BotaMAIN

NOBEL PËR PAQEN? Cilat janë 7 luftërat që Trumpi “u ka dhënë fund”

Pse Donald Trump beson se “e meriton Çmimin Nobel për Paqen” dhe pse thotë se “i ka dhënë fund shtatë luftërave”

Presidenti amerikan ka bërë “të qartë se nuk do të donte asgjë më shumë” sesa të fitonte këtë çmim prestigjioz, thonë ekspertët për Sky News, ndërsa sugjerimet e tij se është një kandidat i denjë fillojnë që nga mandati i tij i parë.

Donald Trump ka përsëritur pretendimet se i ka dhënë fund disa luftërave në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke vijuar përpjekjet e tij për të marrë Çmimin Nobel për Paqen. Duke folur në Nju Jork, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ai tha se “të gjithë thonë se unë duhet ta marr Çmimin Nobel për Paqen”.

Më herët, kur u takua me presidentin Volodymyr Zelenskyy dhe me liderë të tjerë europianë në Shtëpinë e Bardhë më 18 gusht, ai kishte deklaruar: “Unë i kam dhënë fund gjashtë luftërave” – duke u thënë gazetarëve të nesërmen se, në fakt, kishte zgjidhur shtatë.

Fushata e Trumpit për Nobelin

2019

Në shkurt të vitit 2019, Trump pretendoi se kryeministri i atëhershëm japonez, Shinzo Abe, e kishte nominuar atë pas samitit të vitit 2018 me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un, ku u diskutua programi bërthamor i vendit.

Duke folur nga Shtëpia e Bardhë, ai tha se z. Abe i kishte dhënë “kopjen më të bukur të një letre që ai ia kishte dërguar atyre që japin atë që quhet Çmimi Nobel”.

Ai pretendoi se z. Abe i kishte thënë: “Unë të kam nominuar ty”, ndaj të cilit Trump ishte përgjigjur: “Faleminderit. Shumë njerëz të tjerë mendojnë po ashtu. Ndoshta nuk do ta marr kurrë. Por s’ka problem”.

Presidenti vazhdoi duke iu referuar paraardhësit të tij, Barack Obama, që fitoi çmimin në vitin 2009. “E dhanë për Obamën. Ai as nuk e dinte përse e mori. Ishte aty vetëm për 15 sekonda dhe mori Çmimin Nobel,” tha ai. “Unë ndoshta nuk do ta marr kurrë.”

Obama e fitoi çmimin vetëm nëntë muaj pas fillimit të presidencës së tij, për “përpjekje të jashtëzakonshme për të forcuar diplomacinë ndërkombëtare dhe bashkëpunimin mes popujve”. Në fjalimin e pranimit, ai pranoi polemikat që e shoqëruan, duke thënë: “Krahasuar me disa nga gjigantët e historisë që e kanë marrë këtë çmim – Schweitzer dhe King; Marshall dhe Mandela – arritjet e mia janë të vogla.”

Në fund të vitit 2019, përpara një takimi me kryeministrin pakistanez Imran Khan, Trump u tha gazetarëve se ai “do të fitonte një Çmim Nobel për shumë gjëra, nëse do ta jepnin në mënyrë të drejtë, gjë që nuk e bëjnë”.

2020

Në janar të vitit 2020, ai u ankua se duhej ta kishte fituar çmimin në vend të kryeministrit të Etiopisë, Abiy Ahmed Ali, i cili mbikëqyri firmosjen e marrëveshjes së paqes në konfliktin kufitar me Eritrenë.

Duke iu referuar përfshirjes së tij në bisedimet e paqes, që u udhëhoqën kryesisht nga Arabia Saudite, Trump tha në një miting elektoral në Ohajo: “Do t’ju tregoj për Çmimin Nobel për Paqen, do t’ju tregoj për këtë. Unë bëra një marrëveshje, shpëtova një vend, dhe sapo dëgjova që kreu i atij vendi tani po merr Çmimin Nobel për Paqen për shpëtimin e vendit. Por e dini, kështu është. Për sa kohë që e dimë ne, kjo është ajo që ka rëndësi… Unë shmanga një luftë të madhe, kam shmangur disa prej tyre.”

