AnalizaMAIN

“Normaliteti” i ri. Do përjetojmë shumë ngjarje që ndodhin një herë në jetë

Nga William Hague

Kur dëgjova debatin e parë televiziv për zgjedhjen e kreut të ri të Partisë Konservatore, fraza që më bëri të reflektoja më shumë ishte momenti kur Liz Trus tha se pandemia e Covid-19 ishte një “ngjarje që ndodh një herë në 100 vjet”. Argumenti i saj ishte se kjo ishte një dukuri kaq e rrallë, sa që borxhet e mëdha që shkaktoi mund të mbarten për një periudhë afatgjatë në vend se të kërkojnë rritje të menjëhershme të taksave.

Arsyeja pse kjo deklaratë më bëri të mendohem kaq shumë, është se ne po përjetojmë shumë ngjarje që janë të jashtëzakonshme në raport me përvojën tonë të kohëve të fundit.

Në kushtet e një pandemie globale, inflacioni në nivele shumë të larta, një lufte të madhe, një thatësire të  rëndë e të  shumë-përhapur, një krize të vazhdueshme të  demokracisë amerikane, është e natyrshme të supozohet se secila prej tyre ndodh vetëm një herë në jetën e njeriut, dhe se ne do të rikthehemi në situatën më të qëndrueshme me të cilën ishim mësuar. E megjithatë, për secilën nga këto çështje, ka shumë të ngjarë që ky supozim të jetë i gabuar. Implikimet janë shumë të gjera. Duke kthyer kokën pas, duket e arsyeshme të thuhet se një pandemi si ajo e Covid-19 ndodh vetëm një herë në 100 vjet. Në fakt, Organizata Botërore e Shëndetësisë e tha saktësisht këtë gjë që kur virusi filloi të përhapet, për ta paralajmëruar botën se sa serioz do të ishte ai.

Pandemia e fundit e rëndë ishte Gripi Spanjoll i viteve 1918-1020, një shekull më parë. Por sot bota banohet nga 4 herë më shumë njerëz se sa në vitin 1918. Ata udhëtojnë shumë më tepër, dhe janë shumë më të angazhuar në prerjen e pyjeve, dëmtimin e tokës dhe tregtimin e paligjshëm të kafshëve të egra.

Që të gjitha këto aktivitete e bëjnë shumë më të  lehtë  kalimin nga kafshët tek njerëzit të sëmundjeve zoonotike. Rastet e Ebolas, Sars, Mers, Zika-s dhe tani lisë së majmunëve, përbëjnë një dëshmi të bollshme se ajo që ishte e vërtetë nëse kthen kokën pas nuk është më e vlefshme nëse sheh përpara.

Edhe nëse bini dakord me pikëpamjen alternative se Covid u arratis nga një laborator, gjërat nuk mbeten më pak shqetësuese. Numri i laboratorëve në botë që trajtojnë patogjenë të avancuar, në nivelin më të lartë të biosigurisë, është rritur nga 40 në 60 vetëm në dekadën e fundit.

Ato merren me kërkime të rëndësishme, por nëse gabimi njerëzor shkakton një pandemi, ne po e zgjerojmë hapësirën për to. Sipas një studimi nga Universiteti i Padovës në Itali, në përgjithësi shkalla në rritje me të cilën patogjenët e rinj po infektojnë njerëzit, do të thotë që probabiliteti i pandemive të reja trefishohet në dekadat e ardhshme.

Prandaj, nuk është më e arsyeshme që një pandemi të konsiderohet si një rrezik që shfaqet një herë në një shekull. Nëse nuk ndryshojmë mënyrat tona të jetesës, pandemia e ardhshme do të shfaqet shumë më shpejt se sa kaq. Por të paktën, po e qetësoni veten, duke thënë se rritja e madhe e çmimeve të energjisë nuk mund të zgjasë shumë, pasi ajo është shkaktuar nga lufta në Ukrainë, apo jo?

Ju mund të thoni: Sigurisht që lufta s’mund të zgjasë edhe për shumë kohë, dhe inflacioni do të rikthehet pas disa vitesh në nivelin 2 për qind, pasi kështu këmbëngul edhe Banka e Anglisë. Edhe kreu laburist i opozitës britanike, Keir Starmer duket se mendon kështu, pasi javën e kaluar premtoi të ngrijë faturat e energjisë të të gjithëve me një kosto astronomike prej 60 miliardë paund në një vit, me mendimin se kjo do të jetë një masë e përkohshme.

