Bota

Nuk kemi nevojë për “Vëllain e Madh”. Në epokën e “fakteve alternative”, ne themi gënjeshtrat tona

Nga Xhon Broiç

Dhjetë ditë pas inaugurimit të Presidentit Donald Trump, Libri “1984” i Xhorxh Oruellit vazhdon të jetë në listën e më të shiturve në Amazon.

Zemrat e mijëra mësuesve të anglishtes duhet të jenë ngrohur, teksa njerëzit rendin që të blejnë një roman të botuar në vitin 1949, me qëllim që të gjejnë mënyra për të menduar mbi të tashmen e tyre.

Historia e Oruellit i ka ngjarjet në Oqeania, një prej tre blloqeve apo mega-shteteve që luftojnë për dominimin e globit në vitin 1984. Ka patur një shkëmbim bërthamor, dhe blloqet duket se kanë rënë dakord për luftë të përhershme konvencionale, ndoshta për shkak se lufta e vazhdueshme u shërben interesave të tyre të përbashkëta në kontrollin e brendshëm.

Oqeania kërkon servilizëm total. Eshtë një shtet policor, me helikopterë që monitorojnë veprimtaritë e njerëzve, madje shohin edhe përtej dritareve të tyre. Por Oruelli përmbledh se në të vërtetë është “ThinkPol”, Policia e Mendimit, ajo që monitoron në të vërtetë 85 përqindëshin e popullsisë, që është jashtë elitës së partisë. Policia e Mendimit lëviz në mënyrë të padukshme nëpër shoqëri, duke kërkuar, e madje edhe nxitur, krime-mendimi, me qëllim që t’i zhdukin ata që i kryejnë krimet, për riprogramim.

Mënyra tjetër kryesore se si elita e partisë, e simbolizuar prej figurës kryeqosre me mustaqe, Vëllait të Madh, nxit dhe kontrollon mendimin, është përmes teknologjisë së Telescreen-it. Këto “pllaka metalike” transmetojnë gjëra si video të frikshme të ushtrive armike, dhe sigurisht urtësinë e Vëllait të Madh. Por Telescreen-i mund të të shohë edhe ty. Gjatë ushtrimeve të detyrueshme të mëngjesit, Telescreen-i tregon jo vetëm një stërvitës të ri në moshë, por sheh edhe nëse ti po ruan ritmin. Këto ekrane janë kudo: Janë në secilën dhomë të shtëpive të njerëzve. Në zyrë, njerëzit i përdorin për të bërë punën e tyre.

Historia vëritet tek Uinston Smithi dhe Julia, që përpiqen t’i rezistojnë kontrollit që qeveria e tyre ka mbi faktet. Akti i tyre i rebelimit? Përpiqen që të zbulojnë të vërtetat “jozyrtare” mbi të kaluarën, si dhe të regjistrojnë në një ditar informacione të paautorizuara. Uinstoni punon në kolosalen Ministri e të Vërtetës, mbi të cilën është shkruar me gërma të mëdha: INJORANCA ESHTE FORCE. Detyra e tij është që të fshijë të dhëna të pavolitshme politikisht, nga regjistrat publike. Një anëtar i partisë nuk është më e mirëpritur? Ajo s’ka ekzistuar kurrë! Vëllai i Madh bëri një premtim që nuk mund ta mbajë? Nuk ka ndodhur asnjëherë.

Duke qenë se puna e tij i kërkon që të bëjë kërkime në gazeta të vjetra për faktet që i duhet të “çfaktojë”, Uinstoni është veçanërisht i zoti për “mendimin e dyfishtë”. Uinstoni thotë se është “i vetëdijshëm për vërtetësinë e plotë, ndërkohë që thotë gënjeshtra të ndërtuara me kujdes… në mënyrë të vetëdijshme, për të nxitur të pavetëdijshmen”.

Për këtë libër, Oruelli u frymëzua nga mënyra se si ai e parashikonte Luftën e Ftohtë – një frazë që ai e pagëzoi në vitin 1945. Ai e shkruajti vetëm pak vite pasi pa Ruzëveltin, Çërçillin dhe Stalinin të ndanin botën në konferencat e Teheranit dhe Jaltës. Libri është veçanërisht parashikues për disa aspekte të Bashkimit Sovjetik stalinist, Gjermanisë Lindore dhe Kinës së Maos.

Oruelli ishte një socialist. “1984” përshkruan pjesërisht frikën e tij se socializmi demokratik, në të cilin besonte, do të merrej peng prej autoritarizmit stalinist. Romani e pati burimin në vëzhgimet e tij mbi botën, si dhe faktin që stalinistët u përpoqën ta vrasin.

Në vitin 1936, një grusht ushtarak i mbështetur nga fashistët kërcënoi shumicën socialiste të zgjedhur demokratikisht në Spanjë. Oruelli dhe socialistë të tjerë të përkushtuar nga e gjithë bota, duke përfshirë Ernest Heminguejin, dolën vullnetarë për të luftuar kundër rebelëve të djathtë. Ndërkohë, Hitleri u ofroi të djathtëve fuqinë e tij ajrore ndërsa Stalini u përpoq të shtjerë në dorë rezistencën republikane të majtë. Kur Oruelli dhe vullnetarë të tjerë injoruan këta stalinistë, ata u vunë në lëvizje për të shtypur kundërshtarët. Oruellit dhe të shoqes iu desh të largohen fshehtas nga Spanja në vitin 1939, pasi po e ndiqnin.

