BotaMAIN

“Nuk dua që Evropa të blejë naftë ruse”

Trump rrit presionin mbi Evropën për naftën ruse: “Jam gati për sanksione të reja”

Presidenti amerikan Donald Trump ka rikthyer në qendër të debatit çështjen e energjisë dhe marrëdhënieve mes Perëndimit dhe Rusisë. Në një mesazh të publikuar në platformën e tij Truth Social, ai akuzoi vendet evropiane anëtare të NATO-s se po “dobësojnë fuqinë e tyre negociuese” duke vijuar të blejnë naftë nga Moska.

“Evropa është duke blerë naftë nga Rusia. Nuk dua që ta blejnë… dhe sanksionet që po vendosin nuk janë mjaftueshëm të forta”, u shpreh Trump, duke theksuar se është i gatshëm të ndërmarrë sanksione të reja ndaj Moskës nëse vendet e NATO-s bien dakord të bëjnë të njëjtën gjë.

Një letër për NATO-n

Presidenti amerikan e quajti mesazhin e tij “një letër për vendet e NATO-s”, ku theksonte: “Jam gati të veproj sapo të thoni ju. Vetëm më thoni kur.” Ai u shpreh i habitur që shtete evropiane vijojnë të blejnë naftë ruse, duke e quajtur këtë praktikë “shokuese”. Sipas tij, kjo dëmton strategjinë e Perëndimit dhe i jep Moskës burimin kryesor të financimit për luftën në Ukrainë.

Presion mbi Evropën, por edhe mbi Kinën

Trump ka sugjeruar që vendet e NATO-s të vendosin tarifa nga 50 deri në 100% mbi importet nga Kina, me qëllim që të dobësojnë ndikimin e Pekinit mbi Rusinë. Edhe pse administrata e tij nuk ka zbatuar ende tarifa të reja ndaj Kinës për shkak të blerjeve të naftës ruse, retorika e tij synon të lidhë direkt tri qendra të mëdha gjeopolitike: SHBA, Evropën dhe Kinën.

India në shënjestër

Krahas Evropës, India është vendosur nën presion të fortë. Para dy javësh, Trump vendosi 25% tarifa shtesë ndaj mallrave indiane, duke e çuar totalin në 50%, për shkak të vijimit të importit të naftës ruse. New Delhi, nga ana e vet, e justifikon këtë politikë si nevojë për sigurinë energjetike dhe çmime të përballueshme, jo si aleancë politike. Qeveria e Modi-t ka akuzuar Perëndimin për “standarde të dyfishta”, duke kujtuar se edhe vendet evropiane vazhdojnë tregtinë me Rusinë në fusha të tjera.

Një ekuilibër delikat

Megjithëse retorika e Trump është e fortë, shumë analistë paralajmërojnë për pasojat e mundshme të kufizimeve të reja energjetike. Tregu botëror i naftës mund të përballet me rritje të çmimeve, që në fund do të dëmtonte edhe konsumatorët perëndimorë. Në fakt, që nga pushtimi i Ukrainës në shkurt 2022, varësia e Evropës nga nafta ruse ka rënë ndjeshëm, por ende nuk është eliminuar plotësisht.

Trump i ka dhënë disa herë Moskës afat dyjavor për të ndryshuar kursin, afate që Kremlini i ka injoruar. Ndërkohë, ministrat e financave të G7 diskutuan javën e kaluar opsione të reja për sanksione, përfshirë edhe tarifa ndaj vendeve që konsiderohen si “mundësues” të luftës ruse. Në këtë skakierë ku nafta është kthyer në armë politike, SHBA po përpiqet të mbajë në një front të bashkuar NATO-n dhe partnerët globalë. Por retorika e ashpër e Trumpit, kombinimi i kërcënimeve me tarifa dhe pritshmërive të larta nga aleatët, e bën edhe më të vështirë gjetjen e një kompromisi të qëndrueshëm. / bota.al

Back to top button