Ai mendon qartë se kemi të bëjmë me një problem emergjent, me ndoshta një tjetër ngjarje që shfaqet një herë në një shekull. Në fakt çmimet e energjisë mund të bien ndjeshëm, sidomos gjatë një recesion botëror. Por ato po rriteshin që para luftës në Ukrainë, dhe do të jenë shumë të paqëndrueshme gjatë tranzicionit drejt energjisë së pastër, si rezultat i ruajtjes së pamjaftueshme, infrastrukturës dhe i diversifikimit të furnizimit me lëndë djegëse fosile që i përdorim ende.

Të gjithë mund të shpresojmë që lufta do të përfundojë së shpejti, por në fakt ajo po tregon më shumë shenja zgjerimi – në Krime dhe me shumë gjasa në Bjellorusi – sesa të mbarimit. Sa i përket inflacionit, është e vështirë që efektet e një lufte të zgjatur, ndërprerja e zinxhirëve të furnizimit global dhe mungesa në rritje e punëtorëve në ekonomitë më të përparuara të mundësojnë një rikthim së shpejti në normalitet.

Sigurisht, nuk ka pasur kurrë një botë “normale”, ku gjithçka të ketë qenë në rregull. 20 vitet e para të këtij shekulli, sollën sulmet e 11 Shtatorin dhe krizën financiare globale. Por deri para disa vitesh kishte pasur një periudhë të mjaftueshme lirie nga sëmundjet, inflacioni i ulët, rritje ekonomike të kënaqshme si pasojë e globalizimit, paqe midis fuqive të mëdha dhe stabilitet politik në demokraci.

Ndërkohë tani duhet të mësohemi me idenë se normaliteti nuk do të rikthehet. Mendoni pak për çështjen e klimës: Lumi Rin në Gjermani thahej gati tërësisht një herë në 20 vjet. Por ndodhi në vitin 2018, dhe u përsërit këtë verë. Në nivel global, 9 nga 10 vitet më të nxehta të regjistruara kanë ndodhur 10 vitet e fundit. Dhe ky nuk është një rast i vetëm: klima jonë normale nuk ekziston më.

Ose mendoni për demokracinë: një president amerikan u përpoq të përmbyste një rezultat zgjedhor legjitim, dhe partia e tij e mbështet ende. Nuk ka pasur asgjë kaq të rëndë në SHBA që nga Lufta Civile. Pra a është kjo një ngjarje që ndodh një herë në shekull? Mjerisht, ndoshta jo.

Ju mund të thoni: Oh mjaft Uilliam, ju jeni më shumë pesimist nga sa duhet. Sigurisht, që ne duhet të jemi optimistë për të ardhmen. Po edhe këtu na vjen në ndihmë historia. Kur gjyshi im lindi në vitin 1901, do të ishte krejtësisht e saktë të isha optimist për gjendjen në të cilën do të ishte bota kur ai të vdiste në vitin 1998.

Sepse ai pa sesi shekulli XX-të solli një përmirësim të madh të gjendjes se njerëzimit, sido që ta matni atë: jetëgjatësia, shëndeti, higjiena, paqja, liria dhe prosperiteti. Por ai përjetoi gjithashtu kataklizmat e dy luftërave botërore, dhe konceptet e vjetra të asaj që ishte normale humbën njëherë e përgjithmonë.

Ne ende mund të shpresojmë që ky shekull do të jetë më i mirë sesa kaq. Mjafton të vizitosh një shkollë për t’u ndjerë optimist: në vitin 2100 do të kemi mësuar të jetojmë në ekuilibër më të mirë me natyrën, me një strukturë të re të marrëdhënieve paqësore ndërkombëtare dhe duke përdorur ilaçe dhe teknologji të reja të jashtëzakonshme.

Por harku i historisë është në fakt një vijë kaotike, me kulme të mprehta në të cilat supozimet duhet të ndryshojnë, dhe kur optimisti duhet të jetë realist. Tani ndodhemi pikërisht në një nga ato kulme. Dhe kjo ka pasoja për të gjithë. Personi që doli në pension herët në ambiente të caktuara, mund të dëshirojë të mendojë të kthehet në punë.

Kompania që i importon të gjithë lëndën e parë nga një vend, ose nëpërmjet një porti apo poshtë një lumi, duhet të diversifikojë mënyrën e furnizimit. Qeveria e ardhshme, e Trus, Sunak, Starmer apo kujtdo tjetër, duhet të ndihmojë ata që do të vuajnë, ndërsa t’i ndihmojë të tjerët të përshtaten me fundin e asaj që deri sot e cilësonim si normale. Duke pasur parasysh sesa ngjarje ndodhin një herë në 100 vjet, ne jemi gati të përjetojmë shumë prej tyre. / “The Times” – Bota.al

Back to top button