Një bashkëbisedim me Norbert Röttgen, President i Komisionit të Jashtëm të Bundestagut
Ju keni qenë ndër politikanët e parë gjermanë që keni takuar eksponentë të administratës së re Trump, pak kohë pas inaugurimit të tij. Çfarë ideje keni krijuar?
Jemi në det të hapur. Besoj se është hapur një kapitull i pazakontë në raportet midis Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara. Kështu që kemi nevojën për të krijuar një dialog. Presidenti i Shteteve të Bashkuara ka demonstruar tashmë se dëshiron ta braktisë rrugën tradicionale e politikës së jashtme në raportet me Europën ashtu siç i njohim nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore. Duhet të përballemi me një gjë të tillë.
Si ka shkuar në të vërtetë takimi në Uashington midis Angela Merkel dhe Donald Trump? Një gazetë britanike ka treguar se Presidenti amerikan ka përsëritur 11 herë se do të lidhë marrëveshje tregtare bilaterale me Gjermaninë dhe për 11 herë Merkel i ka kujtuar se marrëveshjet tregtare janë çështje europiane dhe bëhen me Bashkimin Europian.
Nuk e di nëse ia ka përsëritur tamam 11 herë, por gjithsesi i është bërë me dije shumë qartë që se marrëveshjet tregtare nuk bëhen me Gjermaninë, por me Europën. Por aspekti më pozitiv është se kemi perceptuar mundësinë e lidhjes së një marrëveshjeje.
Deri sa të kthehet tek Marrëveshja Transatlantike për Tregtinë, TTIP?
Ndoshta, dora dorës që gjërat të ecin përpara, do të dalë që Trump do të jetë i detyruar që të përballet me realitetin. Për këtë takim duhet thënë pa asnjë mëdyshje se ka shkuar më mirë nga sa nuk u është dukur vëzhguesve të jashtëm dhe shtypit. Nga sa di unë, dialogu kokë më kokë ka shkuar më mirë sesa konferenca për shtyp apo se momenti shumë i cituar në Sallën Ovale, kur Presidenti është dukur se nuk ka dashur t’i shtrëngojë dorën. Në realitet, pas këtij takimi ballë për ballë ka pasur gjithmonë një kontakt telefonik shumë të gjallë.
Me rastin e G20-së së grave, Ivanka Trump ka ardhur për herë të parë në Europë, më saktësisht në Berlin, qysh kur i ati është president. Shumë komentatorë kanë ironizuar lidhur me përpjekjen e Kancelares për të garantuar një akses alternativ në Shtëpinë e Bardhë dhe tek Presidenti kaotik nëpërmjet të bijës.
Ivanka Trump është një njeri i rëndësishëm për të atin dhe mund të nënkuptojë një ndërmjetësim të dobishëm. Nuk shikoj asgjë të keqe
Një prej temave kryesore të përplasjes midis Uashingtonit e Berlinit dhe shumë kohë përpara presidencës Trump është ajo e një aktivi të jashtëzakonshëm tregtar gjerman, që vitin e kaluar ka kaluar 8% e PBB-së. Edhe Presidenti i sapozgjedhur francez Emmanuel Macron e sulmon Berlinin në këtë pikë, kurse sipas Drejtores së Përgjithshme të FMN-së, Christine Lagarde, Gjermanisë do t\i mjaftonte «gjysma» e këtij aktivi, domethënë 4%.
Duhet të kemi parasysh se kjo kritikë është tashmë mjaft e zgjeruar. Nuk vjen vetëm nga Shtetet e Bashkuara, por edhe nga partnerët europianë dhe nga vetë Komisioni Europian. Por besoj se duhet të dalim nga faza e kundërvënies dhe e kritikës për të hyrë në një fazë të dytë, më konstruktive. Duhet të kërkojmë që të kuptojmë se çfarë lloj marrëveshjesh multilaterale mund të bëhen për të arritur në një ekuilibër më të madh të bilanceve tregtare. Tepër pak merren me pars construens, por është e nevojshme të gjenden mënyra përballimi.
Si?
Sigurisht që nuk mund t’i kërkohet Gjermanisë që të heqë dorë nga forca ekonomike dhe nga kompetitiviteti i saj për të kënaqur ata që ankohen për një sufiçit eksporti. Duhet të gjejmë mënyrën e konvergjimit në një politikë ndërkombëtare më të koordinuar për t’i korrigjuar këto dizekuilibra.
Ekonomistët kanë një ide shumë të saktë sesi do të duhet të zgjidhet ky problem: kërkesa e brendshme është mjaft e dobët, pasi investimet lëngojnë prej dekadash dhe konsumet janë shumë të flashkët.