2024

Në një tjetër miting, përpara fitores së tij të dytë elektorale në vitin 2024, ai u tha mbështetësve në Detroit: “Po të quhesha Obama, do ta kisha marrë Çmimin Nobel për Paqen për 10 sekonda.”

2025

Në shkurt të këtij viti, gjatë një takimi me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Shtëpinë e Bardhë, ai tha: “Ata kurrë nuk do të ma japin Çmimin Nobel për Paqen. E meritoj, por nuk do të ma japin kurrë.”

Dhe më 18 gusht, gjatë një samiti me liderët ukrainas dhe europianë, ai tha: “Nëse shikoni gjashtë marrëveshjet që kam mbyllur këtë vit, të gjitha ishin në luftë.”

Më 19 gusht, ai e korrigjoi veten, duke i thënë Fox News: “Ne i dhamë fund shtatë luftërave.”

Edhe ekipi i tij ka shtuar thirrjet për t’i dhënë çmimin, me sekretaren e shtypit Karoline Leavitt që e ka përmendur disa herë në konferencat për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, duke e përshkruar atë si “presidentin e paqes” dhe duke thënë se “është i vonuar tashmë.”

Si fitohet Çmimi Nobel për Paqen?

Kushdo mund të nominohet për këtë çmim, por faqja zyrtare paralajmëron se meqë nuk ka “verifikim të nominimeve”, “vetëm të jesh i nominuar nuk është një mbështetje apo nderim zyrtar dhe nuk mund të përdoret për të nënkuptuar lidhje me Çmimin Nobel për Paqen apo institucionet e tij.”

Vetëm persona që plotësojnë kritere të caktuara mund të bëjnë nominime, përfshirë krerë shtetesh, anëtarë qeverish, fitues të mëparshëm të Nobelit dhe profesorë universitetesh.

Komiteti i Nobelit, një panel prej pesë ekspertësh të emëruar nga Stortingu norvegjez (trupi suprem legjislativ), përzgjedh një listë të shkurtër kandidatësh, të cilët më pas shqyrtohen nga konsulentë të jashtëm. Këta përfshijnë këshilltarë të përhershëm të komitetit, ekspertë norvegjezë dhe ndërkombëtarë në këtë fushë.

Pasi ky informacion ndahet me komitetin, merret vendimi përfundimtar dhe fituesi shpallet çdo tetor. Në vitin 2025, kishte 338 kandidatë, përfshirë 244 individë dhe 94 organizata.

Cilat janë shtatë luftërat që Trump pretendon se i ka përfunduar?

Pas pretendimeve të tij se kishte “përfunduar shtatë luftëra” gjatë bisedimeve për Ukrainën në Uashington, Shtëpia e Bardhë publikoi listën e konflikteve për të cilat presidenti po fliste – gjashtë gjatë mandatit të tij të dytë dhe një në të parin.

Armenia dhe Azerbajxhani

Dy kombet kanë qenë të përfshirë në një konflikt pothuajse 40-vjeçar mbi statusin e diskutueshëm të Nagorno-Karabakhut.

Së fundmi, përleshje të rënda shpërthyen në shtator 2023 kur Azerbajxhani pushtoi zonën, e cila ka qenë shtëpi e armenëve etnikë që nga koha para-sovjetike.

Por më 8 gusht të këtij viti, një marrëveshje paqeje mes të dyja palëve u shpall në Shtëpinë e Bardhë, çka bëri që të dy liderët të nominojnë Trumpin për Çmimin Nobel.

Sipas Dr. Theo Zenou, studiues në Henry Jackson Society, “ky është ndoshta pretendimi më i ligjshëm i Trump për paqe”. “Merita duhet dhënë aty ku i takon: ndërmjetësimi i një marrëveshjeje paqeje mes Armenisë dhe Azerbajxhanit është një arritje e vërtetë,” thotë ai.

Duke e përshkruar si një “simbol të rëndësishëm përparimi”, ai gjithashtu paralajmëron se kjo u bë kryesisht për shkak të “rënies së ndikimit të Rusisë në rajon” dhe se ende mbeten “pika të diskutueshme” mes të dyja palëve.

Tajlanda dhe Kamboxhia

Tensionet mbi tokën përgjatë kufirit 500 milje mes Tajlandës dhe Kamboxhias kanë vazhduar për më shumë se një shekull, duke sjellë shpërthime sporadike të luftimeve.