Në Londër gjatë Luftës së Dytë Botërore, Oruelli pa me sytë e tij se si një demokraci liberale dhe individë të përkushtuar ndaj lirisë mund ta gjejnë veten në një rrugë drejt Vëllait të Madh. Ai punoi për BBC-në, duke shkruar atë që mund të përshkruhet vetëm si “propagandë”, e cila i drejtohej një audience indiane. Ajo që shkruante nuk ishte ekzaktësisht mendim i dyfishtë, por ishin lajme dhe komente që i shërbenin një qëllimi politik. Oruelli përpiqj të bindte indianët se bijtë dhe burimet e tyre po i shërbenin një të mire të madhe në luftë. Pasi kishte shkruar gjëra që ai besonte se ishin të pavërteta, Oruelli u largua nga puna pas dy vitesh, i neveritur edhe me veten e tij.

Vetë imperializmi e neveriste. Si një djalë i ri në vitet 1920, Oruelli kish shërbyer si polic në Birmani. Në një kumtim të hershëm të botës së Vëllait të Madh, Oruelli shante rolin arbitrar e të shëmtuar që kish marrë në sistemin kolonial. “E urreja”, shkruante ai. “Në një punë si ajo, ti sheh nga afër punën e pistë të Perandorisë. Të burgosurit e mjerë që mblidheshin kruspull në kafazët erëndyrë, fytyrat e zbardhura, të përulura të të dënuarve kohëgjatë…”.

Oqeania ishte një produkt parashikues i një biografie të caktuar dhe një momenti të veçantë, kur Lufta e Ftohtë po fillonte. Kështu që, bota e sotme e “fakteve alternative” është kaq e ndryshme në shumë drejtime, që Oruelli as nuk do i kishte imagjinuar.

Nuk ka nevojë për Vëllain e Madh

Oruelli përshkruante një sistem njëpartiak ku një bërthamë e vogël oligarkësh, “partia e brendshme” e Oqeanias kontrollonte gjithë informacionin. Kjo ishte mënyra e tyre kryesore e kontrollit të pushtetit. Në SHBA sot, informacioni është i hapur për ata që kanë qasje në internet, e që janë të paktën 84% e amerikanëve. Dhe ndërkohë që SHBA mund të jetë oligarki, pushteti ekziton diku në një përzierje që përfshin elektoratin, kushtetutën, gjykatat, burokracitë dhe në mënyrë të pashmangshme, paranë. Me fjalë të tjera, ndryshe nga Oqeania, informacioni dhe pushteti janë të përhapur në Aerikën e 2017-ës.

Ata që studiojnë rënien në standartet e provave dhe arsyetimit në elektoratin e SHBA, kryesisht ia vënë fajin përpjekjeve të bashkrenduara të politikanëve që nga vitet 1970, për të diskredituar ekspertizën, ulur besimin tek Kongresi dhe anëtarët e tij, e madje edhe vënë në dyshim vetë legjitimitetin e qeverisë. Me ata liderë, institucione dhe ekspertë të delegjitimuar, strategjia ka qenë që ata të zëvendësohen me autoritete dhe realitete alternative.

Në vitin 2004, një këshilltar i lartë në Shtëpinë e Bardhë tha se një gazetar i përkiste “komunitetit me bazë tek realiteti”, një lloj pakice njerëzish që “besojnë se zgjidhjet dalin nga studimi i kthjellët i ealitetit të dukshëm… Por bota nuk funksionon më kështu”.

Oruelli nuk mund të kish imagjinuar internetin dhe rolin e tij në shpërndarjen e fakteve alternative, as edhe që njerëzit do të mbanin Telescreen-ë në xhepat e tyre në formën e celularëve. Nuk ka Ministri të Vërtetës që shpërndan dhe kontrollon informacionin, dhe në një farë mënyre, të gjithë janë Vëllai i Madh.

Problemi nuk është që njerëzit nuk janë në gjendje të shohin përmes gënjeshtrave të mëdha të Vëllait të Madh, por se ata përqafojnë “faktet alternative”. Disa studiues kanë zbuluar se kur disa njerëz e nisin me një pikëpamje të caktuar për botën – për shembull, që ekspertët shkencorë dhe nëpunësit publikë nuk janë të besueshëm – ata i besojnë këto perceptime të gabuara edhe më fuqimisht, kur u jepen informacione të kundërt, ndonëse të saktë. Me fjalë të tjera, argumentimi me fakte mund të shkaktojë efektin e kundërt. Pasi kanë vendosur tashmë se çfarë është më thelbësisht e vërtetë se sa faktet e raportuar nga ekspertë apo gazetarë, ata kërkojnë konfirmim në fakte alternative dhe i shpërndajnë ato vetë përmes Facebookut. Nuk kanë nevojë për Vëlla të Madh.

Në Oqeaninë e Oruellit, nuk ka liri për të thënë faktet, përveç atyre që janë zyrtare. Në Amerikën e vitit 2017, të paktën mes shumëkujt në pakicën e fuqishme që zgjodhi presidentin e vet, sa më zyrtar të jetë fakti, aq më i dyshimtë. Për Uinstonin, “liria është liria për të thënë që dy edhe dy bëjnë katër”. Për këtë pakicë të fuqishme, liria është liria për të thënë që dy edhe dy bëjnë pesë. /The Conversation – www.bota.al

* Xhon Broiç është profesor në Case Western Reserve University.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Back to top button
Close
Close