Bota

Një vrasje postmoderne

Pamjet filmike – të nxjerra në mediat sociale të paredaktuara dhe të pacensuruara – mishërojnë gjithçka kërcënuese mbi shkrirjen në një, të rinisë, medias, teknologjisë dhe radikalizmit. Në këtë pamje tmerrësisht të qartë të të parës vrasje politike postmoderne, perëndimi pa të ardhmen e vet. Dhe është e frikshme

Nga Xhejms Pulos

2016 ende nuk ka mbaruar punë me ne.

Duke përmbledhur frikërat rajonale dhe globale për një rrëshkitje drejt një lufte të gjerë, Mevlut Mert Altintas, një polic nga Ankaraja, vrau Andrei Karlovin, ambasadorin e Rusisë në Turqi, në një atentat që i la të gjithë pa fjalë. Me tensionet SHBA-Rusi që kanë arritur kulmin, në mesin e akuzave për ndërhyrje në zgjedhjet amerikane, regjimin gjithnjë e më autoritar të presidentit Erdogan sidomos pas grushtit të shtetit në verë të këtij viti, si dhe pasojat e tmerrshme të Aleppos dhe Mosulit që japin efektet e tyre në kohë reale, vrasja është e tmerrshme dhe shqetësuese.

Për t’i përkeqësuar gjërat, mënyra e vrasjes së Karlovit dukej se konfirmonte frikërat se burimet më të mëdhenj të paqëndrueshmërisë dhe pasigurisë në botë, janë duke konverguar edhe më shpejt, edhe më fuqishëm. Në një skenë po aq postmoderne sa edhe ato të librave të DOn DeLillos, J. G Ballardit, ose Michel Houllebecqut – e gjitha e filmuar me pamje të cilësisë së lartë, gjatë fjalimit të ambasadorit në një ekspozitë fotografike – 22 vjeçari Altintas dukej si një model o “H&M, me një kollare të hollë dhe kostum të zi, ndërkohë që në sfond ishte hapësira e bardhë si bora e ekspozitës. Por ai foli ato lloj fjalësh që jemi mësuar t’i dëgjojmë nga terroristë me mjekërr, në pamje filmike të turbullta, duke bërë thirrje për xhihad në Siri, dhe duke u betuar që nuk do ta kapnin gjallë.

Pamjet filmike – të nxjerra në mediat sociale të paredaktuara dhe të pacensuruara – mishërojnë gjithçka kërcënuese mbi shkrirjen në një, të rinisë, medias, teknologjisë dhe radikalizmit. Në këtë pamje tmerrësisht të qartë të të parës vrasje politike postmoderne, perëndimi pa të ardhmen e vet. Dhe është e frikshme.

Zyrtarë nga Rusia dhe Turqia nxituan që të ofrojnë interpretime të ngjarjeve, që u përmbaheshin skenarëve të paracaktuar. Kryebashkiaku i Ankarasë, duke vënë në veprim një narrativë kyçe të regjimit të Erdoganit, e quajti Altintasin një Gylenist – ndjekës i klerikut me banim në SHBA, i fajësuar prej Erdoganit për grushtin e shtetit, që më pas ai e përdori si pretekst për spastrime dhe represion të paprecedentë. Dhe Ministria e Jashtme e Rusisë, përmes zëdhënëses Maria Zakharova, e quajti Altintasin terrorist – duke iu përmbajtur këmbënguljes së Moskës, se objektivi i saj parësor në Siri dhe në Lindjen e Mesme më gjerë, është mposhtja e ISIS dhe ndjekësve të tij.

Në mediat sociale, pretendimet konkurruese janë shndërruar tashmë në armë, në një luftë fjalësh mbi marrëdhëniet SHBA-Rusi, regjimi i Assadit në Siri, që Rusia e mbështet dhe Turqia i kundërvihet, dhe përgjegjësinë morale për katastrofën në Halep, ku Moska dhe Ankaraja po punojnë për të evakuuar atë që ka mbetur nga popullsia e qytetit.

Sado postmoderne mund të jetë vrasja e Karlovit, ajo është e mbyllur brenda një konteksti tejet modern – makinacionet përllogaritëse të autokratëve të modës së vjetër.

Sado i prirur që mund të jetë interneti për të zmadhuar dhe prodhuar lajme fantazi, në këtë rast, e vërteta është mu përpara syve. Vrasja e Karlovit është jo vetëm një demonstrim tronditës i frikërave të botës për të ardhmen. AJo është një tjetër e çarë në themelet e të tashmes gjeopolitike, që i bën frikshëm jehonë kataklizmave të të kaluarës. Metafora që disa analistë dhe vëzhgues nxorrën menjëherë nga sirtarët, ishte vrasja më shumë se 100 vjet më parë e Dukës Franc Ferdinand, një vrasje e cila shkaktoi Luftën e Parë Botërore.

Eshtë një krahasim i sforcuar, por gjithësesi një që vë theksin mbi ndjesinë mbizotëruese sot, se rendi global ekzistues e ka kaluar kohën e vet, dhe është shumë pranë shembjes. Pritshmëritë ideologjike po shkunden dhe po turbullohen. Ndërkohë që presidenti Obama është gjendur nën sulm nga e majta dhe e djathta për qasjen e tij të tërhequr ndaj Rusisë, presidenti i sapozgjedhur Trump është në qendër të sulmeve nga të dy krahët, për shkak se po adopton një qasje më miqësore. (Trumpi madje është shprehur në mbështetje të ekstradimit të Gylenit në Turqi). Megjithatë, shumë pak amerikanë kërkojnë një angazhim më të madh të SHBA në Siri, apo një kaskadë drejt një lufte direkte me Rusinë. Injoranca, urrejtja refleksive dhe supersticionet konspirative po lulëzojnë në Perëndim sot. Por në të njëjtën kohë, po lulëzon edhe një kërkesë nga të gjithë krahët për një botë më paqësore dhe të parashikueshme.

Dhe kjo është arsyeja përse liberalizmi perëndimor e gjen vetën gjithnjë e më në sulm, edhe jashtë, edhe brenda. Elitat kanë humbur shumë besim në idealet e tyre për të udhëhequr vendet e tyre në luftëra kundër autokracive. Në SHBA, radikalët joliberalë dhe reaksionarët thërrasin për një ndarje vendimtare me globalizmin, intervencionizmin dhe kapitalizmin amerikan. Në Europë, ku të dy llojet e ekstremeve joliberale gëzojnë një histori të gjatë e të përgjakshme qëndrueshmërie dhe kontrolli, fokusi është vënë në ndëshkimin e globalizmit më pak për pikat e tij të forta se sa pikat e dobëta, gjë që mishërohet në paaftësinë e BE-së për të garantuar rritje ekonomike, koherencë kulturore, krenari politike, apo siguri bazë. Sado e errët mund të jetë jeta joliberale në Rusi, Turqi, apo Kinë, mesazhi që shumëkush në demokracitë perëndimore do të dëgjojë nga Altintasi është: Në një botë më të dhunshme, edhe ju do të mësoni të braktisni gjithë shpresën./ The Week – www.bota.al

Leave a Reply

Back to top button