Ky opinion i botuar në Nju Jork Tajms, në numrin e 28 prillit 1982, me autor Erik Margolis, të ngjan shumë me një thirrje të fortë dhe të dëshpëruar, për të kthyer vëmendjen e Uashingtonit zyrtar nga Shqipëria. Nëpërmjet një analize gjeopolitike, autori sjell në vëmendje përpjekjet e vazhdueshme të Moskës, për të pushtuar Shqipërinë dhe ndërtuar një bazë të fuqishme aty, që do të shërbente si pedana e saj për dominimin e Evropës Jugore dhe Lindjes së Mesme.
Margolis përmend tre grushte shteti të mbetur në tentativë, që janë organizuar nga KGB-ja por nuk kanë mundur të realizohen, ndërkohë që nuk lë pa përmendur se, me vetëvrasjen e Mehmet Shehut dhe dobësimin e shëndetit të Enver Hoxhës, tashmë Moska ka një shans të artë të ndërhyjë, duke qenë se pritet një tronditje e fortë në Partinë komuniste, shkaktuar nga lufta për pasardhësin.
Të gjithë e dimë se si shkuan gjërat dhe frikërat e autorit nuk u materializuan asnjëherë, megjithatë ky është një lexim shumë interesant i mënyrës se si shihej Shqipëria së jashtmi, në vitin e largët 1982, sa me vlerë konsiderohej ajo në sytë e Bashkimit Sovjetik, por edhe sa e harruar në sytë e Perëndimorëve. Siç shkruan ai vetë, nëse një regjiment sovjetik me aeroplanë do të ulej në aeroportin e Tiranës, përgjigjja e mundshme e Uashingtonit do të ishte: “Ku është Tirana?”. / bota.al
Shqipëria, vendi më pak i njohur evropian, mund të jetë “fushëbeteja” e një ndryshimi drastik në ekuilibrin e fuqive, Lindje-Perëndim. Vlera strategjike e Shqipërisë, megjithëse praktikisht është harruar në Perëndim, kuptohet plotësisht nga Moska. Në kulmin midis Jugosllavisë, Greqisë dhe Italisë, Shqipëria, me dy porte të shkëlqyera në ujëra të thella, në Vlorë dhe Durrës, mbizotëron gadishulli Ballkanik dhe hyren në detin Adriatik. Bregdeti italian është vetëm 50 milje larg, përtej ngushticës së Otrantos.
Në vitin 1961, Shqipëria u bë vendi i vetëm që dëboi me sukses forcat “okupuese” sovjetike dhe një establishment pro-konsullor. Në atë kohë, udhëheqësi i partisë, Enver Hoxha, një adhurues i paepur i Stalinit, papritmas prisha të gjitha lidhjet me Moskën për shkak të programit të de-stalinizimit që nisi Nikita S. Hrushovi. Rusët sapo kishin përfunduar një kompleks instalimesh detare dhe vendqëndrime nëndetësesh nëntokësore në ishullin e Sazanit, i njohur si ”Gjibraltari i Adriatikut’, pranë portit të Vlorës. Sazani dhe bazat e tijajrore dhe logjistike në territorin e Shqipërisë, do të ishin avanposti, prej ku Kremlini do të përhapte ndikimin e vet në të gjithë Evropën Jugore dhe në Lindjen e Mesme.
Shqiptarët vunë nën kontroll të gjitha këto instalime, duke dëbuar mijëra këshilltarë sovjetikë dhe madje morën edhe dy nëndetëse. Edhe pse i indinjuar, Bashkimi Sovjetik nuk ishte në gjendje të kryente një reagim efektiv ushtarak, sepse 21 vjet më parë, kur Flota e Gjashtë e Shteteve të Bashkuara dominonte Mesdheun, rusëve u mungonin forcat ajrore dhe amfibe me rreze të gjatë.
Rusët nuk e kanë harruar këtë poshtërim përballë një vendi me 2.5 milion banorë, dhe modeli i veprimtarive antishqiptare të Moskës gjatë dy dekadave të fundit, tregon se rivendosja e kontrollit mbi Shqipërinë është një qëllim i rëndësishëm i strategjisë madhore të Kremlinit.