Më 24 korrik, pasi zyrtarët tajlandezë pretenduan se trupat kamboxhiane hapën zjarr mbi një bazë ushtarake të tyre përgjatë kufirit, shpërtheu dhunë që la 35 të vdekur dhe zhvendosi qindra mijëra persona gjatë katër ditëve.

Dy ditë më pas, Trump postoi në Truth Social: “Jam duke telefonuar Kryeministrin e Përkohshëm të Tajlandës, tani, për t’i kërkuar një armëpushim dhe FUNDIN e luftës që po shpërthen.”

Edhe pse ishte Malajzia ajo që priti bisedimet e paqes, Trump kërcënoi se do t’i ndalte negociatat mbi uljen e mundshme të tarifave amerikane ndaj importeve tajlandeze e kamboxhiane, nëse armëpushimi nuk do të respektohej.

Më 7 gusht u nënshkrua një marrëveshje. “Stili i Trump është transaksional,” thotë Dr. Samir Puri nga Chatham House. “Ai përpiqet të nxisë ekonomikisht palët për të ndalur luftimet – por ka një diferencë të madhe midis ndalimit afatshkurtër të luftimeve dhe zgjidhjes së shkaqeve rrënjësore të konfliktit.”

Ruanda dhe Republika Demokratike e Kongos

Në fillim të vitit 2025, tensionet mes dy vendeve afrikane u ringjallën kur rebelët M23 të mbështetur nga qeveria e Ruandës pushtuan një zonë të pasur me minerale në lindje të Republikës Demokratike të Kongos (DRC).

Pas muajsh luftimesh, në qershor, ministrat e jashtëm të dy vendeve udhëtuan në Shtëpinë e Bardhë për të nënshkruar një marrëveshje duke u zotuar të respektojnë një armëpushim të mëparshëm nga viti 2024.

Trumpi lëvdoi veten për krijimin e paqes në “njërën prej luftërave më të tmerrshme që ka parë ndonjëherë kushdo.” Megjithatë, grupi M23 nuk mori pjesë drejtpërdrejt në bisedime dhe deklaroi se nuk e konsideron marrëveshjen të detyrueshme.

“Është e paprecedentë për një president amerikan të ndërhyjë në këtë konflikt,” vëren Dr. Puri, ndërsa Dr. Zenou e quan një “hap në drejtimin e duhur”, por thekson se mungesa e përfaqësimit të M23 do të thotë se lufta “me gjasë do të vazhdojë”.

Izraeli dhe Irani

Pas shpërthimit të luftës mes Iranit dhe Izraelit më 13 qershor, SHBA bombardoi tre nga objektet bërthamore të Iranit.

Trump shpalli: “Zyrtarisht, Irani do të fillojë ARMËPUSHIMIN dhe, pas Orës së 12-të, Izraeli do të fillojë ARMËPUSHIMIN dhe, pas Orës së 24-të, FUNDI ZYRTAR i LUFTËS 12-DITORE do të përshëndetet nga Bota.”

Kryeministri Netanyahu e lavdëroi SHBA-në, por Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei, tha se sulmet nuk arritën asgjë dhe pretendoi se Irani doli fitues.

Dr. Puri thekson se ky është i vetmi rast nga shtatë konfliktet ku Trumpi përdori forcë ushtarake, çka në vetvete është e lavdërueshme. Por, sipas tij, Trump thjesht “e shtyu konfliktin në një gjendje fjetjeje”, pa adresuar shkaqet rrënjësore. Dr. Zenou shton se nuk pati “marrëveshje paqeje” dhe se “të dyja palët mbeten në luftë”.

India dhe Pakistani

Dy vendet kanë luftuar mbi statusin e Kashmirit që nga ndarja e tyre në vitin 1947. Në maj, pas një sulmi në Kashmirin e kontrolluar nga India, tensionet u përshkallëzuan për katër ditë.

Më 10 maj u shpall një armëpushim, që Trump e quajti rezultat i një “nate të gjatë bisedimesh të ndërmjetësuara nga SHBA”.

Zyrtarët pakistanezë e nominuan atë për Nobel, por India mohoi fuqimisht çdo përfshirje të SHBA-së, duke këmbëngulur se bisedimet u zhvilluan “drejtpërdrejt mes Indisë dhe Pakistanit”.

