qysh prej vitit 1970. Ata që mungojnë për shkak të represionit janë më shumë se 120 mijë. Eshtë njësoj si të thuash, që janë zhdukur të gjithë banorët e Uppsalas. Shumë gra të arrestuara ndërsa ishin shtatzënë, kanë sjellë në jetë fëmijë në burgjet e Argjentinës, megjithatë askush nuk di gjë për vendndodhjen apo identitetin e fëmijëve të tyre, të cilët u adoptuan apo u dërguan në jetimore, me urdhër të autoriteteve ushtarake. Për arsye se u përpoqën të ndryshojnë këtë gjendje, pothuaj 200 mijë burra dhe gra kanë vdekur në të gjithë kontinentin, dhe më shumë se njëqind mijë kanë humbur jetën në tre vende të vegjël dhe fatkeqë të Amerikës Qendrore: Nikaragua, El Salvador dhe Guatemalë. Nëse kjo do të kishte ndodhur në Shtetet e Bashkuara, shifra korresponduese do të kishte qenë një milionë e gjashtëqind mijë vdekje në vetëm katër vjet.

Një milionë njerëz janë larguar nga Kili, një vend me traditë mikpritjeje – domethënë, dhjetë përqind e popullsisë. Uruguaji, një shtet i vogël me dy milionë e gjysmë banorë, që e konsideronte veten, shteti më i qytetëruar i kontinentit, ka humbur prej mërgimit një në pesë qytetarë. Që nga viti 1979, kjo luftë civile në El Salvador ka prodhuar pothuaj një refugjat në çdo njëzetë minuta. Vendi që do të mund të krijohej prej të gjithë mërgimtarëve dhe emigrantëve të detyruar në Amerikën latine, do të kishte një popullsi më të madhe se ajo e Norvegjisë.

Guxoj të mendoj, se është ky realitet i jashtëzakonshëm, dhe jo shprehja e tij letrare, që ka merituar vëmendjen e Akademisë Suedeze të Letrave. Një realitet jo në letër, por një që jeton brenda nesh, dhe përcakton çdo moment të vdekjeve tona të panumërta përditë, dhe që ushqen një burim krijueshmërie të panginjshme, plot me trishtim dhe me bukuri, ku ky kolumbian bredharak dhe nostalgjik, që jam unë, është thjeshtë një shifër më shumë, i puthur prej fatit. Poetë dhe lypsarë, muzikantë dhe profetë, luftëtarë dhe zabërhanë, të gjithë krijesa të atij realiteti të pafre, ne na është dashur vetëm pakëz imagjinatë, për problemin tonë thelbësor, që ka qenë mungesa e mjeteve tradicionale për t’i bërë jetët tona të besueshme. Ky, të dashur miq, është thelbi i vetmisë sonë.

Dhe nëse këto vështirësi, thelbin e të cilave ne e ndajmë, na pengojnë, është e kuptueshme se talentet racionalë në këtë anë të botës, të ekzaltuar në soditjen e kulturës së tyre, duhet të jenë gjendur pa mjetet e vlefshme për të na interpretuar ne. Eshtë thjeshtë e natyrshme që ata këmbëngulin të na masin ne, vetëm me kutin që përdorin për veten e tyre, duke harruar që rrënimet e jetës nuk janë të njëjta për të gjithë, dhe se kërkimi për identitetin tonë, është po aq i lodhshëm dhe i përgjakshëm, sa ka qenë edhe për ata. Interpretimi i realitetit tonë, përmes modeleve që nuk janë tanët, shërben vetëm për të na bërë edhe më të panjohur, edhe më pak të lirë, edhe më të vetmuar. E nderuara Europë, ndoshta do të na perceptonte më mirë, nëse do të provonte të na shihte ne, në të kaluarën e vet. Sikur të kujtonte se Londrës iu deshën treqind vjet për të ndërtuar të parin mur të qytetit, dhe treqind vite të tjerë për të patur një peshkop; që Roma u zhyt në pasiguri për dy shekuj, deri kur nje mbret etrusk u “ankorua” në historinë e saj; dhe që zviceranët paqësorë të sotëm, që na sajdisin me djathërat e tyre të butë dhe orat apatike, përgjakën dikur Europën si ushtarë të fatit, deri në shekullin 16. Edhe në kulmin e Rilindjes, njëzetë mijë mercenarë që paguheshin nga ushtritë perandorake, mësynë dhe shkatërruan Romën, dhe futën në shtapë tetë mijë banorë të saj.