Dëshmitë e prekshme të interesit të Moskës për të trazuar Shqipërinë kanë qenë të qarta. KGB, duke përdorur një kolonë të pestë pro-Sovjetike në Shqipëri, ka organizuar të paktën tre grushte shteti.
Sot, ngjarjet në Shqipëri mund t’i japin Moskës shansin që e ka pritur me durim. Enver Hoxha, 73 vjeç, raportohet të jetë me shëndet të dobët. Lajmi i radios shqiptare për ”vetëvrasjen për shkak të depresionit nervor” të Mehmet Shehut, i dyti në komandë pas Hoxhës, lë të kuptohet për shtimin e presioneve në Partinë Komuniste Shqiptare, teksa dita e pasardhësit afrohet.
Ndjesia e shansit që afrohet për Moskën, është shtuar pa dyshim nga izolimi i plotë i Shqipërisë. Amerika Kapitaliste është armiku numër 1 i Enver Hoxhës, e ndjekur nga Bashkimi Sovjetik. Pas vdekjes së Mao Cedunit, Shqipëria i ktheu shpinën Kinës, dikur aleate e saj e vetme. Jugosllavët dhe Grekët, armiq tradicionalë të shqiptarëve, kanë ende pretendime territoriale mbi Shqipërinë. Në procesin e ruajtjes së pastërtisë ideologjike marksiste të vendit të tij, z. Hoxha ka mbetur pa asnjë shok apo aleat.
Skenari sovjetik për veprim kundër Shqipërisë mund të jetë i parashikueshëm: një grusht shteti duke kopjuar operacione të suksesshme në Çekosllovaki dhe Afganistan. Në dallim nga situata në vitin 1961, Bashkimi Sovjetik sot zotëron forca të bollshme për ndërhyrje në distancë dhe nuk jeton më me frikën nga Flota e Gjashtë. Forcat ajrore mund të pushtonin nga ajri Shqipërinë, të kapnin aerodromet kryesore dhe të sillnin pajisje të rënda dhe forca të blinduara. Forcat amfibe nga skuadroni i Detit të Zi dhe Mesdheut do të izolonin dhe mbështillnin Shqipërinë. Rezistenca nga ushtria prej 50,000sh burra e Shqipërisë do të shkatërrohej shpejt.
Shqipëria mund të bëhet baza më e rëndësishme e Bashkimit Sovjetik, aq e rëndësishme për ambicien e kahershme për të kontrolluar Mesdheun dhe Lindjen e Mesme, ashtu si Hauaii është për dominimin e Paqësorit nga ana e Shteteve të Bashkuara. Pasojat politike të pranisë së Ushtrisë së Kuqe 50 milje larg nga Italia dhe disa qindra milje në veri të Athinës mund të imagjinohen kollaj.
Por imagjinata duket se mungon në Uashington. Mungesa e marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë që nga Lufta e Dytë Botërore, e ka shtyrë Perëndimin në një lloj amnezie për ekzistencën e saj, dhe nuk dihet në ka ndonjë plan emergjence për të trajtuar një krizë atje.
As Shtetet e Bashkuara dhe as Organizata e Traktatit të Atlantikut të Veriut nuk kanë mbështetur kurrë zyrtarisht pavarësinë e vazhduar të Shqipërisë, duke e lënë Moskën me objektivin joshës të një çmimi të vlefshëm strategjik, që mund të kapet pa rrezikun e një reagimi efektiv perëndimor. Nëse një regjiment sovjetik me aeroplanë do të ulej në aeroportin e Tiranës, përgjigjja e mundshme e Uashingtonit do të ishte: “Ku është Tirana?”
Nëse Perëndimi nuk heq një vijë diplomatike mbrojtëse për Shqipërinë, duket se është e mundur që ajo përsëri të bjerë nën Bashkimin Sovjetik – një ngjarje që mund të paraqesë ndryshimin më drastik në ekuilibrin e fuqisë evropiane, që nga Lufta e Dytë Botërore.
Nga Erik Margolis, Nju Jork Tajms – Bota.al