Dr. Puri e përshkruan këtë si pretendimin më “të dobët” të Trumpit: “Në asnjë mënyrë Trump nuk mund të thotë se e ka zgjidhur konfliktin Indi-Pakistan, që ka rrënjë të jashtëzakonshme strukturore.”

Egjipti dhe Etiopia

Prej 12 vitesh, Egjipti dhe Etiopia janë përfshirë në një mosmarrëveshje mbi digën e madhe GERD në lumin Nil, e cila nisi operimin në vitin 2022.

Etiopia e sheh digën si jetike, ndërsa Egjipti pretendon se ajo rrezikon furnizimin me ujë.

Në fund të qershorit, bisedimet dështuan. Trump postoi: “Po të isha Egjipt, do të doja ujin e Nilit,” duke premtuar se SHBA do ta zgjidhte çështjen. Ai më pas pretendoi se SHBA kishte financuar pjesërisht digën – gjë që u mohua nga zyrtarët etiopianë, të cilët theksuan se ishte ndërtuar “pa asnjë ndihmë të huaj”.

Serbia dhe Kosova

Kosova shpalli pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Beogradi ende nuk e njeh. Në qershor të këtij viti, tensionet u përshkallëzuan.

Trumpi shkroi online: “Serbia, Kosova do të shkonin drejt një lufte të madhe. Unë u thashë, nëse ndodh, nuk ka tregti me SHBA. Ata thanë, mirë, ndoshta nuk do të ndodhë.”

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se kishte “informacion të besueshëm” se Trumpi kishte ndërhyrë për të parandaluar një përleshje, por nuk dha detaje.

Shtëpia e Bardhë iu referua vetëm marrëveshjes së vitit 2020 në mandatin e parë të Trumpit, kur palët ranë dakord për normalizim ekonomik.

A mund ta fitojë realisht Trumpi, Nobelin?

Donald Trump është nominuar mbi 10 herë për Çmimin Nobel për Paqen – nga Netanyahu, Hun Manet (Kamboxhia), një politikan ukrainas, si dhe ligjvënës nga SHBA, Suedia dhe Norvegjia.

Dr. Zenou paralajmëron se këto nominime janë më tepër diplomaci: “Trumpi e ka bërë shumë të qartë se nuk do asgjë më shumë sesa Nobelin. Liderët që e nominojnë po bëjnë qejfin.”

Sipas tij, edhe pse nuk është në listën e “shtatë luftërave”, Marrëveshjet e Abrahamit (2020), që sollën njohjen e Izraelit nga disa shtete arabe pas gati 50 vitesh, mbeten arritja më e madhe diplomatike e Trumpit.

Dr. Zenou i përshkruan ato si një “moment historik për Lindjen e Mesme”, veçanërisht sepse kanë mbijetuar pavarësisht konfliktit aktual mes Izraelit dhe Hamasit. Megjithatë, mungesa e Arabisë Saudite në këtë listë është një nga “testet më të mëdha” për Trumpin.

Edhe përpjekjet e tij për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë mund të shihen si një rrugë drejt çmimit, thotë Dr. Puri: “Ukraina është ajo mbi të cilën do të gjykohet presidenca e tij. Është në piedestal, dhe Trumpi imagjinon se mund ta çojë deri në Oslo.”

Por Puri rikujton diferencën mes “menaxhimit të konfliktit” dhe “zgjidhjes së konfliktit”: “Trump është më shumë në biznesin e menaxhimit, duke përdorur nxitje ose sanksione ekonomike për të bërë palët të flasin. Ai nuk po i zgjidh konfliktet.”

Në fund, ai shton se megjithëse pretendimet e Trumpit janë shpesh të ekzagjeruara, fakti që ka ndërhyrë kryesisht pa përdorur forca të mëdha ushtarake (përveç Iranit) është diçka për t’u njohur.

“Ka absurditet në pretendimet e Trumpit, por brenda absurditetit ndonjëherë ka kokrra të vërtete. Prandaj, të mos jemi tepër kritikë ndaj një presidenti amerikan, i cili, sado gabimisht, po përpiqet të ndërhyjë në konflikte për t’i zgjidhur kryesisht pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë ushtarake.” / Bota.al

Back to top button