Në të njëjtën mënyrë, mund të thuhet se ekzistojnë arsye për deficitet e bilanceve të tjera tregtare. Shumë produkte të vendeve të tjera thjesht nuk arrijnë të konkurrojnë në tregun global. Mendoj se amerikanët duhet ta konsiderojnë edhe këtë. Në rast se Uashingtoni do të pranonte se Shtetet e Bashkuara kanë një problem konkurrence, kjo do të ishte një pikënisje e shkëlqyer për një negociatë.
Por në Gjermani ajo e investimeve duket se është tabù. Prek dekadash, kuota gjermane e investimeve lidhur me PBB-në është më e ulëta se mesatarja e OCSE dhe është një temë e ngritur shpesh edhe nga SPD-ja. Në të vërtetë qeveria nuk bën gjë tjetër veçse kapet pas fetishit Schwarze Null, të barazimit të bilancit, për të justifikuar frenimin e investimeve.
Besoj se në Gjermani ekzistojnë praktikisht marzhet për një përmirësim në frontin e kërkesës së brendshme, sidomos nga pikëpamja e novatorizimit dhe të infrastrukturave. Por sikur të bënim një përpjekje më të madhe për ta forcuar kërkesën e brendshme, vende të tjera do të duhej të investonin në një novatorizëm për ta përmirësuar konkurrencën. Me pak fjalë: në Amerikë niveli i infrastrukturave publike është shumë prapa, edhe krahasuar me Gjermaninë.
Pikë tjetër që i frikëson europianët është kërcënimi se mos Shtetet e Bashkuara vendosin tarifa apo taksa lidhur me importet. Kemi për shembull pikëpyetjen e madhe se ku do të gjenden mbulimet për shkurtime masive fiskale të miratuara. Ekonomistët kanë demonstruar se rritja më shumë sesa mund të gjeneronin shkurtimet nuk do t’i kompensonin të ardhurat e munguara.
E vërteta është se edhe në fushën fiskale duhet të marrim parasysh faktin se nuk duket se ka akoma një program ekonomik në kuptimin e vërtetë të fjalës. Në zbatimin praktik, nacionalizmi ekonomik nuk kuptohet akoma se çfarë është. Nëse marrim kërcënimin e tarifave, është tashmë e dukshme se një pjesë e industrisë amerikane është kundër, pasi i frikësohet një shtrenjtimi të çmimeve apo gjithsesi një reduktim të marzheve të fitimit. Me pak fjalë, po kuptojnë se ajo që kanë programuar shkon edhe kundër interesave të amerikanëve.
Si e vlerësoni performancën e Trump? Çfarë lloj politikani është?
Të gjithë vërdallisemi në errësirë. Por disa tregues na bën të kuptojmë drejtimin që duket se po merr administrata amerikane.
Çfarë drejtimi? Sulmi ushtarak në Siri apo tensionet me Korenë e Veriut mund të jenë një tregues se Trump e ka braktisur idenë e një izolacionizmi amerikan.
Pikërisht. Evoluime të tjera të kohëve të fundit duket se tregojnë një përmirësim, të paktën nga pikëpamja e Europës. Të kujtojmë zëvendësimin e Michael Flynn me Herbert Raymond McMaster. Është një përparim i madh. Por edhe dikush nga Brookings Institute si Fiona Hill është bërë Drejtore e Departamentit për Europën dhe Rusinë në Këshillit për Sigurinë Kombëtare na tregon diçka për një ekipqë duket se po ngjyroset gjithnjë e më shumë më realpolitikë dhe kompetencë. Vetë dinamika e sulmit në Siri, i shënjestruar dhe i njoftuar Rusisë, apo impenjimi diplomatik për të penguar konflikte me Korenë e Veriut duke mbajtur një dialog konstant me Kinën duket se tregojnë një ndryshim pozitiv. Sigurisht, jemi ende larg nga një politikë e jashtme. Deri më tani kemi asistuar në vendimet të veçanta që mezi transformohen në një politikë koherente. Por nuk është e thënë që herëat apo vonë të mos shfaqet një strategji. Një tjetër tregues tjetër në këtë drejtim është se sulmi në Siri ka qenë akti i parë lidhur me të cilin Trump ka gëzuar një miratim bipartizan dhe ndërkombëtar. Teza ime është se Presidenti amerikan dëshiron të vlerësohet dhe, mbi të gjitha, të rizgjidhet.
Po përshkruani një proces normalizimi.
Nuk jemi akoma në këtë pikë, por po lëvizim në një drejtim që më ngjall besim.
Kur është larguar Obama, Merkel është quajtur «bastioni i botës së lirë». Sipas jush, ju shkakton bezdi?