Nuk dua të mishëroj iluzionet e Tonio Krögerit, ëndrrat e të cilit, për të bashkuar veriun e dëlirë me jugun pasionant u lartësuan këtu, 53 vjet më parë, nga Thomas Manni. Por unë besoj se ata europianë të qartë që luftojnë, edhe këtu, për një vendlindje më të drejtë dhe njerëzore, mund të na ndihmojnë shumë më mirë, nëse rishikojnë mënyrën se si na shohin ne. Solidariteti me ëndrrat tona nuk do të na bëjë të ndihemi më pak të vetmuar, sa kohë që nuk përkthehet në akte konkrete mbështetjeje legjitime, për të gjithë njerëzit që përqafojnë iluzionin e të paturit një jetë të tyren në këtë botë.

Amerika Latine as nuk do, as nuk ka arsye, që të jetë një gur shahu pa vullnetin e saj; as nuk shpreson që kërkimi i saj për pavarësi dhe origjinalitet, duhet të bëhet një aspiratë Perëndimore. Megjithatë, përparimet në lundrim që kanë ngushtuar kaq shumë distanca mes Amerikave tona dhe Europës, duket se, çuditërisht, kanë theksuar më shumë largësinë tonë kulturore. Përse ky origjinalitet na jepet kaq kollaj në letërsi, dhe na mohohet, me kaq mosbesim, në përpjekjet tona të vështira për ndryshime sociale? Përse duhet menduar që, drejtësia sociale që kërkonin europianët progresistë për vendet e tyre, nuk mund të jetë një objektiv edhe për Amerikën Latine, me metoda të ndryshme për kushte të ngjashme? Jo: dhuna e pamatë dhe dhimbja e historisë sonë, janë rezultat i pabarazive të kahershme dhe hidhërimit të parrëfyeshëm, dhe jo një komplot i bërë tre mijë lega larg prej shtëpisë sonë. Por shumë udhëheqës dhe mendimtarë europianë kanë menduar kështu, me kalamanllëkun e të vjetërve që kanë harruar teprimet e frutshme të rinisë, a thua do të ishte e pamundur të gjendej një tjetër fat, përveç atij të të jetuarit nën mëshirën e dy zotave të mëdhenj të botës. Kjo, miqtë e mi, është shkalla e vetmisë sonë.

Pavarësisht kësaj, ndaj shtypjes, plaçkitjes dhe braktisjes, ne përgjigjemi me jetën. As përmbytjet as sëmundjet, zitë e bukës apo kataklizmat, as edhe luftërat e përjetshme shekull pas shekulli, nuk kanë qenë në gjendje të zhbëjnë avantazhin e qëndrueshëm të jetës mbi vdekjen. Një avantazh që rritet dhe shpejtohet: çdo vit, ka 74 milionë më shumë lindje se sa vdekje, një numër i mjaftueshëm jetësh të reja për të shtatëfishuar, përvit, popullsinë e Nju Jorkut. Shumica e këtyre lindjeve ndodhin vendet me më pak burime – duke përfshirë, sigurisht, ata të Amerikës Latine. Ndërkohë, shumica e vendeve të begatë ia kanë dalë që të akumulojnë fuqi shkatërrimtare të tilla që, të asgjësojnë, njëqind herë, jo vetëm të gjithë qeniet njerëzore që kanë ekzistuar deri sot, por edhe tërësinë e gjithë qenieve të gjalla që kanë marrë frymë ndonjëherë mbi këtë planet të mjerë.

Në një ditë si e sotmja, mësuesi im Uilliam Faulkner tha: “Unë refuzoj të pranoj fundin e njeriut”. Nuk do të isha i denjë të qëndroja në këtë vend që ishte i tiji, nëse nuk do të isha tërësisht i vetëdijshëm se tragjedia kolosale që ai refuzoi të njohë 32 vjet më parë është sot, për herë të parë qysh prej fillimit të njerëzimit, asgjë më shumë se sa një mundësi e thjeshtë shkencore. Përballë këtij realiteti, që duhet të jetë dukur thjeshtë një utopi përgjatë gjithë kohëve të njerëzimit, ne, krijuesit e rrëfimeve, që besojmë gjithçka, ndihemi se kemi të drejtë të besojmë se nuk është ende shumë vonë për t’u angazhuar në krijimin e utopisë së kundërt. Një utopi e re dhe gjithëpërfshirëse e jetës, ku askush nuk do të jetë në gjendje të vendosë për të tjerët se si të vdesin, ku dashuria do të jetë e vërtetë dhe lumturia e mundur, dhe ku racat e dënuara me njëqind vjet vetmi, më në fund dhe përgjithmonë, do të kenë një shans të dytë mbi Tokë.

Përkthimi: Bota.al

Leave a Reply

Back to top button