Sigurisht që po. Është një ekzagjerim total i përbindshëm i mundësive të saj. Prej disa vitesh, Gjermania ka një përgjegjësi të rritur dhe një mundësi unike në planin ndërkombëtar, ndoshta më e madhja nga përfundimi Luftës së Dytë Botërore. Po kërkojmë që t’u përshtatemi këtyre shpresave, por që të paraqitemi si shpëtimtarë të botës është diçka që çdo gjerman e refuzon kategorikisht. Pastaj, edhe bota perëndimore nuk është edhe kaq keq.
Çfarë do të bëjë Gjermania për lidhur me kërkesën e Trump për shpenzime më të madha për NATO-n? Merkel ka thënë tashmë se do ta mirëpresë kërkesën për një rritje me 2% të shpenzimeve ushtarake, por Zëvendëskancelari Sigmar Gabriel (i SPD-së) duket më skeptik.
Besoj se duhet të biem dakord lidhur me këtë pikë dhe ta marrim shumë seriozisht kërkesën amerikane.
Por edhe në partinë tuaj, CDU, ka që kanë mendjen e tyre. Ursula von der Leyen, Ministrja e Mbrojtjes, është e bindur se duhen përfshirë në këtë 2% edhe misionet paqeruajtëse në Afganistan apo në ato humanitare në Mali.
Impenjimi me NATO-n është që të shpenzojë deri në 2% të PBB-së në fushën e mbrojtjes dhe unë besoj se duhet të bëhet fjalë për shpenzime ushtarake. Nëse dikush, për shembull, mendon se shpenzimet për refugjatët duhen vënë në llogarinë e Mbrojtjes, gabon dhe nuk besoj se partnerët e Aleancës do të ishin shumë dakord. Nga ana tjetër, në nivel kombëtar, ato për kërkuesit e azilit nuk besoj se janë shpenzime për të cilat merret Ministrja von der Leyen.
Do të ishte kaq e gabuar nëse do të numëroheshin edhe misionet ku Gjermania merr pjesë prej 16 vjetësh bashkë me amerikanët, si ai në Afganistan?
Wolfgang Ischinger, Drejtori për Sigurinë i Mynihut, ka propozuar 3%. Në këtë pikë mund të përfshihen ndihma humanitare, shpenzimet për misione diplomatike apo bashkëpunimi. Është e vërtetë se «siguria» është një term i gjerë, por në këtë pikë, ndershmërisht, duhen impenjuar resurse më të mëdha. Ky do të ishte një diskutim i sinqertë dhe nuk do të tingëllonte si truk.
Domethënë nuk jeni dakord as në parti.
Besoj se në CDU jemi të gjithë dakord për faktin se duhet të bëjmë më shumë për sigurinë tonë dhe nuk mund t’ia delegojmë më amerikanëve. Mesazhi më alarmues, por që duhet të na bëjë edhe të reflektojmë mbi impenjimet që duhet të marrim, është se amerikanët nuk janë më të gatshëm që të na qëndrojnë në krah në mënyrë të pakushtëzuar. Është një ndryshim paradigme.
Europa duket se ka reaguar ndaj Trump dhe, për motive të kundërta, ndaj fitores së Macron me një rilançim të motorit franko – gjerman dhe të integrimit europian.
Ky duhet të jetë momenti i Europës. Me fitoren e Macron kemi shmangur një katastrofë, gjë që në vetvete është shumë. Me Macron dhe Merkel mund të bëhet shumë për motorin franko – gjerman. Mund të arrihet një gjendje e re bashkëpunimi dhe konvergjence në siguri, në politikë të jashtme dhe në ekonomi. Në këtë rinovim të aleancës franko – gjermane, që është e hapur për një zgjerim në partnerë të tjerë, qëndron sot opsioni vendimtar për një përparim të Europës. Do të ishim të papërgjegjshëm nëse do e humbisnim këtë rast.
Si e gjykoni Russiagate? A nuk duhet ta alarmojnë Europën rrjedhjet e informacionit lidhur me bisedën e famshme me Ministrin e Jashtëm rus Sergej Lavrov ku Trump duket se ka zbuluar informacione delikate dhe shumë të rezervuara? Si mund t’i besohet Trump për një temë të rëndësishme si siguria?
Donald Trump është Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara. Bashkëpunimi nuk mund të dështojë për faj të Europës. Përkundrazi, jemi thirrur si kurrë më parë që të aktivizohemi më shumë dhe të mos qëndrojmë gjithmonë në pritje. Trump gjeneron paqartësi të mëdha, por është shpejt për të nxjerrë konkluzionet përfundimtare.
(nga Limes)
Përgatiti:
ARMIN TIRANA / Bota.al